Borges
Viti 2022, të ndërtojmë normalitetin

Viti 2022, të ndërtojmë normalitetin

Nga Yascha Mounk/ Në fund të vitit 2020 bota dukej e zymtë, por kishte arsye të shumta për të shpresuar se 2021 do të ishte goxha më i mirë. Vala e dytë e Covid po përhapej me shpejtësi në gjithë planetin, por krijimi i vaksinave jetëshpëtuese, që premtonin t’i jepnin fund një herë e mirë pandemisë, ishte i pashmangshëm. Në Shtetet e Bashkuara, prej Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump vazhdonte të propagandonte gënjeshtra të rrezikshme, por Joe Biden dukej gati për t’i riparuar shumicën e dëmeve të shkaktuara nga paraardhësi i tij dhe të bënte të mundur që vendi ta tejkalonte atë valë mërie të atyre ditëve. Autokratë si Vladimir Putin përpiqeshin të mbillnin pasiguri, por pjesa tjetër e botës dukej tamam në gjendjen për të rimarrë fuqitë dhe vendosmërinë.

Të gjitha këto pritshmëri e bënë 2021 një vit dëshpërimesh të hidhura. Dhe tani që sapo mbaroi, bota duket shumë më e pasigurt nga sa do të pritej dymbëdhjetë muaj më parë. Diktatorët duken edhe më arrogantë se më parë, me Putinin që ka rreshtuar njëqind mijë burra përgjatë kufirit rus, në tentativë të dukshme për të pushtuar Ukrainën. Shtetet e Bashkuara ngjajnë më te përçara se kurrë, ku Trump vazhdon të gëzojë mbështetje të zjarrtë nga Partia Republikane dhe të një pjesë të konsiderueshme të elektoratit. Dhe ç’është më e trishtueshme, pandemia refuzon të zhduket, ku varianti Omicron i shmanget imunitetit të vaksinave.

Kështu që viti 2022 paralajmërohet si një vit vendimesh: një pikë e rëndësishme kthese, që do të përcaktojë të ashtuquajturin “normaliteti i ri”. A do të sjellë luftëra të reja ky normalitet i ri në zemër të Europës? Apo do të sjellë një zbrapsje tjetër të demokratëve në SHBA? Apo do të konfirmojë llahtarinë e një virusi i cili do të dëmtojë edhe më thellë marrëdhëniet sociale, të vëna në provë të vështirë prej thuajse dy vitesh?

Ç’ka e bën edhe më shqetësuese panoramën është se liderët demokratë duket se nuk kanë asnjë kontroll mbi situatën. Njerëzit e thjeshtë akoma edhe më pak. Nëse NATO dhe Bashkimi Europian nuk duan të fillojnë erozionin e plotë të pjesës më thelbësore të rendit të pasluftës në Europë, që do ta detyronte të bëhej pjesë e pushtimeve territoriale me mjete luftarake, duhet të vihen seriozisht në lëvizje për të neutralizuar Rusinë. Edhe nëse do ta bënin, Putin gjithsesi mund të zgjedhë planin për një konflikt dhe pushtim gjakatar. Nëse demokratët duan të shmangin që në vitin 2022 republikanët të marrin kontrollin e Kongresit, duke ngritur themelet për një rikthim të Donald Trump, duhet t’i bashkojnë pikat më të papajtueshme të programit të tyre dhe të heqin dorë nga disa qëndrime thellësisht antipopullore. Edhe nëse do të zgjedhin këtë rrugë, në zgjedhjet e mesmandatit me shumë gjasa do të marrin një goditje solemne. Nëse duam t’i japim fund kësaj pandemie duhet ta reformojmë, bazuar në inovacion, sistemin shëndetësor, duke i hequr pengesat burokratike, duke mbështetur eksperimentimet e barnave dhe duke përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave. Por edhe nëse bëjnë gjithçka që duhet bërë, variantet e reja të virusit, edhe më të rrezikshme, mund ta zgjasin pandeminë për dymbëdhjetë muaj të tjerë.

Pra, cilat do të duhej të ishin qëllimet tona në fillim të këtij viti 2022?

Ashtu si shumë të tjerë në periudha paqartësie që kanë shënjuar dy mijëvjeçarët e fundit, edhe unë e gjeta veten duke lexuar tekstet e vjetra të stoikëve. Për shumë prej mbështetësve të saj, filozofia stoike nxit veprimin. Kemi përgjegjësinë për të bërë ç’të jetë e mundur për t’iu bindur detyrave që rolet dhe pozicionet tona sociale na imponojnë: prindërit duhet të rrisin fëmijët, mësuesit duhet të edukojnë nxënësit dhe të gjithë ne duhet të mbikëqyrim bashkëqytetarët tanë (për aq kohë sa në një demokraci të vërtetë, edhe qytetaria imponon një lloj roli që krijon pritshmëri dhe përgjegjshmëri). Dhe ç’është më e rëndësishmja, na mëson se si mund ta shijojmë plotësisht jetën duke pranuar se nuk e kemi nën kontroll fatin tonë.

Në kohët e paqartësive të mëdha, si kjo që po jetojmë, duhet të kemi vendosmërinë për të shijuar çdo gjë të mirë në botë, qoftë edhe me vetëdijen se të nesërmen nuk mund ta gjejmë më.

Sa i takon virusit, në vitin 2022 angazhohem në nivel personal që të vazhdoj të bëj aq sa kam në dorë për t’i ndihmuar të gjithë në mposhtjen e pandemisë, duke iu përgjigjur fushatave të vaksinimit, duke informuar njerëzit mbi rreziqet e varianteve të reja dhe duke respektuar çdo masë që bazohet në arsye të shëndoshë me qëllim pakësimin e shanseve për infektim. Por do të përpiqem shumë që jeta ime sociale dhe aftësitë e mia për të planifikuar të ardhmen të mos varen më nga lajmet e orës së fundit në lidhje me Covid.

Dhe nëse viti 2022 do të jetë viti në të cilin virusi do të bëhet endemik, të gjithë ne do të na duhet të mësohemi me bashkëjetesën me të, në kuptimin më të plotë, të gëzueshëm dhe njerëzor të fjalës.

*Yascha Mounk është shkrimtar dhe politolog gjermano-amerikan, profesor në “John Hopkins University” dhe themelues i “Persuasion”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *