Të gjitha
Shkatërrimi i Putinit do të jetë i dhimbshëm për të gjithë, por ky është shansi i fundit për ta bërë

Shkatërrimi i Putinit do të jetë i dhimbshëm për të gjithë, por ky është shansi i fundit për ta bërë

Garry Kasparov, a do të paguajë një çmim Europa për këtë luftë? 
Që të jemi realistë, po. Dhe çmimi për t’u paguar mund të jetë i lartë, pas njëzetë vitesh pakujdesi. Njëzetë vite pa dëgjuar askënd që paralajmëronte se Putini nuk ishte vetëm problem ynë, por do të kthehej në problem të të gjithëve. Të gjithë diktatorët, pasi kanë nënshtruar popullin e tyre dhe pas shkatërrimit të opozitës, e hedhin vështrimin jashtë vendit. Putini për njëzetë vite nuk pati asnjë pasojë për krimet e tij.

Luftëra në Çeçeni, në Gjeorgji, në Siri, në Ukrainë në vitin 2014…
Bombardimet ne Alepo, aneksimi i Krimesë, vrasja e Litvinenkos, helmimi i Skripal. E me çfarë pasojash? Disa sanksione të parëndësishme. Dhe ndryshe nga Hitleri, çdo gjë e bëri në dritë të diellit. Në vitin 1939 nuk i kishim teknologjitë për të kontrolluar se si Hitleri po planifikonte sulmin e Polonisë. Putini nuk u fsheh kurrë. Gjithashtu ka ngritur rrjetin më me influencë të lobistëve dhe agjentëve nëpër botë. Chamberlain dhe ata që në vitet ’30 nuk donin të vepronin kundër Hitlerit, gabuan rëndë. Por Chamberlain nuk bëri kurrë marrëveshje me Hitlerin. Ishte naiv. Ndërsa politikanët e sotëm zgjodhën të bënin pazare me Putinin dhe shumë prej tyre figurojnë në borderonë e tij.

Nëse përgjigja e Europës nuk do të jetë e fortë, do të thotë se ka shumë para ruse në qarkullim? 
Quhet korrupsion. Parasë ruse i lejohet të ndikojë në çdo nivel të jetës amerikane, por mbi të gjitha asaj europiane, qoftë kjo politikë, jetë sociale, sport apo biznes. Qindra miliarda të shpërndara në botën e lirë. Pse nuk ikën këto para në Kinë, Venezuelë apo Iran, por shkuan në Vjenë, Mynih, Milano, Paris, Londër, Nju Jork? Mos t’ia nënvlerësojnë ndikimin këtyre parave.

Kështu kemi bërë?
Putini nuk i ka fshehur qëllimet e tij, ka qenë i sinqertë si Hitleri në “Mein Kampf”. E thotë prej vitesh se Ukraina nuk është shtet sovran. Të gjithë i lanë duart. Ka thënë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe. Prej 15 vitesh e ka vënë në tavolinë vizionin e tij. Ka qenë në koherencë me vetveten për të çuar programin përpara, për më tepër që s’ka parë asnjë reagim nga bota e lirë, dhe ka thënë: E pse jo? Mund të bëj çdo gjë!

Po tani, e ka tejkaluar vijën e kuqe të Perëndimit?
Këtë duhet ta tregojë bota e lirë. Në fakt i dëgjojmë të flasin vetëm për çmimin ekonomik, që natyrisht qëndron edhe ai. Por ama ukrainasit po e paguajnë me jetë, ndërsa ata që flasin për çmim ekonomik në euro a në dollar, duhet t’u vijë turp. Po përpiqen të masin dëmet ekonomike përballë sakrificës së jetëve njerëzore.

Disa mendojnë se mund të jetë fundi i Putinit, pasi oligarkët do të revoltohen. Ka gjasa të ndodhë?
E patë elitën e Putinit në Këshillin e Sigurisë?

Ishin të terrorizuar…
Të jesh i terrorizuar sepse nuk je dakord me një diktator, nuk do të thotë se je gati të ngresh krye. Ata janë të terrorizuar, por po presin se ç’do të bëjë Perëndimit.

Mund të jetë ky fundi i tij?
Po, por duhet reagim. Perëndimi duhet t’i tregojë se duhet të paguajë një çmim për atë që bëri. Nëse bota e lirë përsëri nuk reagon siç duhet, ata do t’i thonë vetes se gjithçka është në rregull, se mund të mbijetojnë. Nëse nuk ka kosto për agresionin, nëse makineria e luftës e Putinit nuk pushon së punuari sepse falimenton, nëse nuk e falimentoni tani regjimin e Putinit, elita nuk do të ngrejë as gishtin. Të ngresh krye ndaj Putinit nënkupton t’i japësh fund jetës. Askush nuk do ta bëjë diçka të tillë, nëse nuk i kërcënohen drejtpërdrejtë miliardat që ka mbledhur në botën e lirë.

Nëse bankat e mëdha ruse përjashtohen nga tregjet e euro-dollarit, sistemi gjunjëzohet, apo jo?
Këtë kërkoj: Të nxirret Rusia jashtë tregjeve financiare globale. Nëse sistemi financiar rus nuk është i qëndrueshëm, nuk do të mund të gjenerojë resurse për makinën e luftës së Putinit, edhe pse ai mbështetet gjithmonë në rezervën prej 600 miliardë dollarësh.

Kaq para do të mjaftonin vetëm për të shpëtuar dy bankat më të mëdha ruse?
E saktë. Nëse merret borxhi sovran, ose ai i Gazprom dhe Rosneft, industria ruse falimenton. Por për ta bërë këtë duhet vullnet politik, sepse do të ketë pasoja në pjesën tjetër të botës. Çmimi i naftës mund të rritet, mund të kemi stuhi për një kohë të caktuar. Por nëse nuk bëhet tani, çmimi për ta ndaluar Putinin do të rritet përsëri. Ky është momenti i fundit në të cilin mund të bëhet pa sakrifikuar jetë njerëzore në botën e lirë.

Pse? 
Sepse nëse sulmohet Estonia, Lituania apo Polonia, hyjmë në një përmasë tjetër. Kina ndërkohë po vëzhgon me vëmendje. Nëse Putini arrin të shkatërrojë ushtrinë ukrainase, të marrë Kievin dhe të vendosë një qeveri kukull, ky bëhet një format i gatshëm për t’u zbatuar nga Kina në Tajvan. Një sulm mbi Tajvanin, do t’i detyronte amerikanët të ndërhynin ushtarakisht. Prandaj ky është momenti i fundit kur mund ta dëmtojnë makinën ushtarake të Putinit dhe të shkatërrojmë shtetin e tij mafioz dhe burokratik, pa nxjerrë asnjë ushtar në terren.

*Garry Kasparov është ish-kampioni i botës në shah, shkrimtar, politikan dhe activist rus. Nga viti 1984 deri në vitin 2005 kur u tërhoq nga karriera sportive, ishte numri një në botë me rekordin e 255 muajve në krye të klasifikimit botëror. Prej vitit 2013 është larguar nga Rusia. Intervista për Federico Fubini u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.