Blog
Normaliteti i deformuar në televizion

Normaliteti i deformuar në televizion

Nga Erjon Uka/ Degjenerimet e debateve televizive kanë një veti çuditëse për t’u shpërhapur shpejt në mediat sociale, të cilat më pas mbajnë gjallë diskutimet dhe batutat mes njerëzve edhe për shumë orë pasi dritat e emisioneve fiken dhe ndoshta të ftuarit i kanë dhënë dorën njeri-tjetrit. E jo pa arsye këto emisione, shpesh herë qëllimisht me ndihmën e të ftuarve, nxisin kacafytje të tilla, të cilat vështirë të mos përfundojnë në degjenerim.

Për ata që nuk mundën ta ndiqnin, pasi po shihnin një film në Netflix apo akoma më mirë kishin zgjedhur të lexonin një libër në pamundësinë e pirjes së një gote në lokal për shkak të orës policore, i fundit ishte një debat-degjenerim mes Frrok Çupit dhe Grida Dumës në studion e Eni Vasilit.

Për të dhënë një ide edhe më të qartë, u fol për “vajza të bukura”, “derra”, “llum”, “idiotë”, “grua në shtëpi”, “vampirë” e plot të tjera. Sigurisht që nuk është hera e parë dhe nuk do të ishte bast aspak i rrezikshëm të thoja se nuk është as rasti i fundit, madje as i afrohet fundit, sepse me siguri brenda kësaj jave në atë apo në ndonjë studio gjetkë do të “plasë” i njëjti “sherr i madh”. Gjuhë rrjetesh sociale kjo, por më poshtë do të shkruhen dy rreshta më shumë.

Debati i djeshëm është pjesë e problemit. Por problemi është më i madh se debati i djeshëm. Publikut vazhdimisht po i ofrohen skena të tilla, ku përfitohet nga tema madhore, për t’i banalizuar në debate krejt të pavlera personale.

Pjesa e parë e problemit është inflacioni i emisioneve talk-show. Sigurisht nuk i referohem ndonjë statistike se sa emisione quhen shumë apo sa quhen pak, pasi ndonjëherë i besoj edhe asaj shprehjes që priremi t’i përdorim statistikat siç pijaneci përdor shtyllat e dritave në rrugë: jo për t’u ndriçuar, por për t’u mbajtur. Emisionet sot teksa e mbajnë rrethin e të ftuarve kryesorë brenda një rrezeje të caktuar, kujdesen që të përfshijnë sa më shumë tematika e emra, duke i dhënë të drejtën vetes, dashur pa dashur, të sulmojnë këdo.

Pjesa e dytë e problemit, është ajo që Pierre Bourdieu e quante ngutshmëria e mendimit, ose “fast-thinking”. Një frekuencë kaq e lartë e prodhimit të emisioneve mbi aktualitetin politik (nga dy deri në katër të tilla brenda javës në televizonet më të mëdha) dhe ruajtja me fanatizëm e qarkut të opinionbërësve të mbyllur, sjell mendime të shpejta, mendime të pastudiuara, mendime, të cilat Bourdieu, i quante thjesht të krijuara me dëgjim. Mendime me vesh. Sepse parimisht duhen përgatitur opinionet dhe tezat, por faktikisht, kjo duhet bërë nga sot nesër. Mendimi dhe ngutshmëria nuk janë përputhur kurrë, e as nuk pretendohet të përputhen në kohën e mass-medias.

Pjesa e tretë e problemit që i përket në mënyrë thelbësore këtij momenti, është se televizionet kërkojnë ndihmën e rrjeteve sociale për të amplifikuar ndikimin e tyre. A e keni vënë re, se nëse për një emision prodhohen lajme, me qëllim final shpërndarjen në rrjetet sociale, ato në 90 përqind kanë tituj të tipit: “Plas në studio…”; “Filani shpërthen përballë…”; “Humb durimin Fistekja, ofendon…”; “Ia plas në sy Filani Fistekut…”. Janë formula, janë manualë të gazetarisë së keqe, parime të mos-gazetarisë, por me aftësinë që brenda disa orësh të prodhojnë mijëra shikime në Youtube dhe mijëra klikime në portale.

Pjesa e katërt e këtij problemi lidhet me humbjen e qëllimit. Televizioni mbetet media tradicionale në formimin e opinionit publik dhe me kostot më të larta prodhuese, por ndërkohë audienca po shkon gjithmonë e më në pikiatë. Edicionet e lajmeve nuk kanë të njëjtin impak si dikur. Atëherë çfarë ndodh? Ajo që po shohim. Emisionet e mbrëmjes, nga përpunuese të debatit publik, kthehen në transmetuesen e lajmeve të bujshme, ato që mbushin mediat online dhe faqet e Facebook-ut. Nëse i thërrasim kujtesës vetëm pak minuta, do të kuptojmë se shumë prej lajmeve (sa për të përmendur disa të kohëve të fundit: kanabizimi, arrestimet, gjyqet ndërkombëtare, masat e qeverisë në situatën pandemike etj.,) jepen në këto emisione. Jo më kot, mjaft gazetarë kronike janë bërë pjesë e këtyre paneleve dhe në shumë raste marrin rolin kryesor. Edicioni kryesor i lajmeve ka kaluar nga ora 19:30 në orën 21:00, me pak zhurmues, me jo pak degjenerim, me shumë pak profesionalizëm.

Dhe cilido mund të shtojë pjesë të tjera të problemit, të interesave të ngushta apo të shkaqeve nga më absurdet. Me to, nuk dua të merrem. Penelata duket e qartë: një talk-show nuk do të prodhojë mendim, do të kërkojë spektaklin, do të përpiqet të arrijë maksimumin e audiencës me minimumin e kostoeve, do të punojë për shumëfishimin e impaktit të lajmit në mediat sociale.

Nëse nuk ka një pakt etik për përmbajtjen që duhet të ketë në televizion, nëse autoritetet shtetërore rregullative nuk e shohin ende gjuhën banale si problem, nëse mendimi do të zëvendësohet nga spektakli, do të preferoj gjithmonë që në orën 21:00 të lexoj një libër, të shkarkoj një film, të vazhdoj të mësoj akordet e kitarës apo të shkruaj, siç po bëj, një artikull për të treguar modestisht indinjatën time aspak moraliste.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *