Blog
Jetë me pikatore

Jetë me pikatore

Nga Erjon Uka/ Në fillim të pandemisë, dy ishim rrymat kryesore të mendimit: e para, shtjelluar shkurt por me shumë finesë nga Jacques Attali besonte se kjo ngjarje, prej së cilës perëndimi kishte pasur të paktën një imunitet gati një shekullor, do të na bënte njerëz më të mirë. Në hapësirën mes shekujve, thoshte Attali, kemi kaluar nga autoriteti i bazuar në besim, tek ai i përdorimit të forcës dhe në fund tek autoriteti më efektiv i bazuar në respektimin e sundimit të ligjit. Kur gjithë kjo situatë të përfundojë, me siguri do të kemi autoritetin e altruizmit, duke e bërë botën një vend më të mirë, mendonte dhe shkruante Attali.

Më pak romantik ishte Javier Marias dhe të ngjashmit e tij, që me një gjuhë të thatë ishte i bindur se askush nuk bëhet njeri më i mirë prej dhimbjes dhe frikës. As prej trishtimit, shqetësimit, vuajtjes. Gjithmonë ka njerëz që do të përfitojnë nga situatat e panikut e të gjullurdive, pra në fund të kësaj situate, në planin njerëzor, do të jemi po njësoj.

Dhe fillimi i vaksinimit në shumë shtete, përfshirë Shqipërinë me më pak se 1000 doza, ishte ditë shprese sidomos në vendet e traumatizuara të Europës, kush më shumë prej jetëhumbjeve e kush prej rëndesave psikologjike. Aq e madhe ishte shpresa, sa u quajt një “V-Day”, ku fitorja dhe vaksina, qoftë në planin simbolik, nuk kishin qenë ndonjëherë kaq afër në historinë tonë moderne.

Por ofendimet nuk munguan, e ku tjetër përveçse në rrjetet virtuale, aty ku gjuha e urrejtjes arrin eliksirin e saj. Pas vaksinimit, dy të moshuarit italianë, 102 vjeçari Gary Spampanato dhe 103 vjeçari Basilio Pompei, morën si dhuratë mijëra komente inati dhe fyerjesh, të cilët i akuzonin se po u merrnin jetën më të rinjve. “Vaksina të çuara dëm”, bërtisnin virtualisht në komente shumë italianë. E kur kjo ndodh në vendin që u godit më shumë nga koronavirusi në Europë, në shtetin me mbi 80,000 viktima prej virusit, aty ku pikërisht mosha mesatare e të vdekurve është 80 vjeç, nuk ke si të mos pyesësh: Po ç’lloj qeniesh jemi?

Ne, pikërisht që pa e pasur mendjen të shpërqëndruar në hedonizmin ekstrem të së përditshmes u vumë me shpatulla pas muri nga një krijesë e padukshme për mposhtjen e së cilës ka një vit që bëhen përpjekje por edhe propagandë lufte, paskemi të drejtën të vendosim se cili duhet të jetojë dhe cili jo? Ende pa arritur të rifitojmë të paktën normalitetin e shtrëngimit të duarve dhe të përqafimeve lulëzoka guximi për të vendosur mbi jetën e tjetrit?

Prej tendencave më të qarta të koronavirusit është ajo e diskriminimit moshor: jeta e një të moshuari nuk vleka njësoj sa jeta e një të riu! Por nëse jemi ne më të zellshëm se virusi për ta bërë realitet këtë përzgjedhje, me siguri që pasojat më të forta nuk do t’i shkaktojë krijesa e padukshme prej së cilës po vaksinohemi, por vetëm ne, qeniet njerëzore ndaj njëri-tjetrit.

Ndoshta kjo pandemi, në vend se të na ketë bërë të kuptojmë se jeta nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht e vetëm një shumatore vitesh, por një eksperiencë unike në çdo pikë të saj pasi trupi është një pronë vetjake dhe askush nuk mund të ketë të drejtën të vendosë mbi të, mund të jetë duke shënuar apogjeun e konfliktit mes brezave. Një konflikt jo i panjohur, madje gjithmonë shumë prezent, por që tashmë ka marrë përmasat e ekzistencës, e lojës “me shumë zero” ku jeta e dikujt shihet si vdekja e dikujt tjetër. E nëse do ta pranonim këtë gjë, do të pranonim dështimin më të madh ndonjëherë në planin e humanizmit, në besimin te njeriu dhe vlerat e njerëzores.

Basilio Pompei, 103 vjeçari i vaksinuar, mund të ketë dhënë përgjigjen më të bukura kur tha se: “I mbijetova kampeve dhe u ktheva nga Polonia në këmbë. Sekreti im ishte kurajoja, të cilën i ri e kisha prej luani. Por ende kam shumë kurajo, thuajani edhe këtyre inatçinjve. Le të shkruajnë ç’të duan në internet, as mos e mendoni se kam frikë.”

Kështu është. Mosha nuk është çështje numrash. Ka 30 vjeçarë të plakur nga përpëlitja në kusinë e urrejtjes dhe 100 vjeçarë me guximin e luanit për të vazhduar jetën.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *