Lufta s’ndalet aq kollaj
Nga Pierre Haski/ Duhet të dimë se si ndalet një luftë, por ekzistojnë disa kushte që duhen respektuar e që për fat të keq në Ukrainë nuk janë pjekur akoma.
Më 28 shkurt, në Bjellorusi u zhvillua takimi i parë midis përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që nga fillimi i luftës. Por në realitet, pesë ditë pas fillimit të armiqësive dhe pa një avantazh vendimtar për asnjërën palë, nuk kishte asnjë shpresë për të arritur te përfundimi i konfliktit.
E vetmja shenjë pozitive është fakti se dy delegacionet premtuan të takoheshin sërish. Dështimi ishte edhe më i parashikueshëm, nëse marrim parasysh faktin se në të njëjtin moment, presidenti francez Emmanuel Macron fliste në telefon me Vladimir Putinin. Përgjatë bisedës, e cila zgjati një orë e gjysmë, presidenti rus përsëriti kërkesat e tij ndaj kolegut francez, të cilat përkthehen në një dorëzim të Ukrainës: pretendim i papranueshëm për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyj.
Ky është ende një moment lufte dhe vetëm për këtë të vërtetë mund të flasim aktualisht. Macron, i cili ka luajtur rolin e bashkëbiseduesit të parë të Putinit gjatë këtyre javëve, ka gjetur përballë një njeri të hedhur “në sulm” dhe të aftë për të përshkallëzuar veprimet ushtarake. Kjo përshtypje pasqyrohet në terren, nga ku lajmet për një bombardim masiv të ndërtesave të banimit në Kharviv ditën e 28 shkurtit (me disa viktima civile) dhe për autokolonën me përforcime ruse në drejtim të Kievit, kryeqytetit ukrainas, na thonë se mbetet ende i vlefshëm objektivi i pushtimit.
Realiteti i terrenit ndriçon një tjetër aspekt: E sigurt që Putini nuk u angazhua në një konflikt të këtyre përmasave, që më pas të heqë dorë pa marrë asgjë tjetër veçse pushtimin e pak pëllëmbëve tokë që s’e juftifikojnë koston e operacionit. Siç duket, dorëzimi nuk është as në natyrën e tij dhe as bën pjesë aktualisht në spektrin e emocioneve.
Putin merr parasysh vetëm balancat e fuqive. Rusia sigurisht e ka nënvlerësuar rezistencën e ushtrisë ukrainase, e cila nuk u tret me goditjen e parë të topit, siç dukej se kishte shpresuar presidenti rus kur e quajti qeverinë në Kiev “të paligjshme”. Ai duket i vendosur për të dërguar më shumë forca në front.
Rreziku, duke gjykuar nga përvoja e kaluar e ushtrisë ruse në Çeçeni apo Siri, është se Moska mund të vendosë të sulmojë qendrat urbane pa u shqetësuar për popullsinë civile. Për këtë arsye po zhvillohet një garë shpejtësie mes veprimeve të ushtrisë ruse dhe asaj që po ndodh në nivel ndërkombëtar, një aspekt tjetër i nënvlerësuar nga Putini.
Brenda pak ditësh, perëndimorët reaguan ashpër, duke vendosur sanksione jashtëzakonisht të rënda ekonomike dhe financiare dhe duke krijuar një front të përbashkuar mbështetjeje për Ukrainën. Askush nuk e priste. Perëndimorët kanë për qëllim të rrisin koston e kësaj lufte për Putinin, me shpresë ta detyrojnë të arsyetojë dhe ta ulin në tryezën e bisedimeve pa paragjykime. Por kjo logjikë klasike mund të mos funksionojë me një njeri që nuk heziton të tundë armën bërthamore për të frikësuar kundërshtarët e tij.
Konflikti duket se do të zgjasë dhe nuk do të përfundojë derisa Putini të vendosë se kostoja e luftës është e tepërt. E gjatë kësaj periudhe, sigurisht që këmbëngulja e ukrainasve dhe aleatëve të tyre do të vihet në provë.
*Pierre Haski është gazetar francez me fokus politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka qenë korrespondent në Afrikën e Jugut, në Jeruzalem e në Kinë dhe është autor i disa librave. Aktualisht drejton emisionin radiofonik “France Inter” me fokus gjeopolitikën. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.