Montanelli
Duhet të gjejmë një vaksinë kundër inatit të njerëzve

Duhet të gjejmë një vaksinë kundër inatit të njerëzve

Në njëqind vitet e jetes së tij, Edgar Morin ka qenë dëshmitar dhe protagonist i ngjarjeve që kanë modeluar të tashmen tonë. Në këtë intervistë për filozofin italian Mauro Ceruti, Morin thotë se njeriu duhet të heqë dorë nga përpjekja për të parashikuar të ardhmen. Forcën rigjeneruese të njerëzimit e sheh tek edukimi, ndërsa jep edhe recetën për t’u plakur mirë.

I juaji tashmë është një identitet në shumës. Cili jeni në fund të një shekulli?
Një qenie njerëzore.

Por kjo qenie njerëzore ka shumë mbiemra: me origjinë hebreje, pak italian dhe pak spanjoll, thellësisht mesdhetar, qytetar i botës, bir i Tokës-Atdhe. Dhe nga fisi juaj, jeni i pari që lindët në Francë.
Por ama francez u bëra pak nga pak, nga fëmijë deri në adoleshencë, duke përvetësuar gjuhën dhe kulturën e vendit tim. Isha fëmijë emigrantësh, për më tepër pa identitet kombëtar. Erdhën në Paris nga Selaniku, ku të parët e tyre kishin shkuar për të lënë Livornon. Selaniku nga viti 1492 ishte qytet kryesisht sefardian dhe dallohej prej bashkëjetesës paqësore multikulturore në Perandorinë Osmane.

Por jeni bir i një pastrimi etnik europian, i diasporës sefardiane të lindur nga persekutimi spanjoll i vitit 1492.
Sidoqoftë rrënjët e mia nuk kishin përmbajtje kulturore. Familja ime nuk më edukoi në sinagogë. Në një farë mënyre, e zbulova më vonë se isha hebre.

Në këtë zbulim Rezistenca ishte vendimtare …
Ndërgjegjja lindi në barbarinë që pushtoi Francën. Edgar David Nahoum u bë Edgar Morin. Por pas çlirimit, në dokumentet e mia doja t’i mbaja të dy identitetet: Nahoum, pra Morin…

Dhe kështu vetëdija e rrënjëve tuaja u bë pjesë e formimit humanist.
Ndihem neomarran, bir i Montaigne dhe i Spinoza-s, që u anatemua pikërisht nga sinagoga. I njoh rrënjët e mia hebraike, por ndihem bir i një populli të mallkuar, jo i një populli të zgjedhur. Prandaj ndjej keqardhje për të gjithë të nënshtruarit, të kolonizuarit. Rrënjët e mia hebraike janë dobësuar gjatë formimit tim humanist dhe universalist.

Prandaj herë pas here, ju gjithashtu keni vuajtur ashpër në mënyrë paradoksale akuzën e diskriminimit dhe margjinalizimit.
Kur vihet në dyshim e vërteta e fakteve dhe nderi, duhet ditur të pranojmë vetminë dhe devijancën. Sot më shumë se kurrë, sepse qëndrimi për të degraduar tjetrin në mënyrën më të ndyrë po përhapet në mënyrë të pakontrolluar. Duhet të kërkojmë një vaksinë kundër inatit, meqë jemi në epidemi.

Jeni gjithashtu përkrahës i kulturës europiane, gjithsesi me shumë “por”…
Siç dihet, nga këndvështrimi politik jam ndjerë europian nga fillimi i viteve ’70 kur kuptova se fuqia çnjerëzore kolonialiste e Europës kishte humbur. Europa mbeti një gjë e dobët. Por sot sërish druhem se mos humbas besimin tek Europa. E shoh të nënshtruar ndaj forcave teknoburokratike, shoh emigrantët afganë dhe sirianë. Por ka qenë pikërisht kultura humaniste europiane që më ka rrënjosur thellë në ndjenja fatin e njerëzimit. Dhe në thelb Europa, siç kemi shkruar bashkë, ka qenë gjithmonë bijë e së papriturës. Në fund, gjithmonë ka shpëtuar.

Njëqind vite jetë. Njëqind vite histori. Të ndërthurur ngushtësisht. Keni jetuar si protagonist çdo ngjarje thelbësore. Çfarë ju kanë mësuar?
Të mos besojmë në përjetësinë e së tashmes, në parashikueshmërinë e së ardhmes. Duhet të presim të papriturën, edhe pse nuk mund ta parashikojmë. Jeta është lundrim në oqeanin e paqartësisë, me disa ishuj sigurie. Gjithçka që na pret është e paparashikueshme: dashuritë, dhimbjet, sëmundjet, puna, zgjedhjet, vdekja. Nuk duhet të anestetizojmë pasigurinë dhe paparashikueshmërinë.

Keni përjetuar mondializimin, që nisi me luftërat botërore dhe keni përjetuar lindjen e formimin e sistemeve totalitare laike, të një natyre të panjohur më parë. Keni përjetuar Rezistencën, autokritikën përballë besimit komunist… Dhe keni qenë në gjendje të dalloni dhe lexoni gjendjet e fenomeneve të papara ose ende të paparashikueshme: kinemaja, industria kulturore, lindja e një kulture adoleshente, maji i vitit ’68, fundi i luftës së ftohtë, globalizimi …
Por periudha më e rëndësishme e shekullit tim nis në vitin 1945 në Hiroshima, pra me mundësinë teknike për shfarrosjen e njerëzimit. Deri atëherë ishte diçka e pamendueshme. Mundësia e vetë-asgjësimit u bë më pas një shpatë Demokleu mbi njerëzimin edhe me degradimin e planetit, në mëshirën e një zhvillimi të pakontrolluar ekonomiko-teknologjik karakterizuar nga një etje e pashtershme për fitim. Qytetërimi ynë prodhon mjetet e vdekjes së tij.

Por që prej viteve ’80 shpresa e jetës së ardhshme duket se iu besua një ideologjie trans-humaniste, interpretim euforik i teknikave gjenetike mjekësore dhe inteligjencës artificiale.
Po. Miti trans-humanist riprodhon mitin e pavdekësisë. Mundësia teknike e zgjatjes së jetës njerëzore të bën të imagjinosh një shoqëri krejtësisht drejt inteligjencës artificiale, në një pseudo harmoni. Kjo ëndërr e trans-humanizmit është në të njëjtën kohë një makth i keq. Njeriu i “fuqizuar” është miti i ri i fuqisë njerëzore mbi natyrën. Dhe është perspektiva e një mbinjerëzimi të kufizuar në një kastë, në të cilën ne dhe njerëzit e tjerë do të ishim në një lloj aparteidi. Ky mit harron reformat e mëdha morale dhe intelektuale për të cilat kemi nevojë në mënyrë urgjente.

Pra një shekull kompleks, me një mundësi të pandodhur më parë të vdekjes globale, por në të njëjtën kohë me mbi-njerëzimin. Çfarë duket në horizont?
Fenomeni i bashkimit tekniko-ekonomik të botës nga kapitalizmi dhe media kanë krijuar një bashkësi të fatit planetar njerëzor, i cili vihet përballë rreziqeve të mëdha. Mund të imagjinojmë skenarë të ndryshëm, dhe gjithashtu të përziejmë skenarët katastrofikë me skenarët trans-humanistë. Jemi në pasiguri totale. E ardhmja është plotësisht e errët.

Duket se nuk ka ndonjë forcë rigjeneruese të njerëzimit. Nëse do të kishte, cilat do të ishin?
Njerëzimi mund të rigjenerohet përmes edukimit me një mendim më të përshtatshëm, atë që ne e quajme mendim kompleks. Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë njohuri. Por janë të fragmentarizuara, e për pasojë të papërshtatshme për të trajtuar problemet e mëdha globale, që na shfaqen në përmasa të ndryshme dhe të ndërthurura. Na e mësoi edhe pandemia. Është një fenomen shumëpërmasor dhe global. Prek jetën tonë personale biologjike, jetën tonë të përditshme, e deri edhe fatin e shteteve dhe të njerëzimit mbarë.

Fund i ideologjive, fund i historisë, fund i progresit, fund i së ardhmes?
Komunizmi nën formën e tij bolshevike leniniste, ishte pasardhësi i fundit i mesianizmit judeo-kristian. Marksi ishte profesi, një lloj Shën Pali nëse mund të thuhet, i këtij mesianizmi të ri. Sigurisht që e bëri laik, por gjithsesi ruajti aspektin e mbrojtjes, të mbajtjes dhe të apokalipsit. Rasti i vetëm në të cilin ky mesianizëm ishte në gjendje të aplikohej në mënyrë të qëndrueshme, ishte në atë vend të madh që quhej Bashkimi Sovjetik. Por pikërisht ky sukses ishte dështim total krahasuar me mendimin dhe ëndrrën e tij. Dhe jo vetëm. Kjo arritje shkaktoi shkatërrimin e vet dhe kthimin e atyre që kishte dashur të eliminonte: fetë dhe regjimet e vjetra.

A do të ketë një mesianizëm të ri?
Nuk e di. Jemi në një periudhë transformimesh të mëdha. Do të zgjasë shumë. Dhe kjo më bren pak, sepse nuk do të jem në gjendje të shoh aq larg në kohë.

Gjithsesi imagjinata juaj shtyhet gjithmonë e më në thellësi…
Imagjinarja është pjesë ndërtuese e realitetit njerëzor, i cili nuk përbëhet vetëm nga ekonomia. Por aty përfshihet edhe miti, feja, ideologjia. Ndërtohet nga arsyeja dhe pasioni. Jemi Homo sapiens/ demens. Arsyeja e ftohtë e përllogaritjes është çnjerëzore, nuk mund të shohë kompleksitetin e jetëve tona, të përbëra nga lumturia dhe trishtimi, nga ëndrrat dhe dëshirat… Sigurisht, arsyeja duhet të mbajë zgjuar pasionin, por pasioni është karburanti i arsyes.

Jeta juaj e jashtëzakonshme është vënë në lëvizje nga kurioziteti, kurajo, nga habia…
Mbijetesa është e nevojshme për jetën, por një jetë e reduktuar në mbijetesë nuk është më jetë. Këtë ndjesi e kam zhvilluar që fëmijë e më pas nuk më ka braktisur kurrë, duke provokuar tek unë neveri për këdo që shtyp dhe poshtëron. Kur isha dymbëdhjetë vjeç më tronditën lypësit në “Opera për tre grosh” dhe mbi të gjitha të poshtëruarit e Dostojevskit. Sa jetë të dënuara me mbijetesë. Gjithmonë tek unë ka qenë gjallë dhembshuria për të fyerit dhe sot më shumë se kurrë shumë prej tyre janë të tillë për shkak të origjinës apo të ngjyrës së lëkurës. Një politikë humaniste duhet të krijojë kushte jo vetëm për të mbijetuar, por për të jetuar.

Librat tuaj tregojnë momentet tragjike, por edhe momentet entuziaste të shekullit tuaj.
Nëse ka një të vërtetë në jetën time, është e vërteta e poezisë. Jo vetëm ajo e poetëve, por ajo e jetës, që na rrit dhe na mrekullon. Poezia supreme është ajo e dashurisë. Por është edhe ajo e historisë, që tregohet në momentet e lirisë, vëllazërisë, kreativitetit. Ah! 26 gushti 1944, çlirimi i Parisit, të gjitha ato këmbanat e kishave që nisën të bien… Dhe ajo violinçelë e Rostropovich që më 9 nëntor 1989 luajti pjesë nga Bach në këmbët e Murit të paqëtuar…

Pra nuk jemi në fund të historisë?
Por jo! Jemi njerëz pikërisht sepse jemi të paplotë. Dhe kjo krijon tek ne ndjenjën e mungesës, e cila na zhvendos tek e pashkelura, tek e pandodhura.

Sidoqoftë mbetet rreziku i fatkeqësive historike, dhe tani në një shkallë planetare.
Rikthimi i barbarive është gjithmonë i mundshëm. Asgjë që është arritur, nuk mund të merret si e mirëqenë përgjithmonë. Historia na mëson se nuk mësojmë nga historia. Duhet të zhvillojmë vetëdijen e komunitetit tonë të lidhur me fatin. Kemi të njëjtat probleme të përbashkëta të jetës dhe të vdekjes, por kjo ndërgjegje nuk po përhapet mes qytetarëve dhe nuk është e pranishme në pjesën më të madhe të politikanëve, të ekonomistëve dhe teknokratëve. Sigurisht që ka vetëdije dhe lëvizje të shpërndara, por nuk ka forca koherente me një kulturë adekuate

Ç’mund të bëjmë për t’u plakur mirë?
Duhet mbajtur gjallë kureshtja prej fëmije, aspiratat prej adoleshenti, përgjegjësitë e të rriturit dhe gjatë plakjes të mundohesh të marrësh më të mirën e eksperiencave të kaluara. Gjithmonë duhet të jemi të aftë për t’u habitur dhe të pyesim mbi atë që është normale dhe e qartë, për të detoksifikuar mendjen dhe për të zhvilluar një shpirt kritik.

*Edgar Morin është filozof dhe sociolog francez, i lindur në Paris më 1921. Vepra e tij voluminoze përbëhet kryesisht nga analiza e fenomeneve kulturore në marrëdhënie me mjetet e komunikimit masiv dhe nga epistemologjia e shkencave humane, që ka kulmuar me veprën “Metoda”. Së fundi ka shkruar librin “Të ndryshojmë rrugë” kushtuar koronavirusit. Intervista e realizuar nga filozofi italian Mauro Ceruti, botuar në “Sette” u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Publikuar edhe në Tiranapost.al

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *