Ai është një mjeran që s’e duron dot zhvillimin
Nga Manuel Vilas/ Asnjë demokraci perëndimore nuk i erdhi në ndihmë Spanjës në muajt që pasuan 18 korrikun e vitit 1936 dhe prej atëherë Franko hyri në Barcelonë si zot shtëpie në janarin e vitit 1939. Hitleri e pushtoi Poloninë, i bindur se i takonte. Putini kërkon ta aneksojë Ukrainën sepse edhe ai është i bindur se i përket. Por le të kthehemi ta shohim historinë si një ushtrim shkatërrimtar dhe faktesh të ndodhura tashmë. Ama të mos gënjehet askush: pas agresionit të Putinit mbi rendin ndërkombëtar, bota ndodhet nën një kërcënim të vazhdueshëm ndaj kulturës dhe demokracive perëndimore. Armiku i Putinit është klasa e mesme europiane dhe prosperiteti i saj ekonomik. Putini, si gjahtar, po na ndjek të gjithëve.
Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të dërgojnë trupa për të mbrojtur Ukrainën, sepse Bashkimi Europian po përjeton një tjetër moment historik, një evolucion politik dhe ideologjik në të cilin koncepti i luftës dhe i gjakderdhjes është sa i neveritshëm aq edhe i papranueshëm. Ndërsa për Putinin, lufta nuk është aspak e neveritshme, madje mbetet instrumenti më i mirë i veprimit politik. Ai e dinte mirë se asnjë vend i civilizuar nuk do të vinte në rrezik jetën e qoftë një qytetari të vetëm apo ushtari profesionist. Për ne, jeta është e shenjtë. Por jo për Putinin. Edhe Franko e dinte se në fund të gjithçkaje, demokracitë perëndimore do ta gëlltisnin frankizmin.
Vlera e jetës
Na vjen keq për Ukrainën, që dëshirën e saj për modernizim dhe përparim përmes afrimit me Francën e Gjermaninë e sheh të rrënuar nga një post-stalinist, botëkuptimi i të cilit bazohet në skllavëri, shantazh, shtypje dhe vdekje. Mbi Europë është rikthyer hija e errët e Mesjetës. Nuk do të ketë më një Lord Bajron që do të marrë armët për të mbrojtur pavarësinë e Ukrainës. Nëse bisha kënaqet me Ukrainën, ne do të jemi të sigurt, dhe kjo është ajo që të gjithë po mendojmë. Putini përmend si justifikim praninë e NATO-s, por sot NATO i ngjason më shumë një shërbimi privat të mbikëqyrjes së vilave të pasanikëve, sesa një ushtrie vërtetë efektive.
Për Putinin, NATO është një pretekst i shkëlqyer. Mesjetarizmi, komunizmi, stalinizmi, tanket, bombat, ushtria: këto janë çfarë na sjell ky njeri. Për gjithë klasën e mesme europiane, domethënë për të gjithë lexuesit e këtij artikulli: Putini po ju kërcënon dhe kërcënon stilin tuaj të jetesës që ky njeri e konsideron të papranueshëm. Nuk duron dot zhvillimin, rritjen ekonomike, pasurinë kulturore, shoqëritë kritike që kontestojnë pushtetin politik. Nuk duron dot shtypin e lirë, romanet, filmat, parfumet, plazhet, hotelet, këpucët e reja dhe puthjet e homoseksualëve në rrugë. Nuk e kapërdin dot konceptin e qytetarisë bazuar në kënaqësinë dhe luksin e jetesës. As demokracinë. Në të vërtetë, është një i mjerë që nuk ka kuptuar asgjë.
Zgjedhja e kaosit
E sheh zhvillimin e vendeve perëndimore si një poshtërim personal dhe në vend se të modernizojë modelin ekonomik të Rusisë, zgjedh kaosin ndërkombëtar dhe agresionin kundër vendeve që përpiqen të rriten duke ndjekur rrugët e drejta. Rusia është një fatkeqësi ekonomike, një vend i prapambetur, por krenohet me një ushtri të vjetëruar ama të bindur, një strukturë staliniste e pushtetit ushtarak. E vetmja gjë që zotëron është aftësia për t’u sjellë vdekjen qytetarëve të vet, pa asnjë shkak. Ukraina do të bjerë, por luftën përfundimtare Putini do ta humbasë, sepse është një luftë që nuk kryhet me bomba dhe tanqe, por me ide. Gabimi i Putinit është ai i përhershmi, i njëjti që Unamuno i përmendi Frankos: Do të fitoni, por nuk do të bindni. Shmangia nga lufta për Putinin është bijë e shtatëdhjetë viteve komunizëm. Dhe komunizmi di të shprehet vetëm përmes armëve. Ama s’mund të themi pse utopia komuniste – një keqinterpretim që sot mban era kalbërisë – vazhdon të jetë në skenë.
Utopia komuniste
Ky lloj komunizmi i paqartë prodhon krijesa të çuditshme dhe patetike, si Maduro dhe Putini, por megjithatë është pikërisht ky komunizëm që josh disa intelektualë delirantë të gatshëm ta blejnë mallin e tij ideologjik, pasi në këtë mënyrë mendojnë se po kundërshtojnë imperializmin amerikan.
Është një analizë e sëmurë, aq më tepër kur kihet parasysh se Trump gjithmonë e ka lavdëruar Putinin, e ka admiruar dhe madje do t’i pëlqente të ishte si ai. Nëse nuk u bë si Putini, është vetëm falë faktit që Shtetet e Bashkuara janë një demokraci, ndërsa Rusia jo. Trump nuk ka pasur kurrë fuqitë e Putinit. Kjo është arsyeja pse mbi demokracitë qëndron gjithmonë kërcënimi.
Demokracia
Në të vërtetë, demokracia do të jetë gjithmonë nën kërcënim për aq kohë sa të ekzistojnë vende jo-demokratike, në po të njëjtën mënyrë në të cilën një regjim autoritar do të kërcënohet nga demokracia. Mbizotërimi i papërballueshëm moral i demokracive perëndimore është një kërcënim për Rusinë post-sovjetik.
Masa më e goditur që u miratua kundër Putinit, ishte ngrirja e llogarive bankare personale që ai ka jashtë vendit. Nuk ka dënim më të keq sesa ta detyrosh Putinin t’i kalojë vitet e mbetura të jetës në Rusinë e mrekullueshme që vetë krijoi. E njëjta gjë ndodhi me Frankon, i cili u detyrua të endej në Spanjën e tij të mrekullueshme frankiste. Por ne, pavarësisht vuajtjeve të sotme, e dimë se historia do ta mposhtë Putinin dhe në fund do të mbizotërojë e bukura e botës dhe mirësia e popujve.
*Manuel Vilas është shkrimtar dhe poet spanjoll. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.