Borges
Ne ëndërronim një revolucion të bukur

Ne ëndërronim një revolucion të bukur

Nga Svetlana Alexievich/ Jemi njerëz lufte dhe me kulturën e luftës jemi rritur. Me kulturën e forcës. Mbaj mend diskutimet kur nisi gjithçka: ai i joni duhet të ishte një revolucion pa gjak sepse për ne jeta ishte e çmuar. Çdo jetë. Asnjë nuk donte të vriste. Ishte entuziazmi i një ëndrre, i një ëndrre, me shumë mundësi, naive.

Dhe më kujtohet dëshpërimi në fytyrën e Marija Kolesnikovas (një ndër drejtueset e revolucionit, tashmë në qeli) kur dyqind mijë njerëz që kishin dalë në rrugë arritën përballë pallatit të Lukashenkos, gati për hedhjen e gurëve mbi automjetet e blinduara, tankeve dhe çisternave me hidrantë zjarri. “Pa gjakderdhje! Askush! Ju lutem!”. Nuk donim që të derdhej gjak, kërkonim që ngrehina e pushtetit të fliste me ne. Që të na dëgjonte. Dyqind mijë njerëz mund t’i hiqnin qafe në një çast automjetet e blinduara, kaskat prej lëkure dhe çdo gjë që do të gjenim rrugës. Por nuk do të ishte ky revolucioni ynë. “Nuk duhet të qëllojmë, duhet të flasim”: ishte ky epigrafi ynë. Kështu e ëndërronim revolucionin tonë: të bukur.

Shoh sot fytyrat e të rinjve, që janë të shumtë në Marshimin për Liri. Dhe rikujtoj vitet ’90, kur ata që dilnin në shesh ishim ne dhe bërtisnim: “Liri! Liri!”, por pa e ditur se çfarë ishte. Ne kishim një imagjinatë letrare, romantike dhe për këtë shkak nuk arritëm të ndërtonim botën tonë të lirë. Mendonim se liria ishte fshehur pas një cepi rruge, por zbuluam se rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Rrugë që nuk e njihnim. Pas cepit gjetëm vetëm kolapsin ekonomik dhe një barbarizëm njerëzor që ishte menjëherë gati për ta nxjerrë kokën jashtë. Të rinjtë që dalin në rrugët e Minskut sot dinë shumë më tepër se ne. Ata e kanë parë botën, kanë parë njerëz të tjerë dhe kanë parë se si jetojnë ata njerëz. Çdo ditë janë përpara kompjuterit.

Më bëri përshtypje një pankartë në dorën e një manifestanti rus në vitin 2011. Thoshte: “Kremlin, ti nuk na njeh!”. As pallati i pushtetit bjellorus nuk njeh ata që çdo ditë i bashkohen opozitës.

Organizatat për të drejtat e njeriut konfirmojnë se më 19 shtator, 300 njerëz, disa prej të cilëve që merrnin pjesë në Marshin e grave, u morën me forcë dhe u dërguan në burgje të ndryshme. Por ai operacion ka lënë shenjë për një gjë tjetër, ose më saktë për dy fotografi: një në të cilën një agjent merr zvarrë në asfalt një vajzë dhe në tjetrën ku e njëjta vajzë qëndron në këmbë, ecën e kapur nga dora me policin dhe e çon drejt furgonit. Gazetarët e kanë identifikuar. Quhet Vera Choruzaja dhe është një tekstshkruese. Ajo ka treguar se e kishte pyetur policin se përse po e merrte zvarrë dhe nëse mund ta vazhdonin rrugën në këmbë. Nuk e dimë se çfarë ndodhi nën kaskën që mbulon fytyrat e gjithë policëve, por ai pranoi. Në këtë mënyrë, Vera shkoi te furgoni me kokën lart. Ka treguar gjithashtu se në komentet nën foto në rrjete sociale, dikush kishte shkruar se ai njeri ishte burri i saj. Ndoshta se të kapur për dore dukeshin një çift goxha i bukur. “Nuk jam e martuar dhe as do të martohem ndonjëherë me një agjent të forcave speciale”, tha Vera.

Që nga ai moment, shumë vajza kanë zgjedhur të shkojnë në ferr (kështu thonë ato vetë) nga duart e xhelatëve. Edhe për këtë arsye e dua gjithmonë e më shumë këtë popull, popullin tim, që edhe unë zbulova se nuk e njihja deri në fund. Tani të gjithë duhemi më shumë. Kohë më parë, në Muzeun e Gulakëve në Perm, u ndala të shoh fotot e torturuesve. Më tronditi fakti se të gjithë kishin fytyra të bukura, të plota. Tani në metro dhe në autobus i shoh shpesh të rinjtë dhe mendoj: cili prej tyre po shkon të protestojë dhe cili po shkon të kryejë torturat në burgje?

… kur më ndaluan kisha në duar flamurin tonë bardhekuq. Më detyruan ta ha. Ma zhytën në fyt.

… ku nis burgu? Me disa njerëz në gjunjë që bërtasin duke u ankuar dhe të tjerët që i godasin dhe i rrahin. Entuziastë. Të lumtur.

… i kthyen një djalë nënës: me rroba të përgjakura, me hundë të thyer, me sy të skuqur nga gjaku. Dhe një paralajmërim: “Nëse na raportoni, dijeni se do të ktheheni këtu”. Të gjithë duhej të nënshkruanin një letër në të cilën u zotuan të heshtnin.

Kemi jetuar gjithmonë të ndarë mes viktimave dhe xhelatëve. Është historia jonë: lufta dhe Gulaku. Por nëse të gjithë e dinin se kush ishin viktimat, xhelatët dukej se treteshin çdo ditë. Ishin njerëz normalë. Dhe ishte e tmerrshme kur mendoje se nuk arrije dot të kuptoje se cili ishte personi që sapo u ul përballë teje në metro.

Ëndërruam që revolucioni ynë ishte i bukur, e mbaj mend mirë këtë. Gjatë javëve të para vajzat visheshin gjithmonë me të bardha dhe u jepnin lule policëve të mbuluar nga maskat. Duket se dikush, një herë, ka parë lotë nën kapuç…  

*Svetlana Alexievich është shkrimtare bjelloruse, fituese e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2015. Është e fundit prej shtatë anëtarëve të komitetit drejtues të opozitës bjelloruse që është ende e lirë: të tjerët ose janë arratisur ose janë në burg. Kohët e fundit kishte denoncuar dhunimin e shtëpisë së saj në Minsk. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Botuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *