Borges
Lufta u nxit nga grupet mafioze: Sulmi në Ukrainë u bë për gaz, ar dhe drogë

Lufta u nxit nga grupet mafioze: Sulmi në Ukrainë u bë për gaz, ar dhe drogë

Shpërndani në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  

Nga Roberto Saviano/ Pyes veten se si ka mundësi që në debatin ndërkombëtar mungon totalisht pyetja thelbësore: cili është roli i organizatave mafioze në këtë luftë? Nëse ka një gjë që për vite me radhë ka mbajtur të bashkuara Ukrainën dhe Rusinë, ajo është mafia. Dhe kjo është një luftë që pas maskës gjeopolitike të konfliktit me NATO-n dhe Europës, ka vokacionin mafioz. Të shohësh se si po sillen klanet mafioze, do të thotë të kuptosh Luftën.

Krimi i organizuar rus dhe ai ukrainas kanë qenë gjithmonë vëllezër binjakë. Organizata më e madhe mafioze ruse “Solncevskaja bratva” udhëhiqet nga një dyshe e njohur: rusi Sergej Michajlov, me psudonimin “Michas” dhe ukrainasi Semyon Mogilevich që i thonë “The Brain”. Për të kuptuar fuqinë e tyre ekonomike, po përdor disa shifra nga një studim i kryer mes viteve 1996 dhe 2011 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër drogës dhe krimit: 1 miliardë dollarë është fitimi vjetor i eksportit të heroinës në Kinë, 8 miliardë dollarë nga ndërmjetësimi i shitjes së heroinës afgane, 620 milionë dollarë nga druri i shfrytëzuar ilegalisht për tregun kinez të ndërtimit.

Gazi

Çfarë e ka nxitur në dekadat e kaluara aleancën politike ruso-ukrainase, që më pas iu delegua mafies? Përgjigja është një dhe e vetme: gazi. Kompania e brokerimit të gazit RosUkrEnergo (e cila e ka bazën në Zvicër dhe 50% të aksioneve i përkasin gjigantit rus Gazprom) u krijua në vitin 2004 nga ish-presidenti ukrainas Leonid Kuchma dhe Vladimir Putin: ajo i dërgonte Naftogazit, kompanisë kombëtare ukrainase të naftës dhe gazit, gaz nga Turkmenistani. Naftogaz duhej të blinte nga kjo firmë ndërmjetëse ruse dhe duhej të shiste gaz vetëm në Ukrainë. RosUkrEnergo, e cila u shiste gaz ukrainasve, e shiste atë me një çmim më të lartë nga ç’ishte çmimi i tregut dhe ndër të tjera i detyronte t’ua jepnin falas gazin zonave pro-ruse të Krimesë dhe Donbasit.

Tre shtyllat

Aleanca bazohej në tre shtylla: Mogilevich, bosi ukrainas në krye të mafies ruse, i mbështetur nga Vladimir Putin dhe Dmytro Firtash. Ky i fundit ishte ndërmjetës mes Gazpromit dhe kryeministrit ukrainas (nga 2002 në 2007 dhe më pas nga 2010 në 2014) Viktor Janukovyc. Aleanca mafioze nën pushtetin e “Solncevskaja bratva” nuk qëndronte vetëm në shpërndarjen e dividentit të RosUkrEnergo (nga viti 2005 deri në 2007 kanë qenë 1.753 miliardë dollarë) por vjedhja e gazit në tranzit përmes Ukrainës drejt shteteve të tjera i lejonte grupeve mafioze ta shisnin kontrabandë në shoqëri të tjera të importimit të gazit.

Fitonin si nga gazi i ligjshëm, ashtu edhe nga gazi i vjedhur. Ukraina trajtohej si një koloni nga e cila nxirreshin të ardhura të mëdha pa paguar taksa, ndërsa fondet depozitoheshin në parajsa fiskale në det të hapur. Firtash u largua nga Ukraina për t’u strehuar në Austri, në mënyrë që të shmangte ekstradimin dhe akuzohet në Shtetet e Bashkuara për korrupsion në vlerë 500 milionë dollarë. Ai ishte i lidhur me presidentin e fushatës së Trump, Paul Manafort. Firtash e ka zbuluar vetë se aleanca ruso-ukrainase bazohej në një marrëveshje mafioze dhe këtë e dimë falë dokumenteve të çmuara të publikuara nga Wikileaks: në një takim konfidencial me ambasadorin amerikan William Taylor në vitin 2008, ai pranoi se ishte Mogilevich fuqia e vërtetë e firmës së ndërmjetësimit.

“E papritura” Maidan

Çfarë e ndërpreu këtë skemë mafioze në të cilën ishte mbërthyer Ukraina? E papritura që as “Solncevskaja bratva” nuk mund ta parashikonte ishte revolucioni në sheshin Maidan në vitin 2014. Kryengritja e popullit ukrainas që lidhej me dëshirën europiane e hodhi në erë këtë marrëveshje mafioze. Europa, nën shantazhin e gazit rus, e la vetëm Ukrainën në këtë stinë të re pavarësie, por mbi të gjitha në përpjekjen për çlirim nga pushteti mafioz. “Kumbarët” përfituan nga tensioni në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë për të rritur pushtetin e tyre. Krimea është qendra e kontrabandës mes Europës dhe Rusisë. Deti i Zi dhe Odesa janë hapësirat e mëdha në të cilat qarkullon benzina e shitur kontrabandë, tonelata me qymyr ngarkohen në mënyrë të jashtëligjshme për t’u transportuar në gjysmën e botës, ashtu sikundër edhe heroinë apo ar. Çdo gjë që mund t’i bëjë bisht barrës së taksave në këmbim të një takse për mafian e kumbarëve, kalon aty.

Gazetarja ruse Yuliya Polukhina ka formuluar një sintezë të qartë: “Përfituesit e kësaj lufte janë politikanët, oligarkët dhe gangsterrët. Qymyr, ar, benzinë dhe duhan. Për këto është duke u luftuar në Ukrainë”. Marrja nën kontroll e Donbasit dhe Krimesë, përpos të gjithave shërbeu për të mbrojtur marrëveshjet mafioze. Separatistët kanë ngritur krye për të krijuar republika autonome në Donetsk dhe Lugansk, por ato s’janë gjë tjetër veçse republika mafioze të krijuara për llogari të Moskës.

Hija e ndarjes

Në akuzën që i bëri autoriteteve ukrainase, Putin i quajti “bandë drogaxhinjsh dhe neonazistë”. Fraza “drogaxhinj” i përket qartësisht rolit që Ukraina luan në ekonominë e narkotrafikut, por Putin hiqet sikur nuk e di se është pikërisht mafia ruse që e organizon të gjithën. Por a mund të ketë më shumë pas kësaj? Ndoshta kartelet ukrainase po tërhiqen nga aleanca e tyre historike me “bratvat” e Moskës? Mafia ukrainase po ndahet ashtu si vetë Ukraina? Është vendosur që të mos i nënshtrohen më grupeve të Krimesë? Duan t’i shpëtojnë dominimit të familjeve të Donetskut? Kjo është tema e vërtetë që duhet kuptuar në orët në vijim.

*Roberto Saviano është shkrimtar dhe gazetar italian. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.