Nëse njeh vetëm futbollin atëherë s’di asgjë për të
Futbolli riprodhon besnikërisht numrin më të madh të elementëve të gjuetisë. Përqasja sociologjike dhe antropologjike është një përpjekje thuajse unike për t’i dhënë përgjigje në thelb pyetjes se përse e duam kaq shumë këtë sport dhe e patëm kaq të lehtë të kalonim nga analiza e kurbës së infektimeve tek analiza statistikore e ndeshjeve.
Erjon Uka/ Italia çudit me lojën e bukur, me tre fitoret dhe shtatë golat. Gjermania na zhgënjen e për pak sa nuk e mbyll që në grupe këtë turne. Christian Eriksen i trembi të gjithë dhe shpëtoi për fije falë defribrilatorit që është bërë i detyrueshëm për t’u mbajtur gjatë ndeshjeve të futbollit. Ronaldo me një gjest i shkaktoi Coca-Colas 4 miliardë euro humbje në bursë. UEFA hodhi poshtë kërkesën e Këshillit Bashkiak të Mynihut për të projektuar në stadiumin “Allianz Arena” ngjyrat e ylberit në shenjë solidariteti ndaj komunitetit LGBT+. Danimarka kaloi fazën e grupeve me vetëm 3 pikë, e shumë mendojnë në një ripërsëritje të fitores së pamenduar të vitit 1992.
Në vetëm 11 ditë të Kampionatit Europian, kur sapo ka përfunduar faza me grupe, janë prodhuar më shumë lajme jo-Covid me interes të lartë publik që prej sa s’mbahet mend. Në një artikull të janarit të këtij viti me titullin kuptimplotë “Bota që Covid-i e bëri të padukshme”, Bernard Henry-Levy listonte të paktën trembëdhjetë lajme me rëndësi globale, por që për shkak të kontekstit pandemik u hodhën në koshin e ndodhive të parëndësishme.
Pse nuk ngjau kjo me Euro 2020, i luajtur një vit me vonesë? Pse nuk u bë i padukshëm edhe Kampionati Europian, ndeshjet e përditshme, statistikat, golat, mundësitë e humbura, por përkundrazi virologët u zëvendësuan shpejt nga legjendat e futbollit dhe studiot televizive nga analiza e kurbës së infektimeve kaluan në analizën e ndeshjeve? Ndoshta sepse siç thoshte José Mourinho, “kush njeh vetëm futbollin, nuk e njeh futbollin”.
Për këtë, një prej arsyetimeve më kuptimplota është ai i zoologut Desmond Morris, anglez, në librin “Tribuja e futbollit” ku ai shpjegon se përse topi është kthyer në një magnet të interesit global.
Morris arsyeton se të gjitha sportet kanë natyre tribale, por futbolli më shumë se të gjithë riprodhon në mënyrë besnike disa prej sjelljeve karakteristike të species sonë. Pikënisja e tij për këtë libër antropologjik të botuar fillimisht në vitin 1981 e më pas të ribotuar me përditësime në vitin 2016, është se ajo ç’ka na dallon nga kafshët e tjera lidhet me zakonin e gjuetisë që ka zhvilluar veçoritë fizike dhe mendore duke na bërë më të fortë, më të saktë, më të mprehtë dhe më rezistentë, duke na detyruar të bashkëpunojmë me të tjerët. Por me kalimin e kohës, nga një aktivitet për mbijetesë, gjuetia u kthye në aktivitet argëtues, që evoluon nga ndeshjet e gladiatorëve deri te futbolli në gjysmën e shekullit XIX e në vazhdim.
Në këtë kontekst të ri lojtari është gjahtari, topi është arma dhe porta është preja. Por duke qenë një pré e palëvizshme, rolin e saj detyrimisht e zë një ekip tjetër kundërshtar. Në këtë mënyrë, lojtarëve u del për detyrë të kenë synime të qarta, të shmangin rrezikun fizik, të ndjekin me mprehtësi dhe të bashkëpunojnë me shokët e skuadrës. E thënë shkurt, futbolli sipas Morris riprodhon besnikërisht numrin më të madh të elementëve të gjuetisë. Përqasja sociologjike dhe antropologjike e tij është një përpjekje thuajse unike për t’i dhënë përgjigje në thelb pyetjes se përse e duam kaq shumë futbollin.
Dhe përpos studimit teorik të sjelljeve njerëzore, kryesisht janë tre arsyet kryesore se përse edhe në këtë situatë të vështirë, ku në pjesë të botës e në disa vende të Europës frika pandemike mbetet ende e lartë, një kampionat europian prevalon mbi çdo gjë: traditë, identitet, industrializim. Një trinom perfekt që përmblidhet në sferën e topit.
Është forca e padiskutueshme e traditës, ku Kampioani Europian i fryn qirinjve të gjashtëdhjetë vjetorit, apo ai Botëror që është tridhjetë vjet më i vjetër e që është ndalur vetëm prej Luftës së Dytë Botërore, apo edhe Kupa e Kampionëve, Liga e Europës, për të mos folur për kampionatet e shumë vendeve që e kalojnë shekullin. Në rrokullimën e kohës, tradita shërben si garanci dhe si spirancë për t’i dhënë njerëzve siguri për vazhdimësinë dhe kujtesë historike e kolektive.
Ekipet e futbollit, klubet, por më së shumti kombëtaret, janë edhe pasaporta identiteti në nivel lidhjesh njerëzore, e deri në aleanca diplomatike. Vetë kampionati që po shohim është prova më e madhe e kësaj, ku për të kremtuar ditëlindjen e gjashtëdhjetë, u përzgjodh të luhej jo vetëm në një apo në dy shtete si më parë, por në 13 qytete kryesore të kontinentit. Europa identifikohet me futbollin, tifozët identifikohen me ekipet e tyre, ekipet identifikohen me Europën.
Ama sado romantike të duket deri më tani, nuk duhen mbyllur sytë para industrializimit të futbollit. Është një sport që mund të shpjegohet prej antropologjisë, por mund të shpjegohet sidomos në këtë dekadë edhe prej financave. Vetëm 32 klubet e para europiane vlejnë më shumë se 36 miliardë euro, ndërsa gjithmonë e më shumë lojtarë tashmë po paguhen rreth 3-4 mijë euro vetëm për një prekje topi, për një pasim të thjeshtë. Bota e parasë, duke shfrytëzuar pikërisht lidhjen antropologjike me sportin e futbollin në veçanti, ka fuqinë të imponohet.
Kur lexova për herë të parë një ese të Niklas Luhmann mbi futbollin, nuk e perceptova edhe aq mirë simbolin modern të lehtësisë dhe rëndesës: aty ku mund të fitosh, mund edhe të humbasësh; futbollistët kërcejnë në ajër, por plandosen edhe në tokë; klasifikimet të ngjisin në majë, por të ulin edhe në fund; bilancet financiare po ashtu. Vetë topi, me rrumbullakësinë e tij perfekte, është i lehtë dhe i rëndë në të njëjtën kohë.
Tani sigurisht që thellimi simbolik i Luhmann është më i qartë. Dhe ky Kampionat Europian na e tregon, vitin e kaluar me rëndesën e mungesës, këtë vit me lehtësinë e kthimit në normalitet. Qoftë edhe për disa javë, ku lajmet kryesore le t’i kalojnë topit dhe jo virusit.
Publikuar edhe në tiranapost.al