Shtëpi shkrimtari
Pse i pëlqejmë kaq shumë vendbanimet e shkrimtarëve?
Nga Erjon Uka/ Në dy vitet e fundit të jetës, me xhepat gjithmonë e më bosh, Oscar Wilde jetoi në tre hotele për të ndërruar jetë tek i fundit prej tyre, më i liri “Hotel D’Alsace” në rue des Beaux-Arts, prej një infeksioni në vesh dhe ndërlikimeve të tjera të organizëm të shkaktuara nga sifilizi. Sot, 120 vite më vonë, ky hotel vazhdon të ekzistojë në Paris, ku dhoma prej 35 metrash katrorë mban emrin “Oscar Wilde” dhe nuk është më aq e lirë, por kushton mesatarisht 800 euro për një natë. Inicialet e tij qëndrojnë të qëndisura që në hyrje, ndërsa një fotografi pak e dëmtuar është vendosur në një kornizë të vogël. Vështirë se ajo dhomë, pavarësisht çmimit, të qëndrojë për shumë ditë bosh gjatë vitit.
Më vonë, gjatë shekullit të njëzetë, ky hotel priti një tjetër emër të njohur të letërsisë, Jorge Luis Borges, dhe kjo jo rastësisht. Borgesi, i cili konsiderohet jo vetëm si më i madhi i letërsisë hispanike, por edhe një përkthyes i përkryer, ia kishte mundësuar lexuesve argjentinas librin “Princi i lumtur” në spanjisht kur ishte vetëm 9 vjeç. Dëshira e Borgesit, pasi vizitoi këtë hotel, ishte të vdiste aty ku ndërroi jetë shkrimtari i preferuar i fëmijërisë së tij.
Kështu me radhë, historia e shtëpive të shkrimtarëve është e njohur në gjithë botën. Ajo e Mark Twain, vend në të cilin shkroi shumë prej veprave të tij ndër të cilat “Aventurat e Hakëlberi Finit” mirëpret çdo vit mijëra vizitorë ku organizohen evente me tematika të ndryshme nga romanet e tij. Për një numër të madh të turistëve të Havanës është e pamundur të largohen pa hyrë në shtëpinë e Ernest Hemingway. Todtnaubergu, fshat në Pyllin e Zi në Gjermani është i njohur vetëm për një fakt: Martin Heiddeger, ndër më të mëdhenjtë e filozofisë gjermane të shekullit XX por edhe i njollosur nga mbështetja për nazizmin, jetoi në “kasollen” e tij ku shkroi pjesën më të madhe të veprës monumentale “Qenia dhe koha”, si edhe pati një shëtitje-takim deri tani të pazbardhur me poetin Paul Celan.
Pse i pëlqejmë kaq shumë vendbanimet e shkrimtarëve? Sepse procesi i krijimit është magjepsës. Duam t’i japim një forme fizike imagjinatës sonë të krijuar pas një titulli apo ndonjë personazhi. Të kuptojmë se çfarë e bën të lindë një fabul dhe të përfytyrojmë shkrimtarin përpara se ai të shkruante librin: si e shkroi, ku rrinte, çfarë shihte, shkruante me penë apo me makinë shkrimi?
Jo rrallë herë, vjen edhe zhgënjimi. Ama i një lloji të veçantë. Sepse shohim që muret janë normale, një tavolinë, një karrige ndoshta jo edhe aq e rehatshme, shtrati është si gjithë të tjerët, dritaret po ashtu. Dhomat na duken si te shtëpia e vjetër e gjyshes, dollapët si të hallës në fshat. Raftet e librave? Më shumë mund të na tërheqë vëmendjen ndonjë titull i veçantë që mund të ndodhet aty. Por megjithatë aureola nuk zhduket. Pra ky shkrimtar paska jetuar si të gjithë ne?! Kuptojmë se e veçanta më e madhe ka qëndruar në shpirtin dhe imagjinatën e tij, ndërsa shtëpia ishte një zgavër qetësie që sot qëndron si vend homazhi.
Prandaj restaurimi i shtëpisë së Gjergj Fishtës, pas vitesh të tëra degradimi dhe harrese, është lajmi më i mirë kulturor i javës së kaluar. Shtëpi prej pesë dhomash, ku poeti ka jetuar në fëmijërinë e tij, megjithëse tani për tani, duke shpresuar për pak kohë, mungojnë orendi sipas strukturës origjinale, dokumente, botime apo fotografi që mund të tregojnë më shumë për të.
Figurës shumëdimensionale të Fishtës si shkrimtar, poet e dramaturg mes lirikës, epikës dhe satirikës, si frat dhe si mësues, kryetar i komisionit të alfabetit në Manastir apo diplomat, anëtar i Akademisë së Italisë pas pushtimit fashist dhe përkthyes, i shtohen momente të tjera interesante për t’u studiuar e mësuar që nga letërkëmbimi me Benito Mussolinin, nderimet në Perandorinë Austro-Hungareze e në Greqi, takimin me Papa Piun XII në Vatikan apo zhvarrosja e eshtrave dhe persekutimi pas-vdekjes i bërë nga komunistët.
Ne vuajmë nga një mosnjohje e plotë e figurave tona kombëtare dhe kulturore, e për pasojë mungon edhe frymëzimi prej tyre. Shtëpitë, si ajo e Ismail Kadaresë dhe tani e Gjergj Fishtës, e së shpejti edhe e Dritëro Agollit, si vende gjysmë-mitike e turistike, janë të rëndësishme për ta përhapur, për ta çuar kulturën më afër me njerëzit, për ta bërë popullore, për t’i bërë shkrimtarët të prekshëm: librat, studimet, antologjitë e monografitë, shpesh herë janë fort të komplikuara.