Montanelli
Lajmi i rremë që ndryshoi Amerikën Latine, Mario Vargas Llosa: Më të mirët i qëndrojnë larg politikës

Lajmi i rremë që ndryshoi Amerikën Latine, Mario Vargas Llosa: Më të mirët i qëndrojnë larg politikës

Në jetën e tij si shkrimtar, nobelisti Mario Vargas Llosa ka shkruar shumë histori të nxitura si nga ngjarjet historike të kohës, ashtu dhe nga admiruesit e tij. Por një mbrëmje, disa vite më parë, gjatë një darke me disa miq në Santo Domingo iu tregua një histori që i hyri në kokë: historia se si një trillim i çmendur u kthye në pjesë të historisë falë mjeteve moderne të propagandës.

Bëhet fjalë për grushtin e shtetit në vitin 1954 në Guatemala i organizuar nga CIA dhe kompania United Fruit – që më pas u kthye në Chiquita – për të shkatërruar Jacobo Árbenz i cili ishte gati për të ndërmarrë një reformë agrare socialdemokrate.

Përgjegjësi i Marrëdhënieve me Publikun në kompaninë shumëkombëshe të bananeve, Edward Bernays, nip i Frojdit dhe magjistar i marketingut, shpiku lajme të rreme sipas së cilave Guatemala ishte një satelit i Bashkimit Sovjetik në Amerikën Qendrore. Një fabul e parezistueshme për një shkrimtar që dashuron sfidat mes trillit dhe realitetit, e kthyer në libër. “Bëhet fjalë për lajmet e rreme, edhe pse në atë kohë nuk përdorej ky togfjalësh, që kanë pasur shumë sukses dhe peshë në ngjarjet e Amerikës Qendrore dhe Jugore. Një katastrofë, që shkaktoi mungesën e besimit në opsionin demokratik dhe reformat sociale duke sjellë përkushtimin në idenë e revolucionit komunist”, thotë ai.

Nëse nuk do të ndodhte ai grusht shteti, si do të shkonin gjërat?
Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kishin shkatërruar projektin demokratik të Árbenz me reforma të drejta sociale por që nuk i shkonin për shtat “United Fruit”, Kuba nuk do të merrte atë qasje ekstremiste që mori dhe sigurisht që nuk do të kishte aq shumë luftë guerrile në Amerikën Latine. Mos të harrojmë se në Guatemala ndodhej Che Guevarra dhe kishte shumë influencë te Fidel Kastro kur tha se mënyra e vetme për të bërë revolucion ishte shkatërrimi i ushtrisë dhe rreshtimi krah Bashkimit Sovjetik.

Edhe gazetat liberale ranë në këtë gënjeshtër. Si ishte e mundur?
Ishte koha e Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara shihnin ish-aleatin e tyre duke ozurpuar gjithmonë më shumë Europën, kishin paranojën e prezencës komuniste. Besonin atë që nuk kishte shans të ndodhte: Guatemala nuk kishte fare marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, nuk jetonte asnjë rus në vend dhe Árbenz i adhuronte Shtetet e Bashkuara.

A ekzistojnë paranoja të ngjashme sot?
Trump ka paranojë nga Kina, e cila nuk është komuniste pasi aty ekziston kapitalizmi shtetëror. Jo treg i lirë, por një diktaturë populiste dhe populizmi është një problem universal, i të djathtës dhe i të majtës, që ka zënë vendin e komunizmit. Por paranoja e Trump ka një bazë reale, sepse Kina, ashtu si Rusia, ka zhvilluar teknologjinë për të ndikuar dhe për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, duke mbështetur apo duke iu kundërvënë kandidatëve të caktuar. Është ky problemi parësor i demokracisë sot. Por Trump është paranojak, ka krijuar një turbullirë të tmerrshme: miqtë historikë të Amerikës sot janë armiq, ndërsa armiqtë e përhershëm shihen si miq. Cilin admiron më shumë ai? Putinin, ka thënë! Prandaj është e rëndësishme që të mundet në zgjedhje, edhe katër vite me të do të jenë sfilitëse. Biden mund të jetë politikan i një kohe tjetër, por mund t’i rikthejë Shteteve të Bashkuara rolin që kanë pasur gjithmonë.

Por humbja e Trump nuk do t’i zgjidhte të gjitha problemet.
Jo. Për të refuzuar lajmet e rreme nevojitet një teknologji që t’i luftojë ato. Problemi i përket të gjithëve, por sidomos vendeve të botës së tretë që janë të dobët përsa i përket lirisë. Por tragjedia e vërtetë është se qytetarët më të mirë nuk duan të merren me politikë, e konsiderojnë si një aktivitet të dorës së dytë, të korruptuar. Më të mirët shkojnë drejt kompanive, kështu që në hierarkinë politike ngrihen më të këqijtë, që nuk dinë ta përdorin siç duhet politikën për të sjellë ndryshimet e nevojshme. Me përjashtime të vogla, edhe në politikën e vendeve të zhvilluara kemi politikanë të botës së tretë.

Në libër, gjenerali Trujillo i sugjeron Garcias që ta afrojë më shumë dashnoren e Armas: “Dashnoret”, thotë, “kanë më shumë influencë se gratë”. Cila ka qenë gruaja me më shumë influencë në jetën tuaj?
Do të thoja mamaja ime. Më dha pasionin për letërsinë.

Mes romaneve që keni shkruar, cili është i preferuari i partneres suaj aktuale, Isabel Preysler?
Mendoj se “La tía Julia y el escribidor”,flet shpesh për atë libër.

Keni pasur një marrëdhënie të vështirë me babain tuaj. Fillimisht e dinit të vdekur, pastaj ai ju dërgoi në një kolegj ushtarak në Lima.
Kur isha fëmijë e mendoja në qiell, por ai ishte gjallë. Në fillim u gëzova, por më pas qava sepse ishte një përbindësh, një njeri i ashpër, i tmerrshëm. Kështu dhjetë vitet që jetova pa të, u bënë një Parajsë. Më ndikoi shumë, është fakti më i rëndësishëm i jetës sime. Sikur të mësoja leximin.

Gjyshërit ju thanë se ai kishte vdekur. U ndjetë i tradhtuar?
Po, por në fund nuk e tradhtova kurrë pasionin tim, letërsinë. Në Perunë diktatoriale, letërsia ishte diçka që të margjinalizonte, shumë hiqnin dorë duke tradhtuar talentin e tyre. Unë jo.

Në romanin tuaj, përdorni shumë nofka. Castillo Armas është Fytyrë Sëpata, CIA është Njerka. Një emërtim për Trump?
I çmenduri.

Po për Xi Jinping?
I heshturi. Kina i bllokoi të gjitha lajmet e para mbi Covid.

Çfarë nofke do t’i vendosnit Papës?
Nuk do të thoja i heshtur, Bergoglio flet shumë. Është Peronisti, një rast shumë interesant. Një Papë që ka bashkuar peronizmin me teologjinë. Nuk besoj se Peroni mund ta kishte imagjinuar përzierjen me Vatikanin dhe teologjinë.

Çfarë mendoni për ikjen e Mbretit Juan Carlos nga Spanja dhe gjithë skandalet e tjera me llogaritë offshore?
Unë e admiroj dhe kam mirënjohje për atë që Juan Carlos ka bërë për Spanjën. Pa të nuk do të kishim demokraci dhe shoqëri të hapur. Ai e tradhtoi Frankon në një kohë të rëndësishme për Spanjën, i cili kërkoi një monarki autoritare. Falë kësaj monarkie demokratike, Spanja nuk i është dorëzuar dhe nuk u nënshtrohet forcave centrifugale. Pastaj janë skandalet në lidhje me problemet sentimentale … një grua e mllefosur e akuzon, por unë them se duhet ditur e vërteta para se të gjykojmë.

Në Spanjë është botuar një libër me intervistat tuaja të pabotuara me Borges. Si i kujtoni ato takime?
Inervista e parë ishte e vërtetë, të tjerat jo sepse intervistoheshin personazhet që ai kishte krijuar për të gënjyer ose për të kënaqur gazetarët dhe kritikët me një cirk stereotipësh: lugët, tigrat, pasqyrat… Por herën e parë që e kam takuar, në Paris në vitin 1963, ndjeva se ishte i vërtetë, një njeri i gjallë. I kërkova një mendim për politikën dhe ai m’u përgjgij: “Është një ndër format e mërzisë”. Aty kuptova se ishte ai dhe ishte i vërtetë. Ndryshe nga unë, ai e përçmonte politikën dhe kjo shpejgon shumë prej gabimeve të tij politike.

Po ndonjë përgjigje e rreme, lozonjare?
Kur e pyeta se përse nuk i mbante librat e tij në bibliotekë, më tha: “E kush jam unë që të vendosem krah Shekspirit?”. Por në gjuhën spanjolle, ai është i vetmi që mund të krahasohet me klasikët. Shpiku një gjuhë tërësisht të tijën, të veçantë, por që nuk lejon dishepuj. I vret të gjithë, i konverton në borgesianë. Nuk ka pasardhës dhe as kopjacë të denjë.

Cili është kujtimi më i gjallë për mikun tuaj Gabriel García Márquez?
Në Barcelonë kujtoj habinë për suksesin e “Njëqind vjet vetmi”. Ishte i mrekulluar dhe nuk i besohej, si një fëmijë i gëzuar për një lodër të re që vazhdon e sheh dhe sa më shumë e sheh, aq më shumë nuk i beson.

Takimi juaj i parë?
Në një konferencë në Venezuelë. Projektuam në roman me katër duar mbi një luftë mes Kolumbisë dhe Perusë në xhungël. Unë do merresha me pjesën peruane, ai me atë kolumbiane, por e braktisëm këtë projekt. Nuk ishim mësuar me shkrime kolektive. Ishim tepër individualistë.

*Shkrimtar, gazetar dhe politikan peruan, Mario Vargas Llosa në vitin 2010 fitoi çmimin Nobel në Letërsi, ndërsa më herët ka fituar edhe çmimin Miguel Servantes, çmimi më i rëndësishëm letrar për letërsinë hispanike. I angazhuar politikisht, aktualisht jeton në Madrid. Kjo intervistë u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *