Tre për një: Bernhard Schlink dhe arti i rrëfimit të botës përmes dashurisë
Një grua e bukur, bjonde dhe krejt lakuriq zbret ngadalë nga shkallët. Tre burra, një menaxher, një artist dhe një avokat i ri dashurohen me të, por të tre dështojnë. Është kjo fabula e librit të Bernhard Schlink, “Gruaja në shkallë”, frymëzuar nga një pikturë e mahnitshme e Gerhard Richter të cilën shkrimtari e shfrytëzoi për këtë roman mbi dashuritë e pamundura, ose për paradokset e dashurisë. Autor i një prej librave më të shitur të letërsisë gjermane “Leximtari”, Schlink që ka qenë gjyqtar dhe pedagog i filozofisë së të drejtës, tregon për dashurinë e tij mbi letërsinë dhe gjykimin mbi historinë politike.
Përpara dështimeve politike, të flasim për ato sentimentale. Apo besoni se në këtë tokë ekziston ndonjë mundësi për të qenë të lumtur?
Sigurisht që ka çaste lumturie në këtë jetë, situata me fat në të cilat jeta na buzëqesh dhe të tjera momente ku gjithçka duket se është kthyer kundër nesh. Nuk jetojmë vetëm për të qenë të lumtur, por për fat ndonjëherë ndihemi vërtetë të tillë.
Në romanet tuaja, edhe në “Gruaja në shkallë”, hasim avokatë dhe njerëz të ligjit që janë tmerrësisht të pafatë në dashuri. Keni ndonjë pikë të dobët për heronjtë negativë?
Në romanet e mia avokatët nuk kanë ndonjë jetë më të lehtë se gazetarët, se doktorët apo mësuesit. Nuk i dënoj me një jetë të mallkuar njerëzit e mi të ligjit, por sigurisht nuk janë as të tejmbushur me lumturi.
Tre burra të dashuruar me të njëjtën grua dhe që të tre dështojnë. A mund të përmblidhet kështu romani juaj i fundit?
Po, është menaxheri që do ta zotërojë bjonden e re për ta pasur si trofe; Është piktori që e dëshiron si një muzë frymëzimi dhe është avokati i ri i dashuruar në mënyrë thuajse fëminore me këtë grua të fortë dhe të pavarur. Janë tre mënyrat më të shpeshta që ne burrat dashurohemi me gratë dhe pikërisht për këtë arsye dështojmë.
Dështojmë sepse dashuria mbetet vetëm një premtim?
Dashuria është gjithmonë premtim. Një premtim reciprok, i atij që dashuron dhe i jep dashuri tjetrit dhe i kujt dashurohet dhe premton se do ta kthejë. Por kujdes në dallimin mes premtimit dhe pritshmërive, që shpesh mbeten të zhgënjyera. Duke lënë mënjanë zhgënjimet dhe dështimet, në jetë ashtu si në dashuri marrëdhëniet funksionojnë vetëm nëse ekziston besimi.
Në një shoqëri dixhitale, avullojnë edhe marrëdhëniet dashurore?
E sigurt që nuk do të shkruaj romane për kohën e koronavirusit apo të dashurisë dixhitale. Për mua është diçka e bukur që me partneren time në Shtetet e Bashkuara jo vetëm mund të flas në telefon, por të krijoj një komunikim dixhital që nuk bën gjë tjetër veçse na rrit dëshirën për njëri-tjetrin. Dashuria jeton nga prezenca fizike e tjetrit.
Keni studiuar drejtësi, keni qenë gjyqtar dhe më pas profesor i së drejtës në Humboldt Universität në Berlin. Pse nisët të shkruanit romane?
Në të vërtetë kam shkruar gjithmonë, që kur kam qenë student shkruaja poezi të këqija dhe histori të ndryshme. Kam publikuar dhe publikoj ese mbi të drejtën, por pa letërsinë diçka do t’i mungonte jetës sime.
Keni publikuar në gjininë triller. Çfarë ju magjeps në historitë e gjakut?
Secili prej nesh e ndjen shumë mirë se sa e pasigurt është ekzistenca jonë. Jeta jonë varet në fije të perit. Me anë të një trilleri të mirë është sikur kjo fije peri të këputet dhe të mund të shohim se çfarë fshihet poshtë dhe brenda nesh. Në fund shpresojmë që ndonjë inspektor i zoti të zgjidhë çështjen dhe të na kthejë në normalitetin e përditshëm.
“Gruaja në shkallë” është frymëzuar nga një pikturë e famshme e vitit 1966 nga Gerhard Richter. “Ema” quhet piktura, e cila paraqet gruan e parë të artistit, që portretizohet duke zbritur cullak nga shkallët e ateliesë. Çfarë ju tërhoqi këtu?
Mënyra se si ajo zbret shkallët, një shprehje mes joshjes dhe shqetësimit: A është e bindur apo e detyruar të zbresë ato shkallë dhe çfarë e pret poshtë? Është e mrekullueshme shumësia e interpretimeve që shkakton kjo vepër dhe që përputhet me mënyrën në të cilën e paraqesim gruan që dashurojmë. Kjo na magjeps në veprat e artit, në romane ashtu si në dashuri, ajo “diçka” që na mrekullon por gjithmonë na shpëton.
Jo më kot peneli i Richter bëri që skicat dhe ngjyrat e gruas në shkallë të dridheshin dhe të ishin të pavendosura.
Asnjëherë nuk mund të jetë i saktë imazhi i gruas që na vjen përballë, e zhveshur nëpër shkallë. Është një imazh që luan me ne që e shohim të magjepsur nga poshtë. Vepra e Richter është një pikëçuditëse që na paralajmëron që kurrë të mos i marrim shumë të drejtpërdrejta përshtypjet në vlerë absolute si çdo interpretim tjetër i realitetit.
Politologu gjerman Dolf Sternberger shpiku shprehjen “patriotizëm kushtetues” në fund të viteve 1970. A mendoni se mund duhet diçka si Kushtetuta?
Jo, mund të studiohet dhe të respektohet, mund dhe duhet të mbrohet, por nuk mund të dashurohet. Mund të duash miqtë dhe fëmijët e tu, do një grua e madje edhe atdheun në të cilin je rritur, por jo kushtetutën.
Cila është “die Heimat”, toka që dashuroni?
Fusha e Renit pranë Heidelberg. E dashuroj atë peizazh në lumë, por edhe njerëzit që jetojnë aty dhe gjuha që flasin. Jetën mund ta duash vërtetë, ndërsa Kushtetutën që duhet riinterpretuar dhe aktualizuar vazhdimisht, jo. Sternberger ama kishte të drejtë kur thoshte se Kushtetuta është një pjesë e identitetit tonë republikan në Gjermani.
Këtu është edhe ndryshimi mes së majtës dhe të djathtës: e djathta mendon se e dashuron një vend, e majta respekton shtetin e të drejtës dhe të drejtat e njeriut?
Është një ndryshim që ka kuptim sepse tradita e së majtës vjen nga frymëzimi iluminist, internacionalist dhe bazohet në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe jo vetëm në kufijtë kombëtarë. Sa herë që e majta ka marrë tezat e nacionalizmit, si SPD në Gjermani në fillim të Luftës së Parë Botërore, rezultati ka qenë një katastrofë morale dhe politike.
Jeni krenar që jeni gjerman apo ndiheni shkrimtar i gjuhës gjermane?
Unë vetëm mund të jem krenar për atë që kam arritur. Çfarë do të kisha bërë me historinë dhe me traditën gjermane për të qenë krenar për të? Po, historia gjermane me tmerret dhe bukuritë e saj është historia ime. Jam i lumtur, për t’iu rikthyer lumturisë, që mund të lexoj dhe që mund të shkruaj në gjermanisht: është gjuha me të cilën unë luaj, mendoj dhe jetoj.
Libri juaj më i shitur “Leximtari” është historia e dashurisë së një të riu për një grua analfabete e cila ishte drejtuese e një kampi përqëndrimi nazist. Sa ka ndikuar romani juaj për një dashuri të pamundur nën hijen e Aushvicit në mënyrën e interpretimit të horrorit të holokaustit?
Ai roman reflekton eksperiencën përmes së cilës ka kaluar brezi im. Secili prej nesh pas luftës ka pasur dashuri pa kushte për një gjysh, një xhaxha, një profesor, i cili më pas është zbuluar si kriminel lufte. Në këtë marrëdhënie dashurie në roman gjenden edhe kujtimet e traumave të brezit tim.
Të zbulosh që një njeri i dashur apo shumë i vlerësuar ka qenë një përbindësh nazist…
Saktësisht, është një tronditje që vjen si pasojë e përpjekjeve për të ndrequr ndjenjat ndaj një njeriu që në 12 vitet e nazizmit ka marrë pjesë në llahtaret politike. Nëse këta persona kanë qenë vetëm përbindësha, për nipërit dhe dishepujt e pasluftës do të kishte qenë më e thjeshtë. Por fatkeqësisht përbindëshat nuk janë asnjëherë thjesht përbindësha.
Në vitin 1968 për ju të rinjtë kanë qenë vendimtare proceset e Frankfurtit për kriminelët e Aushvicit…
Ato procese kanë një kuptim epokal për gjeneratën time dhe për gjithë shoqërinë gjermane. Përgjegjësia historike e Gjermanisë përballë shfarrosjes së hebrenjve është diçka që ne gjermanët, ndryshe nga vendet q ëkanë bashkëpunuar me nazistët, nuk mund t’i shmangemi. Përballë botës jemi ne gjermanët që duhet ta marrim gjithë përgjegjësinë.
Por kjo nuk e ka ndaluar tendencën e viteve të fundit për t’u krijuar parti neonaziste dhe raciste, si Pegida apo një parti e së djathtës ekstreme si AfD.
Rilindja e ekstremit të djathtë në Gjermani më shqetëson, edhe për faktin se është pjesë e një vale globale me natyrë sovraniste që përzien helmet raciste me nostalgjinë për njeriun e fortë që mund të hedhë në erë shtetin demokratik. Në Gjermani, në Francë dhe në gjithë botën perëndimore jemi dëshmitarë të ringjalljes jo vetëm të nacionalizmit në kuptimin e tij më të ngushtë, por edhe të sinjaleve autoritare siç i shohim në Poloni apo në Hungari.
Shkrimtari Alaa al-Aswani vuri re se demokracitë sot janë vetëm ishuj në një det diktaturash.
Tronditja e madhe e shekullit XXI është kjo, domethënë që as Perëndimi nuk mund ta portretizojë më veten si ishulli i sigurt dhe i lumtur i demokracisë. Lëvizje të ndryshme autoritare po gërryejnë bazat e shtetit ligjor.
Përtej sovranizmit tani ekziston edhe virusi që po kërcënon demokracitë. Për Giorgio Agamben jemi në një lloj diktature “shëndetësore” ose në një biopolitikë të “gjendjes së jashtëzakonshme”.
Unë besoj se Agamben po tregohet i nxituar në shpalljen e dështimit të demokracive dhe se ai luan në mënyrë naive me figurën e “gjendjes së përjashtimit”. Kam njohur dhe kam studiuar në seminaret e Carl Schmitt, të cilit i detyrohemi për teorinë e “gjendjes së përjashtimit”, dhe unë mendoj se Agamben flirton shumë me atë filozofi politike. Nuk mund të mendoj se politikanët në Gjermani ose Itali bëjnë komplot për të marrë pushtetin dhe shkatërruar shtetin demokratik
Po thoni se filozofë si Agamben apo Byung-Chul Han po ngatërrojnë një teori politike të viteve ’20 me realitetin e sotëm?
Më duket se duke folur për shtetin e së drejtës apo për praktikën e përditshme të demokracive, jemi detyruar të mendojmë për kategori si “gjendja e përjashtimit”. Le të tregohemi seriozë: A e imagjinoni një person si Jens Spahn (ministri gjerman i shëndetësisë) që synon një diktaturë shëndetësore? Kur disa teori politike përballen me realitetin shndërrohen në barcaleta.
Si e gjykoni politikën shëndetësore të Merkel?
Jo vetëm qeveria Merkel, por i gjithë sistemi federal gjerman u tregua i paaftë për të përballuar emergjencën. Virusi u kthye në një turp të madh për administratën e arsimit dhe të shëndetësisë, të ekonomisë dhe të sistemit politik.
Bernhard Schlink është shkrimtar gjerman, i njohur për romanin “Leximtari” i cili u botua për herë të parë në vitin 1995 dhe është vlerësuar në mbarë botën. Librat e tij “Leximtari” dhe “Fundjava” janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe nga “Dudaj“. Kjo intervistë u përkthye nga Erjon Uka.
Publikuar në Tiranapost.al