Blog
Një jetë në Finlandë apo një karrierë në Goldman Sachs?

Një jetë në Finlandë apo një karrierë në Goldman Sachs?

Erjon Uka/ Luhatjet ekonomike gjithmonë janë lajm kryesor, sidomos në leximet e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përbën metrikën kryesore për të kuptuar nëse ekonomia po shkon apo jo sipas drejtimit të duhur. Dhe një rritje në PBB, nënkupton një rritje të mirëqenies për të gjithë. Nëse jemi më mirë ekonomikisht, bëjmë një jetë më të mirë, apo jo?

Epo përgjigja është jo. Si çdo mars, edhe këtë vit u publikua Raporti i Lumturisë Botërore, një hulumtim historik i gjendjes së lumturisë botërore. Në vitin e pandemisë, Finlanda mbetet vendi më i lumtur.  Shqipëria është e 93-ta, Kosova renditet e e 33-a. Raporti është thelluar specifikisht edhe në pasojat e koronavirusit, duke arritur në përfundimin se deri më tani nuk ka pasur një rënie domethënëse të mirëqenies në rang botëror. Ndoshta sepse të gjithë e pamë si një rrezik të jashtëm, e pamë veten në të njëjtën anë, sigurisht në panik e të trembur, kundër një të panjohuri të rrezikshëm. Përveç disa përpjekjeve sporadike, si fajësimet e Kinës a të ndonjë qeverie, nuk pati luftë brenda lloji. Besimi i njerëzve te komuniteti ka qenë vendimtar në këto klasifikime, e për këtë shkak edhe shtete që u goditë fort nga pandemia me qindra mijëra raste të infektuarish dhe shumë humbje jetësh, nuk patën një rënie të ndjeshme në indeks.

Sipas fjalëve të Jeffrey Sachs, president i Rrjetit të Zgjidhjeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm në OKB, pandemia na rikujtoi edhe një herë të gjitha kërcënimet mjedisore që na rrethojnë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit për një mirëqenie të përgjithshme, por mbi të gjitha na dha mesazhin përfundimtar se duhet të punojmë fort për mirëqenien dhe jo vetëm pasurimin.

lumturia nuk varet nga pagesa mujore, tashmë është një fakt i konfirmuar jo vetëm nga shumë studime, por mbi të gjitha nga përditshmëria e secilit prej nesh. Në studimin më të gjatë ndonjëherë, atë vëzhgim 75 vjeçar me 724 individë të kryer nga Harvadi e që po vazhdon ende të prodhojë rezultate, përfundimet kanë qenë se të lumtur e të shëndetshëm na bëjnë marrëdhëniet e vërteta: lidhjet shoqërore na bëjnë mirë, vetmia na vret.

Pra, pasuria dhe lumturia nuk shkojnë së bashku. Aq më tepër Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe cilësia e jetës, si një metrikë që na tregon shëndetin dhe rehatinë e një personi, pa harruar aftësinë e tij për t’u bërë pjesë e jetës aktive. Po atëherë pse priremi të vlerësojmë me vëmendje dhe me sy kritik PBB-në dhe jo këto indekse të lumturisë, që në më të shumtën e rastëve trajtohen si artikuj limonatë për të mësuar ndonjë kuriozitet më tepër?

Prodhimi i Brendshëm Bruto, si matës i zhvillimit ekonomik nuk ka ekzistuar gjithmonë, por gjithsesi është më i vjetër dhe ka reputacionin e “veteranit të luftës”. Ai u shpik në fillim të shekullit të kaluar, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha ekonomike si Depresioni i Madh apo shkatërrimet e lëna nga dy luftërat. Madje përpara kësaj kohe as ekonomistët nuk ishin kaq në modë sa u bënë më vonë e vazhdojnë të jenë sot. Ata nisën të visheshin me dhuntinë e personave që kanë monopolin e parashikimit të së ardhmes duke lexuar të tashmen. Por vetë Simon Kuznets, ekonomisti të cilit i atribuohet shpikja e konceptit të PBB-së, gati gjysmë shekulli më parë, duke shfrytëzuar më së miri pikërisht dhuntinë e falur nga njerëzit, profetizonte se duhet treguar kujdes me “krijesën e tij” pasi pasuria e një kombi nuk mund të matet nga prodhimi kombëtar, duke mbajtur parasysh dallimin themelor mes sasisë dhe cilësisë së rritjes.

Prodhimi i Brendshëm Bruto mund të jetë pasqyrimi ideal i asaj batute të famshme të Charles de Gaulle, kur thoshte “Nëse unë ha dy pula dhe ti asnjë pulë, statistikisht të dy kemi ngrënë nga një pulë”. Pikërisht pas shestimit të konflikteve në pjesën më të madhe të botës dhe kulmimit të problemit të pabarazisë, ku kemi një grusht njerëzish që kanë të njëjtën pasuri sa gjysma më e varfër e banorëve të Tokës, PBB-ja shihet si një koncept i papërshtatshëm për matjen e mirëqenies dhe i vjetëruar për kuptimin e shëndetit të ekonomisë.

Aty nuk përfshihet, sigurisht, vlera e punës së papaguar në shtëpi, por as vullnetarizmi, kostot e shkatërrimit të mjedisit apo koha e lirë. Siç shkruhej në “Guardian”, PBB-ja nuk arrin të krijojë një ndërlidhje të ekonomisë me rezultatet shoqërore dhe mjedisore që përcaktojnë mirëqenien e secilit prej nesh dhe qëndrueshmërinë e planetit.

Problemi i bankierëve të rinj të Goldman Sachs pikërisht në këto ditë është sepse punojnë çmendurisht 96 orë në javë, duke u tepruar vetëm 72 orë mes gjumit, kohës së humbur në transport dhe kohës së lirë. A i japin kënaqësi këto orë pune, një jetë të lumtur, edhe pas pagës mijëra dollarë dhe reputacionit të kompanisë? Sigurisht që jo, prandaj me dëshpërim kërkojnë të paktën vendosjen e limitit në 80 orë. Prandaj Shtetet e Bashkuara, që renditen të parat në klasifikimin e PBB-së, janë pozicionin e 19-të në Raportin e Lumturisë.

Statistikat kanë vetinë të drejtojnë jetët tona, me raste në mënyrë abuzive e herë me të drejtë. Nëse do të duam të mos e masim suksesin vetëm në vlerën e verdhushkave në xhep, PBB-ja duhet parë me dyshim. Nuk duhet marrë gjithmonë seriozisht e me aq pompozitet, ama duhet vlerësuar në lupën e indekseve të tjera si Koeficienti Gini, balanca punë-jetë, pikërisht indeksi i lumturisë botërore apo indekset e shëndetit dhe të emocioneve. Sa herë që dikush të na premtojë zhvillimin me rritjen e përqindjes së PBB-së, me siguri ideja e tij e progresit është shumë larg mirëqenies.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *