Blog
Kultura e mbikëqyrjes, një stil i ri jete

Kultura e mbikëqyrjes, një stil i ri jete

Nga Erjon Uka/ Për çdo ngjarje që ka të bëjë me tejkalimin e kompetencave të shtetit a të koorporatave duke shkelur të drejtat tona të përbashkëta ose kufijtë e asaj çka quhet normale, zakoni publik e do që të citohet George Orwell, kryesisht me romanin “1984”. Sigurisht një kryevepër e letërsisë botërore (sipas shënimeve që bëj në faqen e parë pas kopertinës më rezulton se e kam lexuar në kapërcyellin mes dhjetorit 2014 dhe janarit 2015, versionin e përkthyer nga Çelo Hoxha e botuar nga “Zenit”). E si të gjitha kryeveprat, ka aftësinë të shkojë përtej dekadës kur është shkruar për t’u përdorur në zbërthimin e ndodhive të aktualitetit.

Megjithatë, mbikëqyrja e shoqërive as nuk ka filluar në vitin 1949 kur u botua romani i Orwell dhe as nuk lindi aty si ide. Orwell i dha zë diçkaje që të gjithë e mendonin dhe i druheshin duke lexuar në gazetat e kohës për dikaturat e lindjes, por askush deri më parë nuk kishte arritur ta formulonte në mënyrë aq të shkëlqyer si një distopi letrare.

Pak javë më parë, një artikull i Shoshana Zubof, autore e librit “Kapitalizmi i mbikëqyrjes”, fliste për grushtin e shtetit dixhital, duke theksuar se qeveritë u kanë dhënë fuqi tej logjikës kompanive teknologjike në mbledhjen dhe administrimin e të dhënave. Lektore në Harvard Business School, Zubof në atë artikull shkruante se në kohën e informacionit shoqëritë përcaktohen në bazë të një vargu ngjarjesh që përputhen saktësisht me informacionin: si shpërndahet ai, autoriteti që e kontrollon dhe fuqia mbrojtëse e atij autoriteti. Pikërisht në formën e një zinxhiri: kush duhet të dijë, kush vendos se kush duhet të dijë, kush vendos për atë që vendos se kush duhet të dijë.

Përmes katër fazave kronologjikë njëra pas tjetrës, problemi qëndron në papajtueshmërinë mes së vërtetës dhe demokracisë nga njëra anë, dhe atij që quhet “kapitalizëm i mbikëqyrjes” nga ana tjetër. Fillimisht ndodh përvetësimi i të drejtave për të pasur informacion, ku organizatat i japin të drejtën vetes të marrin të dhëna falas e t’i përdorin për të ndërtuar parashikime mbi sjelljen njerëzore. Kjo detyrimisht sjell pabarazi në aksesin e të dhënave dhe në aftësinë njohëse e parashikuese: kush zotëron të dhëna, zotëron gjithmonë e më shumë, kush nuk ka akses në to, vështirë se mund të konkurrojë ndonjëherë. Së treti ndodh kaosi i informacionit duke nxitur fazën e katërt, atë të institucionalizimit të hegjemonisë informative. Me të arritur në këtë pikë, vendosin makineritë dhe algoritmet e drejtuara nga pushtetet antidemokratike.

Nëse i besojmë formulimit të bërë nga Zubof, aktualisht ne gjendemi në fazën e tretë. Aty ku prozhektorët drejtohen mbi algoritmet të cilat mundësojnë shpërndarjen e personalizuar të informacionit të rremë duke minuar realitetin e përbashkët, duke helmuar hapësirën shoqërore e duke mpirë krejtësisht vendimmarrjen demokratike.

Por pse ka rëndësi e gjitha kjo? Sepse kontrolli nuk ndodh më vetëm nga lart poshtë. Nuk drejtohet vetëm nga një kupolë e vogël mbi një masë të konsiderueshme. Por tashmë jemi të gjithë pjesë e tij, ku kontrollojmë dhe kontrollohemi. Në familje me prindërit që kontrollojnë fëmijët me smartphone dhe smartwatches, në punë me punëdhënësit që kontrollojnë me kamera e me çipe punëmarrësit, në ambiente argëtimi, në rrjete sociale, në faqe tregtie online, në portale dhe në platforma. Mbikëqyrja, kontrolli, është një praktikë e vjetër sa njerëzimi, por që kryhej nga një minorancë e specializuar përkundrejt gjithë pjesës tjetër.

Ndërsa sot përveç grupeve që e kanë funksion primar këtë gjë, si ato të ruajtjes së rendit apo të shërbimeve inteligjente, mbikëqyrja shtrihet kudo e mund të kryhet nga kushdo. Merr trajtën e një kulture të mirëfilltë për shkak të homogjenitetit të saj, aq sa sociologu David Lyon e quan një kulturë mbikëqyrjeje që furnizohet dhe ushqehet nga vetë përdoruesit.

Kemi nevojë për më shumë siguri, ndaj lejojmë mbikëqyrjen. Duam shërbime më të shpejta, prandaj japim të dhënat. Kërkojmë informacione të personalizuara, lejojmë ndërveprimin algoritmik. Na pëlqen diçka, menjëherë lëmë gjurmë duke dhënë sinjale mbi të. Jemi diku a ndjejmë një gjendje të caktuar, e publikojmë për të mbledhur kapital social virtual. E gjitha kjo i përmbahet aksiomës se asgjë nuk vjen falas e pa pasoja. Gjithçka na bën bashkëpunëtorë e përgjegjës, qoftë sa herë me padurimin karakterizues online shmangim edhe përqëndrimin në një tabelë të vogël e cila përmban “Termat dhe kushtet e përdorimit”.

Skandalet e privatësisë në Facebook, presionet e vazhdueshme ndaj Google dhe zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA janë sinjalet më të qartë se të dhënat personale janë tundim ndaj së cilit askush nuk është imun. Një ekuacion me tre ndryshore: autoritet qeverisës, kompani biznesi dhe përdorues, duhet të prodhojë një rezultat të barazvlefshëm me etikën e privatësisë. Deri më tani duket e vështirë të ndodhë, si globalisht, ashtu edhe në Shqipëri.

Prandaj publikimi i një databaze me jo pak, por gati një milionë të dhëna sensitive personale të qytetarëve të Tiranës ka nevojë për çdo gjë tjetër, përveçse parodisë. Janë dy probleme kryesore: së pari, çdo parti ka dhe mund të ketë të dhënat e saj, por duhet vlerësuar nëse ka pasur kryqëzim mes të dhënave të portalit qeveritar E-Albania dhe databazës së një partie politike. Kjo është mirëfilltazi çështje hetimore. Nga ana tjetër, publikimi masiv. Çdokush ka akses tashmë në të dhënat e të tjerëve: numra kartash identiteti, numra celulari, vende pune. Efektet e përhapjes së të dhënave si shpërthim depoje armësh do t’ia ndjejmë pasojat shpejt: në rutinën monotone të jetës së përditshme, në veprime kriminale me të dhëna false, në telefonata anonime, në falsifikime, në përndjekje sociopate e deri në konflikte mes “të patronazhuarit” dhe “patronazhistit”.

Teksa njerëzit të kapur mes habisë, inatit dhe kuriozitetit instiktiv për të parë të dhënat e të njohurve, dhe autoritetet ishin të shpërqëndruara në fushatën zgjedhore e në gjetjen e një alibie të besueshme, databaza u shndërrua në granatë për përdorim masiv. George Orwell nuk na mjafton më për ta shpjeguar të gjithë këtë. Jemi përtej. Sapo kemi bërë pjesë tonën një stil që bazohet në kulturën e mbikëqyrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *