Blog
Mungesa e fjalës, bllokimi i mendimit

Mungesa e fjalës, bllokimi i mendimit

Nga Erjon Uka/ Në kushtet e pandemisë, përpos këshillave të mjekëve, artikujve, spoteve në mediat tradionale, dikush u kujdes që shpejt e shpejt të bënte një ndryshim të vogël për të dhënë idenë që vendosja e maskës është diçka e rehatshme dhe normale: emoji që përfaqësonte një fytyrë me maskë, u kthye nga një simbol i vrenjtur në një figurë të gëzueshme. Me siguri e keni përdorur, ose duhet ta përditësoni versionin më të fundit të Whatsapp.

Nga 139 emoji që ishin hedhur në qarkullim në vitin 2009, tashmë janë 3019 emoji, mes shprehjeve të fytyrës, gjendjeve shpirtërore, aksesorëve dhe ushqimeve, flamujve kombëtarë dhe sinjalistikave rrugore. Thuajse çdo gjë mund të gjendet në një emoji, teksa vëllimi i tyre, vit pas viti, mes Messanger, Whatsapp, Instagram, Twitter e çdo platforme tjetër mesazhesh, ka njohur vetëm rritje. Ka një ditë të sajën emoji, 17 korriku, si edhe së fundi libra janë duke u përshtatur në emoji. Pra, a mund të jetë një gjuhë? Pas më shumë se 5000 vitesh, a do të fillojmë të rikthehemi te piktogramat?

Një nga çështjet klasike të filozofisë është: A ndikon gjuha në mënyrën tonë të të menduarit? Sigurisht që po. Si? Kjo është pak më e komplikuar, por aspak më e vështirë. Ka një proces fizik dhe kimik së pari, që fillon nga prodhimi i tingujve në gojë, krijimi i vibrimeve në ajër, të cilat përhapen drejt timpanëve, duke kaluar në tru, i cili këto vibrime i shndërron në mendime. Fundja çdo gjë që bëjmë e flasim, copëzohet në versionin më bazik: në molekula, atome e elektrone.

Dhe procesi fizio-kimik që ndodh në këtë rast është aq i rëndësishëm, saqë edhe Napoleon Hill në një libër për suksin personal të cilin aktualisht po e lexoj, përpara se të japë këshillat apo eksperiencën e tij, e nis pikërisht duke sqaruar atë që e quan “kimi të mendjes”, një kapitull i gjatë mbi elektricitetin, elektronet, dridhjet dhe molekulat.

Një prej ndërhyrjeve më të rëndësishme në debatin publik të javëve të fundit ka qenë ajo e profesor Christophe Clavé, i cili duke komentuar rënien e nivelit të inteligjencës në vendet më të zhvilluara, ia atribuonte këtë fakt pjesërisht varfërimit të përgjithshëm të gjuhës që përdorim.

Zhdukja e studimit të trajtave nënrenditëve apo të pjesoreve, së bashku me një lloj urgjence të mendimit, ku çdo gjë duhet gjetur shpejt, duhet parë në një video tutorial prej pak minutash, thjeshtësia për të kërkuar edhe gjërat më të komplikuara me vetëm disa fjalë kyçe, ku një ndjenjë nuk shprehet me një fjali por me një emoji në chat, e kanë varfëruar gjuhën e përdorur e për pasojë edhe mendimit.

Gjuha është identitet e kulturë, por ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në mënyrën e të menduarit. Pa fjalën, është e vështirë të ndërtosh një mendim, të hapësh një shteg të ri arsyetimi, t’i japësh jetë një koncepti. Sa herë rastet e dhunës janë direkt pasoja të mungesës së aftësisë për të ndërtuar një mendim dhe për ta shprehur atë?

Nëse çdo gjë që na shqetëson ndodh tani, nëse jemi përqëndruar te çasti dhe jo të periudha, nëse nuk njihet kushtorja e dëshirorja, çdo gjë mbetet peng i së tashmesh. Pyetja që shtronte Clavé ishte e drejtë: si mund të ndërtohet një mendim deduktiv apo hipotetik më pas? Pra mendimi dhe fjala shkojnë gjithmonë bashkë: një fjalor i pasur, i hap rrugë mendimeve të reja, të shumta, kreative dhe deduktive. Një fjalor i pakët e i papërpunuar… krejt e kundërta.

Sot në botë fliten mbi 7000 gjuhë, të ndryshme nga njëra-tjetra dhe ku shumë studime kanë treguar se ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrën se si njerëzit që flasin këto gjuhë mendojnë. Por thuajse çdo javë zhduket një gjuhë dhe sipas disa vlerësimeve, deri në hyrje të shekullit tjetër, do të jenë zhdukur thuajse gjysma e gjuhëve që njohim sot. Teknologjia nuk ka si të mos ketë një goxha pjesë në këtë. Emoji e ka marrë vëmendjen që i takon.

Por fjala na duhet, na duhen kohët, gjinitë, nuancat e ngjyrave, numrat, konceptet, ndjenjat, duhet të mendojmë në të ardhmen, të kthehemi pas tek e shkuara përmes foljeve dhe kohëve, e vetëm kështu fjala do të kthehet në mendim, mendimi në veprim, veprimet në liri. Fjala ishte e para. Fjala duhet të mbetet e para.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *