Borges
Perëndimorët që vlerësonin “carin rus” tani duhet ta qepin gojën!

Perëndimorët që vlerësonin “carin rus” tani duhet ta qepin gojën!

Nga Vladimir Sorokin/ Në 24 shkurt, armatura që Vladimir Putin e mbante veshur si autokrat shkëlqyes prej njëzetë vitesh ra dhe u shkërmoq copë e çikë. Bota ishte dëshmitare me sytë e saj se si u krijua një përbindësh i çmendur në dëshira dhe i pamëshirshëm në vendimmarrje.

Përbindëshi u rrit dalë-ngadalë, duke u forcuar vit pas viti, i zhytur në një enë që përmbante despotizëm absolut, agresion perandorak, urrejtje ndaj demokracisë perëndimore dhe ligësi të ushqyer prej mllefit të shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Tashmë Europa nuk do të duhet të merret më me Putinin e vjetër, por me atë të riun, atë që ka hequr një herë e mirë maskën prej partneri biznesi dhe bashkëpunëtori paqësor. Me të nuk do të ketë më kurrë paqe.

Si mundi të ndodhë? Në vitin 1999, kur u vu në fronin rus nga Boris Jelcini i vujtur, Putin kishte një fytyrë simpatike, madje tërheqëse. Shumëkujt iu duk se njeriu që ishte ngjitur në majën e Piramidës së Pushtetit në Rusi ishte një zyrtar inteligjent, pa krenari të tepruar dhe pa arrogancë, një njeri modern, i vetëdijshëm se përpara Rusisë post-sovjetike po hapej vetëm një rrugë: demokracia. Në atë kohë, Putini vetëm për këtë fliste në intervistat e tij, duke u premtuar qytetarëve të Federatës Ruse reforma të vazhdueshme, zgjedhje të lira, liri të shprehjes, bashkëpunim me Perëndimin dhe, më e rëndësishmja, një rotacion të vazhdueshëm të pushtetit.

Në Rusi, siç të gjithë e dinë, njerëzit u besojnë ende fjalëve dhe mënyrës se si paraqiten situatat nga qeveritarët e tyre. Në atë kohë, Putini ishte një “individ i denjë nga të gjitha këndvështrimet”, siç shkruan Nikolai Gogol për protagonistin e tij te “Frymë të vdekura”: i hapur për debate, i kuptueshëm ndaj kujtdo, autoritar por jo pa sens humori.

Përpos kësaj, e kanë mbështetur disa politikanë, intelektualë dhe ekspertë të gjeopolitikës që sot janë haptazi kundërshtarë të sistemit të tij. Disa madje kanë kaluar nëpër dyert e selisë së tij në fshat për ta ndihmuar të fitojë zgjedhjet. Dhe ai i fitoi. Por unaza fatale e pushtetit i qëndronte tashmë në gisht. Në Rusi, pushteti është një piramidë: kështu e donte Ivani i Tmerrshëm në shekullin e gjashtëmbëdhjetë – një car ambicioz dhe brutal, që vuante nga paranoja dhe shumë vese të tjera edhe më të rënda.

Në mënyrë paradoksale, parimi rus për pushtetin nuk ka ndryshuar aspak në pesë shekuj. Kjo për mua është tragjedia më e rëndë e vendit tonë. Putini prej më shumë se njëzetë vitesh qëndron ulur në majë të asaj piramide. E theu premtimin dhe u kap me gjithë forcën pas karriges së tij. Piramida e pushtetit i helmon ata që mbretërojnë me autoritarizëm absolut. U krijon ndjesi arkaike dhe mesjetare si atyre që mbretërojnë, ashtu edhe të tjerëve në rrethin e ngushtë.

Duke gjykuar nga ngjarjet e ditëve të fundit, Putini është gllabëruar nga ideja e rindërtimit të perandorisë ruse. Pasi erdhi në pushtet, ai filloi të transformohej: ata që në fillim e pritën mirë regjimin e tij, pak nga pak e kuptuan se ndryshimet e tij nuk premtonin asgjë të mirë për Rusinë.

Si një akullnajë e madhe, vendi vazhdoi të notonte në të kaluarën e tij, fillimisht në atë sovjetike, pastaj veçse në atë mesjetare. Putin deklaroi se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e rëndë e shekullit XX. Në të vërtetë, për popullin sovjetik ishte një bekim sepse është e pamundur të gjesh një familje të vetme që doli e padëmtuar nga spastrimet e mëdha staliniste.

Miliona njerëz u vranë, ndërsa Putini nuk arriti kurrë të distancohej nga funksionari i KGB-së, nga njeriu që u rrit duke mësuar se Bashkimi Sovjetik ishte shpresa e vetme për progresin e qenies njerëzore dhe se Perëndimi ishte armiku i korruptuar. Lëshimi i gjithë makinerisë së pushtetit kah e shkuara do të thotë rikthim në rininë sovjetike, në atë kohë kur gjithçka ishte kaq mirë. Dhe pak nga pak, i detyroi të gjithë bashkëkombasit të riktheheshin atje.

Ligësia e piramidës së pushtetit qëndron në faktin se kushdo që ndodhet në krye të saj, e përhap gjendjen psikosomatike tek e gjithë popullsia. Ideologjia Putiniste është disi eklektike: në të, respekti për gënjeshtrat sovjetike shkon paralelisht me etikën feudale, Lenini ndan të njëjtin shtrat me Rusinë cariste dhe krishterimin ortodoks rus.

Angela Merkel ka pranuar se sipas saj, Putini jeton në botën e tij imagjinare. Nëse është kështu, çfarë kuptimi ka ta ketë pasur si bashkëbisedues? Për gjashtëmbëdhjetë vjet, Merkel, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore dhe për këtë arsye mund ta kuptonte natyrën e vërtetë të presidentit, “hyri në dialog me të”. Ç’të mirë solli? Pushtimin e disa territoreve në Gjeorgji, aneksimin e Krimesë, konfiskimin e Donbasit dhe Luganskut? Dhe tani një luftë të hapur me Ukrainën? Pas luftës me Gjeorgjinë dhe pushtimit të territoreve të saj, Obama i ofroi Putinit as më shumë e as më pak se fillimin e marrëdhënieve nga e para mes tyre! Pak a shumë si të thuash: “Epo mirë Vladimir, le të harrojmë ç’ndohi dhe të nisim një marrëdhënie të re”. Rezultati i kësaj ishte së pari aneksimi i Krimesë dhe lufta në Ukrainë tani.

Përbindëshi brenda Putinit është ushqyer gjithashtu nga përkrahja e politikanëve të papërgjegjshëm perëndimorë, sekserëve cinikë dhe gazetarëve e politologëve të korruptuar. E megjithatë, tani Putini ka e kaloi kufirin me këtë luftë. Një vijë e kuqe. Maska i ka rënë, armatura e tij e ndritur autokrate është çarë.

Tani të gjithë perëndimorët që shkonin mirë me “carin e fortë rus” duhet ta qepin gojën dhe të kuptojnë se ai ka plasur një luftë në Europën e shekullit XXI. Agresori është Rusia e Putinit dhe nuk do të mbjellë gjë tjetër veçse vdekje dhe mjerim në Europë. Synimi i tij i vërtetë nuk është Ukraina, por e gjithë shoqëria perëndimore.

I kujt është faji? I yni. I ne rusëve. Do ta mbajmë ne barrën e fajit derisa regjimi i Putinit të bjerë. Sepse një gjë është e sigurt: regjimi i tij do të shembet dhe agresioni kundër Ukrainës së lirë është vetëm fillimi i fundit.

Putinizmi është i pashpresë sepse është armik i lirisë dhe i demokracisë. Më në fund, sot njerëzit e kuptuan këtë. Putini dëshiron të shkelë liritë e njeriut. Ai është i dënuar sepse është e kaluara. Ne duhet të bëjmë gjithçka, gjithë sa kemi fuqi, që ai përbindësh të mbetet atje, në të kaluarën, përgjithmonë.

*Vladimir Sorokin është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist rus. Në shqip janë botuar disa libra të tij si “Kremlini prej sheqeri”, “Stuhia e deborës” apo “Dita e opricnjikut”. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *