Blog
Shterpësia e debateve televizive si ajo e politikës me libra

Shterpësia e debateve televizive si ajo e politikës me libra

Nga Erjon Uka/ A mund të mblidhen pesë njerëz e të flasin për diçka që nuk ia kanë idenë? Sfiduese, por edhe ndodh. Është pa dëme të konsiderueshme anësore kur ndodh tavolinave mes miqsh, apo grupeve të njerëzve që zënë trotuarët e ia shtrojnë teorive të komplotit me sigurinë e informacionit të udhëheqësve globalë. Ama ndodh edhe në televizion, në atë që quhet hapësirë e diskutimit publik, madje në emisionet e mbrëmjes.  

Libri i Lulzim Bashës shkaktoi habinë e pritshme e ngjalli kuriozitetin e dëshiruar si te mediat ashtu edhe te njerëzit, e në jo pak raste kaloi në sarkazëm. Jo thjesht e vetëm për marrëdhënien e ftohtë që kreu i opozitës ka me publicistikën, me të drejtë mund ta mendojmë këtë pasi nuk jemi mësuar t’i lexojmë qëndrime, opinione apo editoriale, por mbi të gjitha sepse tabuja e politikanit të penës ende nuk është thyer. Patologjia e indiferencës ndaj përpunimit dhe shkrimit të mendimit që kemi zakonisht si shoqëri që në kohët e paraardhësve ilirë, natyrisht nuk ka kursyer as klasën politike. Ndaj është e natyrshme që librat e politikanëve nga “Kurbani” i Ramës, te romanet e Blushit, apo kujtimet e Bamir Topit nxisin debat, hapin diskutime, gërricin plagë të vjetra apo ndjellin sherrnaja të reja.

U bëra kurioz të ndiqja emisionin “Spotlight” në Vizion Plus mbrëmjen e së hënës, kur nuk kishin kaluar as 12 orë nga promovimi i librit, me disa të ftuar në panel. Është një prej pak emisioneve që ndonjëherë kam dëshirë ta ndjek, por edhe e pranoj, rashë pré e temës që do të trajtohej: “Pse shkruajnë libra liderët?”. Me mendje nisa t’i jap disa përgjigje, apo të shtroj disa pyetje të tjera: A është thjesht një taktikë për të hapur një shteg të ri në komunikimin publik, apo ata me të vërtetë e shohin si diçka vetëpërmbushëse? Në ç’kushte një lider vendos të shkruajë një libër? A merr ai përsipër të shkruajë historinë e epokës në të cilën ka jetuar, si Winston Churchill, apo pasioni e nxit që gjatë karrierës të botojë në mënyrë të vazhdueshme si Nicolas Sarkozy? Sa e ndikon liderin marrëdhënia me librin? Ç’vend kanë librat e politikanëve në botimet shqiptare a botërore? Por edhe shumë të tjera bëra duke pritur të niste emisioni, me padurim për të bërë një debat platonik e fundja për të mësuar diçka të re.

Emisioni nisi, pikërisht siç e prisja, por pompoziteti u shndërrua që në minutat e para në parodi të denjë për t’u kthyer në anekdotë popullore. Asnjë prej të ftuarve nuk e kishte lexuar librin! Asnjë nuk e kishte shfletuar. Asnjë nuk e mbante librin në duar teksa diskutonte. Asnjë nuk bënte një analizë të paktën të kapitujve të librit. E madje, përsëritej vazhdimisht me lehtësi kjo gjë, a thua se është krejt normale që askush nuk e kishte lexuar dhe po bisedonin në bazë perceptimesh. Gjithë sa u komentua, ishin hamendësime nëse libri ishte shkruar nga autori që mbante mbi kopertinë me emër e fotografi, si edhe një diskutim bazuar në faqen e parë të librit që u publikua online. Analiza e vetme që u bë ishte ajo e fjalës verbale të autorit, në këtë rast të Lulzim Bashës, të mbajtur gjatë promovimit të librit. Jo fjalës së shkruar, por asaj të folur.

Me siguri, si çdo libër, edhe “Misioni im” ka të bukurat dhe pasazhet e dobëta, rrëfimet e vërteta dhe ato të sforcuara, për të mos folur pastaj për analizën nëse ajo që është shkruar pak javë para zgjedhjeve elektorale është në përputhje me ligjërimin politik të tetë viteve opozitë. A fundja, përputhje të plotë të ngjarjeve apo absurde që mund të gjenden fare lehtë. Si çdo libër, meriton kritikën e tij. Kaq do të mjaftonte, thjesht të lexoheshin ato 100 faqe, në mënyrë që si mbështetësit ashtu edhe kundërshtarët, si adhuruesit por edhe tallësit të reflektonin një rreze besueshmëri dhe autoritet në fjalën e tyre.  

Që televizioni dhe libri, jo thjesht si objekte por mbi të gjitha si struktura mendimi, janë drejtëza paralele tashmë është një fakt që po detyrohemi ta pranojmë. Libri dhe televizioni të bëjnë të zgjedhësh mes ngadalësisë dhe shpejtësisë, mendimit dhe spektaklit, cilësisë dhe sasisë, jetëgjatësisë dhe përkohësisë, punës për afirmim dhe etjes për famë. Por ka raste kur të dy vjedhin nga njëri-tjetri, libri njihet nga televizioni, ndërsa televizioni merr vëmendje nga libri. Të dy mund të shndërrohen në pupacë që komandohen nga tjetërkush, ama është një shfaqje e dobët që fundi i vjen shpejt dhe koha e dënon.

Është rasti kur dëshira për të përfituar nga aktualiteti shkel çdo profesionalizëm dhe parim, duke vënë në një pikëpyetje të madhe besueshmërinë e një grupi njerëzish që përfaqësojnë artikulimin e mendimit dhe në vazhdimësi ndikojnë në formësimin e opinionit publik. Por të flasësh për një libër, minimalisht pa e prekur atë, është guxim i tepruar në rrëmbimin e kohës së çmuar të secilit prej shikuesve. Shpesh televizioni promovon anti-vlera, shumë i justifikojnë këto zgjedhje të detyrueshme, por asnjë nuk do ta miratonte përvetësimin e librit për të justifikuar shterpësinë e debatit, qoftë ky edhe libër politikani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *