Montanelli
Të rritesh do të thotë të vrasësh një pjesë të vetes

Të rritesh do të thotë të vrasësh një pjesë të vetes

Gjashtë vite më parë ka shkruar romanin “Ana”, një trillim mbi një virus që vret të rriturit dhe kursen fëmijët. “Por sot aktualiteti nuk më intereson, preferoj të shkruaj për të shkuarën ose të imagjinoj të ardhmen”, thotë Niccolò Ammaniti.

I ndrojtur, i izoluar, ngurrues ndaj ndërhyrjeve intelektuale dhe me një indiferencë neglizhuese ndaj të gjitha çështjeve që tërheqin shkrimtarët e brezit të tij në hapësirën shoqërore, Niccolò Ammaniti po jeton kufizimet e kësaj kohe pa mundimin e atyre që kanë hequr dorë nga mërrëdhëniet. 

Të tashmen që po përjetojmë Ammaniti e ka treguar gjashtë vite më parë, me romanin “Ana” (i sapobotuar në shqip, ndërsa në Itali ka arritur në botimin e katërt). Ta rilexosh sot e të zbulosh fabulën e rrëfimit ku të gjithë të rriturit janë zhdukur, të vrarë nga një epidemi e tmerrshme që kursen vetëm fëmijët, të bën goxha përshtypje. Dhe përshtypja më e madhe ka të bëjë me virusin vrasës. Murtaja quhet “e kuqja”, jo e zeza si ajo e Albert Camus, por më e ngjashme me të kuqen e romanit të Jack London. Një virus që vjen nga larg e të shkakton ethe, të merr frymën deri në asfiksi.

Shkrimtari izraelit Etgar Keret duke e quajtur veten pjesë të grupit të autorëve që kanë imagjinuar pandemitë, foli për “parandjenjat” e shkrimtarëve. Ju çfarë emri i vini kësaj analogjie mes virusit të fantazuar dhe atij në qarkullim tani?
Nuk jam edhe aq i prirur për të folur për parandjenja. Mendoj se shkrimtarët jetojnë në një terren ku disa gjëra nuhaten, ndihen, perceptohen, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kthehemi tek ideja e librit. Si ka lindur?
Mbaj mend se ideja për këtë histori më erdhi në Hong Kong, ku ishte përhapur virusi Sars. Më matën temperaturën si përpara se të nisesha, ashtu edhe kur u ktheva. Duke qenë se nuk ndihesha shumë mirë, arrita shumë i shqetësuar, sepse kisha frikën e bllokimit atje. Për fat të mirë nuk kisha temperaturë, kështu që më lanë të kaloja. Ato ditë qartësisht më dhanë një ndjesi goditëse, ama bëhej fjalë për diçka ndryshe, të largët, e nuk i dhashë shumë rëndësi. Mendoj se vendosa të rrëfeja historinë e një epidemie sepse kërkoja një mënyrë për të treguar se çfarë ndodh më pas: pra jo historinë e një virusi, por çfarë ndodh në një kohë kur të rriturit nuk janë më. Kisha interes të kuptoja se si funksionon një shoqëri me vetëm një pjesë të shoqërisë: fëmijët. E për ta arritur këtë, e vetmja mënyrë bindëse ishte një epidemi. Tragjedi të llojeve të tjera, si për shembull një shpërthim bërthamor, nuk do të kishin dhënë një goditje të diferencuar. Kam studiuar biologjinë, i njoh ndryshimet më të rëndësishme të trupit në adoleshencë dhe kur rritemi. Atëherë vendosa të tregoja këtë histori. Pjesa tjetër është një rastësi.

Sëmundja vjen nga Belgjika, historia është vendosur në Siçili… Përse këto vende?
Belgjika sepse më dukej një vend i largët e i ftohtë, një vend verior që nuk të vjen menjëherë në mendje. Ndërsa Siçilia është qendra e tregimit dhe është thelbësore sepse është një kontinent në miniaturë. Ka gjithçka, ka malet dhe vullkanet, ka detin, qytete të rëndësishme në vende të ndryshme, anije dhe plazhe. M’u duk interesante që personazhet e mi t’i lëvizja në një mjedis të tillë, sepse nëse je fëmijë nuk ia ke idenë se ç’ndodh as në bregun përballë. Është e njëjta situatë për këdo që ka përjetuar një pandemi në të shkuarën: nuk dihej numri i infektimeve dhe as se ku ishte përhapur virusi, ndaj çfarë ndodhte disa kilometra më larg mbetej e panjohur. Kur nuk di asgjë, më shumë se gjithçka, ke nevojë për guxim: percepton sëmundjen dhe vendos të zhvendosesh, të bësh një hap për të parë se çfarë ka më tej.

Dhe këtë bëjnë fëmijët në libër, teksa në televizion zhduken lajmet, për ca kohë ka vetëm filma të vjetër e më pas zhduken dhe ato.
Po, por besoj se njeriu e ka mision të tejkalojë kufijtë dhe të shohë se çfarë bëjnë të tjerët. Sot ne nuk e përjetojmë më atë ndjesi errësire sepse jemi të gjithë në mënyrë konstante të informuar mbi numrin e viktimave, përpijmë informacionet përpara se të krijojmë një reagim: informacioni përhapet si virus.

“Jam i bindur që një fëmijë është më mirë se një i rritur i mbyllur në një shtëpi, pasi edhe nëse u heq të gjithë stimujt, ata do t’i gjejnë vetë.

Dhe kjo është diçka e keqe?
Jo, por tregon se sa e pjesshme është shkenca, e përbërë nga mijëra zëra. Në kundërshtim me ketë, ne jemi mësuar me imazhin e shkencëtarit të shekullit të nëntëmbëdhjetë që jeton jashtë botës duke njohur rregullat e natyrës dhe të fizikës dhe që mund të japë përgjigje të caktuara. Ndërsa sot duke u ballafaquar me pozicione të ndryshme, në debatet televizive ose në rrjete sociale, shkencëtarët bëhen një kor njerëzish që thonë gjëra krejt të kundërta dhe humbasin besueshmërinë. Jo vetëm që nuk na japin siguri, por shumë prej tyre na shqetësojnë, disa prej tyre ndezin shpresa, të tjerë më pak… varet se kush është i intervistuari. Kjo ndodh sepse janë njerëz, e kështu ka nga ata që janë më pozitivë dhe nga ata që i shohin gjërat më negativisht, pastaj ka edhe ekspertë që konfliktohen mes tyre, por edhe teori të ndryshme në të njëjtën fushë. Për shembull kam dëgjuar imunologët që thonë se fëmijët nuk janë në gjendje të transmetojnë virusin duke infektuar të tjerët.

Fëmijët tek romani “Ana” nuk sëmuren deri sa rriten. Ose e thënë më mirë, virusi ndodhet aty “por nuk bën asgjë, për t’u rizgjuar kur rriten”, shpjegon mamaja në librin prekës të udhëzimeve për të mbiejtuar. Edhe sot fëmijët sëmuren më pak, por nuk është aspak e përjashtuar që mund të përhapin virusin. Fëmijëria është jetë. Adoleshenca është koha e pyetjeve dhe mundësive. Për ju, a mos është mallkimi mosha e rritur?
Po dhe në fakt virusi tek “Ana” është thuajse një metaforë e jetës. Astori, vëllai që jeton i mbyllur në shtëpi, tregon fëmijërinë e tij në atë perimetër të sigurt ku rritej. Historikisht ka qenë kështu: fëmijët jetonin të mbyllur në shtëpi, me gratë. Luanin dhe stërvisnin fantazinë. Kur vjen virusi, të transformon dhe nuk të lejon më të bëhesh i rritur. Të rritesh do të thotë të përjetosh një vuajtje: të zgjedhësh mes shoqërisë dhe fantazisë, e për t’u rritur duhet të vrasësh një pjesë tënden. Pasqyra është një shembull i kësaj. Për sa kohë jemi fëmijë, është një lojë argëtuese, por pastaj vjen mosha e adoleshencës dhe bëhet krejt tjetër gjë. Shihemi në pasqyrë për të parë se si jemi, nëse dukemi bukur apo shëmtuar, nëse jemi të pasur apo të varfër. Befas në atë vështrim krijohet marrëdhënia me shoqërinë. Nga ai moment e tutje, duhet të heqësh dorë nga ai që ishe më parë. Fëmijët, në roman, mbijetojnë falë imagjinatës. Jam i bindur që një fëmijë është më mirë se një i rritur i mbyllur në një shtëpi, pasi edhe nëse u heq të gjithë stimujt, ata do t’i gjejnë vetë. Problemi sot është që fëmijët tanë janë të mbistimuluar dhe e kanë të vështirë të shpikin vetë gjëra.

Ndërkohë, te shumë të rritur përparon qëndrimi i mbylljes, i cili nuk lidhet vetëm me rregullat ose me përshtatjen ndaj një gjendjeje të re, por ka të bëjë me dëshirën për të qenë vetëm dhe i mbrojtur në shtëpi.
Vërtetë, është një reagim psikologjik me të cilin do të merremi për një kohë të gjatë. Shumë njerëz, edhe për shkak të vështirësive ekonomike, me të drejtë duan të fillojnë të dalin përsëri sa më shpejt të jetë e mundur. Por për ata që kishin një jetë me marrëdhënie të pakta, kjo situatë është paradoksalisht e përsosur: nga divani i shtëpisë vëzhgohet dhe kritikohet vetja, njeriu ndihet i sigurt. Unë vetë isha i pari që u mësova me të, ideja për të dalë më lodh…

Keni shkruar skenarët e disa filmave, si edhe keni realizuar serinë “Mrekullia”. Keni zbuluar që ju pëlqen më shumë kinemaja? Apo ju pëlqen më shumë puna në grup, krahasuar me punën e vetmuar të shkrimtarit?
Disa vite më parë, përpara se të nisja të punoja për seritë televizive, kisha mbërritur në një pikë që nuk e duroja më veten. Po shkoja drejt depresionit dhe kuptoja se diçka më mungonte. Në të shkuarën kisha mendimin se marrëdhëniet mund të shpërqëndronin aftësinë time të të shkruarit, gjë që është paksa absurde, por funksiononte. Kam jetuar në fshat për katër vite me bashkëshorten dhe me qentë e mi, më siguritë e mia, duke i takuar rrallë njerëzit. Pastaj, në një kohë që përkoi me pesëdhjetë vjetorin tim, kuptova që pikërisht më mungonin marrëdhëniet me të tjerët. Nuk mund ta rifitoja kohën e humbur me një kërcitje gishtash duke folur me të gjitha, duke ikur në festa apo duke udhëtuar për të prezantuar libra. Kisha nevojë të bëja një projekt me dikë dhe mënyra e vetme e mundur ishte të bëja kinema. Deri në atë moment ndjeja frikë, e përballova gjithë situatën me ankthin e të mos qenit i aftë. Por ndjeva se jeta ime po ndryshonte krejtësisht, u ndjeva tjetër njeri.

A janë trillet televizivë një kërcënim për leximin apo mund ta stimulojnë atë, mbase duke filluar me ata libra që janë ekranizuar?
Nuk mendoj se janë të mirë për librat. Ka një kohë për tregimin përmes librave, filmave, serialeve. Të gjithë kemi prirjen të bëjmë gjënë më të thjeshtë: të qëndrojmë para televizorit. Përqëndrimi i kërkuar për një libër është i konsiderueshëm, është i vështirë nëse nuk jeni mësuar me të.

“Kishim kapërcyer frikën e përditshme, atë të gjenezës të njeriut shpellar, frikën e pasigurisë për të nesërmen. Frikën e kishim kthyer në një problem personal. Por virusi na bën të ndihemi më të ngjashëm.”

A nuk ju bën kjo të ndjeni përgjegjësi si shkrimtar?
Jo, nuk ndihem përgjegjës. Mendoj se gjithçka varet nga cilësia. Nëse Netflix na bombardon vazhdimisht me seriale të dobët, pas disa kohësh mendoj se njerëzit do të lodhen dhe do t’i drejtohen teatrit dhe librit. Dhe në vërtetë përpara se të mbylleshim në shtëpi nga virusi, e ndjeja se serialet po na lodhnin. Mua po më kthehet kënaqësia e të shkruarit histori dhe jam i lumtur. Isha i shqetësuar pasi mendoja se më kishte ikur dëshira për të shkruar. Hapësira për libra ekziston ende, por është më e vështirë për ta arritur.

A mendoni se situata që po kalojmë është një shans për ta rimenduar botën? Apo nuk do ta ketë forcën për të ndryshuar gjërat? Po lexoj një rresht nga “Ana” ku shkruhet: “Epidemia ishte gjëja më e jashtëzakonshme që mund t’i ndodhte njerëzimit”.
Shumë besojnë se përballë murtajave, luftërave ose një virusi, njerëzimi mund të rizbulojë aspektet e tij më të mira. Unë e besoj pjesërisht. Mendoj se në terma afatshkurtër kjo situatë do të na ndikojë, sepse askush nga ne nuk kishte provuar ndonjëherë një përvojë të ngjashme. Sot të gjithë jemi prekur nga diçka e papritur që rrezikon ekzistencën tonë dhe na bashkon: më parë të gjithë kishin frikërat e tyre të veçanta, por nuk kishte asnjë ndjenjë frike të ndarë me të tjerët. Është hera e parë që mund të ndajmë frikën e vdekjes me kaq shumë njerëz së bashku, gjë që në pjesë të tjera të botës ka ndodhur edhe më parë. Por për ne jo, sepse kemi pasur fatin të jetonim në një kohë kur askush nuk vinte në dyshim frikën e daljes nga shtëpia.

Falë kësaj po lind një ndjenjë komuniteti, ose të paktën kolektivizmi?
Po, por i bazuar në frikë, që është pikërisht ajo që Perëndimi ka dashur gjithmonë të vrasë. Kishim kapërcyer frikën e përditshme, atë të gjenezës të njeriut shpellar, frikën e pasigurisë për të nesërmen. Frikën e kishim kthyer në një problem personal. Por virusi na bën të ndihemi më të ngjashëm dhe më pranë njëri-tjetrit, me njerëzit për të cilët mund të mos mendojmë më, me politikën. Por është një kusht i kufizuar. Besoj se e gjitha kjo do të humbasë. Në fund të fundit, ne tashmë kemi kaluar tragjedi të tjera dhe jeta ka vazhduar me të njëjtat gabime.

Ju është kthyer dëshira për të shkruar në një moment kur jeta është pezulluar, ditë në të cilat shumica nuk pajtohet me imagjinatën. 
Unë kam shumë nevojë për rrëfim. Por duke qëndruar larg ngjarjeve aktuale. Preferoj të shkruaj një histori që ka ndodhur përpara ose në të ardhmen. Nuk kam dëshirë të flas për njerëzit që qëndrojnë të mbyllur në shtëpi.

Po trillimi juaj?
“Ana” është tjetër gjë, është rrëfimi i një bote të lirë, të mbushur me shpresë.

*Niccolò Ammaniti është shkrimtar, regjisor dhe skenarist italian, fitues i “Premio Strega” në vitin 2007 për librin “Me urdhër të Zotit”. Romani i tij i fundit “Ana” është botuar së fundmi në shqip nga “Dudaj”, ndërsa në Itali është realizuar film. Intervista e dhënë për “L’Espresso” u përkthye nga Erjon Uka.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.