Blog
E reja që s’lind dot

E reja që s’lind dot

Erjon Uka/ Një prej thënieve politike më realiste, njëkohësisht therëse në të vërtetën e saj, është ajo e Antonio Gramshit kur shkruante se kriza është ajo kur e vjetra vdes ndërsa e reja e ka të vështirë të lindë. Zgjedhjet e 25 prillit kanë dhënë shumë mësime, jo domosdoshmërisht pozitive dhe jo detyrimisht shpresëdhënëse. Por një pyetje kryesore është: Pse nuk lind dot e reja?

E reja brenda sistemit politik, e më pas jashtë tij. Brenda makinerive politike, e pastaj me forca të tjera. E reja në ide e në koncept, e pastaj në njerëz me moshë të re. Dhe në këtë kontekstin tonë, përgjigja e thjeshtë është se e reja nuk lind dot pasi e vjetra nuk arrin të vdesë.

Ka shumë pengesa në konfirmimin e alternativave të reja politike. E ato janë së pari ligjore, e pastaj psikologjike. Në këto zgjedhje ishin të paktën katër lëvizje, parti a nisma që tentuan të marrin besimin e njerëzve e mbi të gjitha ta përkthejnë atë besim në mandate për Parlamentin e ardhshëm: Nisma Thurje dhe Lëvizja Vetëvendosje përmes tre kandidatëve në tre qarqe ishin risitë e padiskutueshme; Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshim ishin frakturat e së djathtës që tentuan të masin forcën reale në publik për t’i shkaktuar kokëçarje partisë mëmë. Këto dy të fundit arritën thjesht të konfirmonin se lëvizjet e reja politike nuk mund të lindin si krisje të marrëdhënieve personale, e në mos qofshin për arsye programore e ideologjike, të paktën duhen krijuar prej përballjes së grupimeve, jo individëve.

Nga ana tjetër, Nisma Thurje dhe kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë së bashku nuk kaluan pragun e 15 mijë votave. Pa i hyrë çështjes së manipulimit të votës, edhe nëse do të kishin marrë dyfishin a trefishin e votave që morën, pak gjasa do të kishte të përkthenin ndonjë mandat. Dekurajimi i parë që i bëhet lëvizjeve të reja është ligjor, ku kandidatëve të pavarur, përfshi edhe minatorin Elton Debreshi, u kërkohet të kalojnë praguan rajonal dhe pragun kombëtar të votave. Pra me të njëjtin numër votash që një parti mund të sigurojë dy mandate deputetësh, një kandidat i pavarur duhet ta mbajë frymën deri në kutinë e fundit për të marrë vesh nëse votat e tij janë numëruar siç duhet dhe po kalojnë pragjet e kërkuara.

Shkopinjtë me gjemba që u vendosen rrotullimeve të shpejta e entuziaste të rrotave të lëvizjeve të reja nën emrin e ligjit, sjellin edhe një mosbesim në sytë e votuesit që për nga natyra është pragmatik. Në këtë kontekst, vota e tij merr më shumë vlerë nëse kryqi vendoset përbri emrave të partive të konsoliduara, se sa në nismat e reja.

Këto lëvizje të reja i drejtohen më së shumti një votuesi që rëndom quhet “gri”: pa ndonjë lidhje a interes të drejtpërdrejtë me partitë e sistemit, ky lloj votuesi me një dell indifference, idealisti a revolucionari është krejt i hapur ndaj alternativave të reja. Por pikërisht ky votues është zhgënjyer sistematikisht: u zhgënjyen 30 mijë votuesit e Frymës së Re Demokratike në vitin 2013, që projekti i tyre i ri përfundoi si shtojcë më pas në koalicionet e majta e të djathta pa asnjë lidhje me parimet që nxitën krijimin; u zhgënjyen 16 mijë votuesit e Gjergj Bojaxhiut në zgjedhjet locale të vitit 2015, që menjëherë pas zgjedhjeve u fshi nga arena e artikulimit publik megjithëve emri i tij që në tentativën e parë mori mbështetjen e 5% të votuesve të Tiranës; u zhgënjyen 20 mijë votuesit idealistë të LIBRA-s, parti që u krijua gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe u shua dy muaj pas tyre.

Por e reja nuk lind dot as brenda partive që nuk arritën as këtë herë t’i sillnin forcat e tyre politike në pushtet. Thirrjet “liri demokraci” dhe “poshtë komunizmi” në oborrin e Partisë Demokratike gjatë fjalimit të kryetarit të martën e 27 prillit, ishin dëshmia më e qartë se kjo parti po qëndron mes një amullie që e ka nxjerrë jashtë kontekstit. E po ashtu premtimi i Presidentit se do t’ia marrë sërish bashkëshortes së tij drejtimin e partisë që themeloi vetë, është shenjë e një riciklimi të lodhur pragmatik. Teksa nga llogorja përballë, fjalia e kryeministrit pas fitores, se edhe ai vetë është lodhur nga mekanizmat e vjetër të urrejtjes dhe ndasive, e thënë kjo qoftë për retorikë, tregon se emancipimi i kryer në marketingun politik nuk ka arritur të modernizojë edhe mënyrën e funksionimit të partisë.

Unë nuk mendoj që votuesit shqiptarë nuk e duan të renë, por e reja, si ajo që kërkon të modernizojë strukturën aktuale ashtu edhe ajo që kërkon ta shembë krejt ngrehinën e plakur, duhet të japë mesazhin e qëndrueshmërisë dhe tashmë ka barrën e provës se nuk shërben si legjitimitet i së vjetrës. Ata që morën besimin qoftë edhe të disa qindra qytetarëve, kanë detyrën të tregojnë se kanë një projekt që zgjat përtej një fushate elektorale. Dhe në zgjedhjet e ardhshme rezultati do të vijë.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *