Blog
Një çmim që nuk do të na kënaqë

Një çmim që nuk do të na kënaqë

Nga Erjon Uka/ Kur Doris Lessing fitoi Nobelin në letërsi në vitin 2007, nuk ndodhej në shtëpi. Nga Suedia, në anën tjetër të receptorit, e kërkonin për ta njoftuar se ishte ajo e përzgjedhura e Akademisë atë vit. Por Lessing kishte dalë për të bërë pazar. Gazetarët u treguan më të shpejtë, e kur u kthye në shtëpi me trajse në dorë, i gjeti përballë pragut të derës. Mori lajmin, thuhet se nga buzët belbëzoi një “Oh Zot!”, i dhanë tufa me lule, e më pas u ul dhe nisi t’u përgjigjej pyetjeve të tyre.

Është vetëm një prej episodeve simbol se si çmimi më i rëndësishëm global në letërsi, bën bashkë hijeshinë dhe spontanitetin, adhurimin dhe refuzimin. Në çastin kur e gjithë bota i ka sytë nga Suedia për fituesin, nga ana tjetër i përzgjedhuri mund të jetë duke bërë pazarin si Lessing, duke udhëtuar në makinë si Dario Fo, të zhduket për disa ditë si Bob Dylan, ta mendojë arsyet e refuzimit si Jean-Paul Sartre, të kërkojë ndjesë se gazetarët i kanë trokitur në portë pa larë ende flokët si Kazuo Ishiguro apo ta pranojë çmimin pas këmbënguljes së bashkëshortes si George Bernard Shaw. Historia e tij është e mbushur me episode të tilla, me debate e skandale, me çmime të munguara dhe akuza për mbivlerësime, me shkrimtarë që punojnë gjithë jetën për ta fituar, e të tjerë që telefonata nga akademia suedeze u vjen si lotari.

E megjithatë, Nobeli është konfirmuar si nderimi më i madh në letërsi, së pari për jetëgjatësinë dhe konsistencën që e ka karakterizuar, për vlerën monetare dhe promovimin që i bëhet veprës letrare. Pavarësisht se një hije misteri qëndron gjithmonë mbi arsyet e vendimit që çojnë në akordimin e çmimit, ia ka dalë që thuajse gjithmonë të mos devijojë nga kjo karakteristikë. Që prej themelimit 119 vite më parë, bota ka njohur dy luftëra botërore, dy pandemi të rënda globale, bomba atomike e ndërrime sistemesh politike, revolucione kulturore dhe pushtim të hapësirës, një skandal të rëndë në Akademinë e Suedisë, e megjithatë Nobeli ka vijuar t’i përmbahet rregullësisë së vet, në të panjohurën që e karakterizon.

I shërben letërsisë, po aq sa autorëve, ama me kokëfortësi ka treguar se nuk është një çmim për “orekset” e lexuesve. Çdo tetor është një film i njohur, i parë e i riparë, por megjithatë përjetohet gjithmonë me të njëjtin emocion dhe mbajtje fryme. Karakterizohet nga pritshmëritë për tre a katër shkrimtarët që kanë më shumë shanse ta fitojnë, më pas, me shpalljen e fituesit në shumicën dërrmuese të rasteve kuptohet se kemi qenë shumë larg të vërtetës. Presim një “best seller”, por fiton një shkrimtar pak ose aspak i njohur, madje ndonjëherë krejt periferik në lëmin letrar. Debati pason dhënien e çmimit, por ndërkohë për autorin laureant nis një erë e re: librave të tij të botuar, të cilët më parë mund të kenë qenë të shpërfillur për shumë lexues, u vendosen pulla apo shirita me mbishkrimin “Fitues i çmimit Nobel”, pastaj ka hulumtime e intervista, përkthime në më shumë gjuhë të botës, udhëtime dhe turne, prej tyre kërkohet të japin mendime për çdo ngjarje në botë, ama më pas mund të vijë edhe rreziku nga bllokimi letrar i quajtur “letra e bardhë”. Në intervistat e përkthyera në shqip, Olga Tokarczuk thuajse falenderonte karantinën për anulimin e tureve të saj ndërsa Wole Soyinka, nobelisti i parë afrikan, tregonte se dëshira e vetme ishte të merrte çmimin dhe të ikte. Kaq, pa zhurmë, pa bujë. Por me Nobelin kjo nuk është e mundur.

Dhe kur mendon se dekada e parë e dhënies së Nobelit mbahet mend më shumë për nominimet e përvitshme të pasuksesshme të Tolstoit se sa për shkrimtarët që arritën ta fitonin, apo kur sheh se përgjatë viteve nuk kanë arritur ta fitojnë emra si Marcel Proust, Jorge-Luis Borges, James Joyce, Virginia Woolf, Amos Oz, Alberto Moravia, Philip Roth, George Orwell, Robert Frost që është nominuar 31 herë  apo aktualisht Milan Kundera (vetëm në mos e fitoftë këtë 8 tetor!), kupton se juria suedeze nuk është në një mendje me vlerësimin e lexuesve. Madje, duket se qëllimisht e kërkon diçka të tillë: Në vitin 1997, vit në të cilin u nderua Dario Fo, kandidatë potencialë ishin Salman Rushdie dhe Arthur Miller, për të cilët komiteti tha së janë “shumë popullorë” dhe një çmim ndaj njërit prej tyre do të ishte “shumë i parashikueshëm”.

Prandaj Nobeli nuk është një çmim për të kënaqur pritshmëritë e lexuesit. Ai ka rregullësinë e vet jo domosdoshmërisht të kuptueshme, lexuesit kanë vlerësimet e tyre. Ka momente që takohen, si në rastin e Camus, Hamingway, Pasternak, Marquez, Neruda, Saramago e Pamuk, por edhe ku ndahen në drejtëza paralele me Bjorson, Eucken, Gjellerup, Sillanpaa, Jelinek apo Dylan. Paparashikueshmërinë Nobeli e kërkon, madje e ka pjesë të gjenotipit të vet, mesa duket, për të vendosur një balancë mes dëshirave të lexuesve dhe kritikës. Është i paracaktuar që rrallë herë të na kënaqë, e pavarësisht se pas disa vitesh kontroverse e logjikshme është t’i rikthehet emrave të gjithëpranuar në letërsi, për Nobelin ky nuk është aspak një detyrim.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *