Blog
TikTok ose të krijosh në boshllëk

TikTok ose të krijosh në boshllëk

Problemi që vjen nga platforma kineze është mentaliteti që kërkon të injektojë për mundësinë absolute të famës së shpejtë përmes idiotësive, përmbajtjes boshe dhe manipulimit e kopjimit banal të imazhit, duke i trajtuar përdoruesit thjesht si ingranazhe prodhuese.

Nga Erjon Uka/ E para herë që shkarkova e më pas krijova një llogari në TikTok, me shumë mundësi ishte java e parë apo e dytë e karantinës së detyruar gjatë vitit të kaluar. Ishim në kërkim të mjeteve “për të vrarë kohën” në gjendjen e panjohur, e pas orëve dedikuar punës, vinin orët që kalonin mes ushtrimeve në shtëpi, leximit të librave e kalimit të lajmeve, lojërave online.

Iu shtua edhe TikTok-u, si një rrjet i ri social, ku mund të gjeje materiale të shkurtra video, humoristike e të këndshme, po aq sa boshe dhe absurde. Çudia mbizotëronte mbi kënaqësinë, e megjithatë algoritmi ishte i frikshëm. E hapja për t’i hedhur një sy për dy-tre minuta, por e gjeja veten po aty pas gjysmë ore.

Eksperienca me TikTok-un zgjati më pak se një javë, por TikTok-u, siç paralajmëronin mediat dedikuar teknologjisë që në vitin 2018, është një rrjet social që mund të ndryshojë thellësisht këtë sektor. Tremujori i parë i vitit 2020 ishte ai me më shumë shkarkime të aplikacionit: 315 milionë, ndërsa tendencat janë vetëm në ngjitje.

Nga bisedat e bëra, normalisht jo me adoleshentë, shumë në Shqipëri e njohën nga lajmi i keq i 10-vjeçarit që humbi jetën në Shkodër duke bërë një sfidë në TikTok. Por jo rasti i vetëm në botë. Absurdi është se lenten zmadhuese për problemet e përdorim pasi ato ndodhin, e shpesh herë vetëm për pak kohë. Pak muaj më parë, një 10-vjeçare humbi jetën në Palermo, ndërsa pastaj një 12-vjeçar në Kolorado. E përbashkëta? E ashtuquajtura “Blackout challenge” në TikTok, një sfidë ekstreme që i shtyn të rinjtë të ndërmarrin veprime të rrezikshme për të vënë në provë rezistencën e tyre.

Ky rrjet social kinez është ndryshe nga të tjerët, sepse në thelb nuk bazohet në përshtypjet e përdoruesve, por atyre u kërkohet vetëm që të prodhojnë përmbajtje hedoniste që është e shkëputur nga konteksti i aktualitetit. Për më tepër, teknikisht nuk është një platformë e mbyllur në vetvete, por përdoruesit mund t’i shpërndajnë këto video të shkurtra 15-sekondëshe edhe në rrjete të tjera sociale, duke rritur shkallën e viralitetit të përmbajtjeve. Ama të mbash ritmin e prodhimtarisë nuk është e lehtë, ndërsa fama e shpejtë është mikluese. Kjo bën të shpiken situata nga më absurdet, që përfshijnë jo vetëm manipulimin e zerit e përdorimin e filtrave për figurën, por edhe inskenimin veprimeve nga më qesharaket deri tek më të rrezikshmet, me shpresën se videoja do të shpërthejë nga suksesi.

Fatkeqësisht dita nuk është më shumë se 24 orë, e duke hequr kohën e gjumit e të angazhimit në disa “të këqija të domosdomshme”, nuk mbetet shumë nga kjo tortë që quhet kohë. Prandaj të gjitha platformave online, kryesisht rrjeteve sociale, u ka dalë një detyrë e vështirë për të vjedhur kohën e përdoruesve të tyre. TikTok-u është një aplikacion rinor, e sipas një studimi të fundit përdoruesit e tij shpenzojnë 52 minuta në ditë në platformë, ndërsa më të rinjtë, ata nga mosha katër vjeç deri në pesëmbëdhjetë, arrijnë deri në 80 minuta.

Normalisht TikTok-u është zhvilluar brenda kontekstit të rrjeteve sociale, por e ka shtyrë atë në një shkallë tjetër. Parimi kryesor, siç komentonte kohë më parë një artikull i La Stampa, është ai i mekanikës kuantike: secilit universin e tij. Kjo realizohet përmes algoritmit, që nga ekspertët e Inteligjencës Artificiale vlerësohet të jetë ndër më të fuqishmit, me njohjen e moshës dhe pëlqimeve të gjithkujt, duke i propozuar brenda disa sekondash përmbajtje sipas shijes. TikTok-u është rrjeti social që kërkon me imponim përdoruesin që prodhon: optimalisht që prodhon video, por së paku që prodhon pëlqime, shpërndarje, komente dhe kalon nga një video te tjetra duke mos arritur të shkëputet nga platforma.

Rreziku më i madh i këtij fenomeni nuk është as privatësia, sepse tashmë jetojmë në një kulturë mbikëqyrjeje. Nga një anë, problemi që vjen nga platforma kineze është mentaliteti që kërkon të injektojë mundësinë e famës së shpejtë përmes idiotësive, përmbajtjes boshe dhe manipulimit e kopjimit banal të imazhit. Nga tjetra, është e vërteta zhgënjyese se fëmijët gjithmonë e më shumë po detyrohen të vendosin më parë marrëdhënien me teknologjinë se me natyrën. Kjo i bën pengje të ekranit dixhital, jo për të përfituar nga ndërlidhja e botës dhe thjeshtësia e përllogaritjeve të ndërlikuara, por si mënyra më e hidhur e shkatërrimit të kohës e të formimit të botëkuptimit, qoftë ky edhe virtual.

Megjithëse në këtë çast, krahasuar në numër përdoruesish, vijon të mbetet shumë më poshtë se Facebook, Youtube apo Instagram, TikTok-u ka tejkaluar shumë prej parashikimeve që ia kishin shkruar fatin si një flluskë kalimtare. Baza e përdoruesve të tij duket se veç do të rritet, sektori i marketingut ka nisur ta shfrytëzojë, por ndoshta nuk jemi gati për t’i bërë rezistencë kësaj tipologjie. E sidomos fëmijët.

Publikuar edhe në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *