Borges
E bukura e asaj që s’do të dimë kurrë

E bukura e asaj që s’do të dimë kurrë

Nga Pico Iyer/ Në një mëngjes të ngrohtë tetori, zbrita nga treni i natës në Mandalay, ish kryeqyteti i vërtetë i Birmanisë, sot Myanmar. Në rrugë u ndesha me një tufë burrash, që qëndronin në këmbë pranë karrocave të tyre. Njëri m’u afrua dhe më propozoi një xhiro për të më treguar zonën. Çmimi që më kërkoi ishte skandaloz. Ishte më pak nga ç’do të paguaja për një çokollatë në shtëpi.

Kështu që hipa në karrocën e tij, ndërsa pedalonte ngadalë mes pallateve dhe pagodave. Ndërkohë, më tregoi se si ishte zhvendosur nga fshati në qytet. Ishte diplomuar për matematikë. Ëndrra e tij ishte të bëhej mësues.

Por sigurisht, jeta në një diktaturë ushtarake është e vështirë, dhe për momentin, kjo ishte e vetmja mënyrë për të siguruar jetesën. Ai më tha se shumë netë flinte edhe në karrocën e tij, që të ishte në kohë për të pritur vizitorët e parë që vinin me tren nate. Dhe shpejt zbuluam se në disa aspekte, kishim shumë të përbashkëta: të dy ishim rreth të njëzetave, të dy të interesuar për kulturat e huaja, kështu që ai më ftoi në shtëpinë e tij.

I lamë pas vetes rrugët e gjera e të ngarkuara dhe filluam të kalonim nëpër shtigje të egra e të pabanuara. Kudo kishte kasolle të rrënuara. E humba fare fillin se ku isha dhe kuptova se gjithçka mund të më ndodhte. Mund të më kishin grabitur, droguar ose edhe më keq. Askush nuk do ta dinte.

Më në fund u ndal dhe më çoi në një barakë, në të cilën kishte vetëm një dhomë të vogël. Pastaj ai u shtri në tokë dhe rrëshqiti krahun nën shtratin e tij. Më ngriu zemra. Prisja të shihja se çfarë do të dilte. Nxori një kuti. Brenda gjendeshin të gjitha letrat që kishte marrë nga vizitorë të huaj dhe në disa prej tyre kishte ngjitur fotografi të vogla bardh e zi të miqve të tij të huaj.

Kështu që kur atë natë më përshëndeti duke më thënë “mirupafshim”, kuptova se më kishte treguar kuptimin e vërtetë të të udhëtuarit, domethënë ta lëshosh veten, të ikësh, të udhëtosh brenda dhe jashtë vetes, në vende që nuk do të kishe shkuar kurrë ndryshe, të zhytesh në të panjohurën, drejt paqartësisë dhe madje drejt frikës.

Kur je në shtëpi e ke jashtëzakonisht të lehtë të mendosh se gjithçka e ke nën kontroll. Kur jemi jashtë, kujtohemi se nuk është kështu, ndërsa arsyet përse ndodh kjo gjë, s’mund t’i kuptojmë të gjitha. Gjithmonë ka diçka që na shpëton dhe mbetet e panjohur për ne, derisa dikush e ndriçon edhe atë rrugë.

Nuk mendoj se injoranca është lumturi. Padyshim shkenca e ka bërë jetën tonë më të ndriçuar, më të gjatë dhe më të shëndetshme. E kundërta e dijes nuk është gjithmonë injoranca. Mund të jetë habia. Ose misteri. Mundësia. Dhe në jetën time, kam kuptuar se ato që më kanë bërë të eci përpara janë pikërisht gjërat që nuk i di. Mosdija ishte ajo që më afroi me njerëzit që kam përreth, me ata që më motivojnë dhe më japin shpresë.

Kohët e fundit, çdo vit për 8 nëntor, kam udhëtuar nëpër Japoni me Dalai Lamën. Dhe gjëja që ai thotë çdo ditë dhe që mesa duket i qetëson dhe u ngjall më shumë besim njerëzve është: “Nuk e di”.

“Çfarë do të ndodhë në Tibet?” “Kur do të vijë më në fund paqja në botë?” “Cila është mënyra më e mirë për të rritur një fëmijë?”

“Me thënë të drejtën”, thotë ky njeri shumë i mençur, “nuk e di”.

Ekonomisti Daniel Kahneman, fitues i çmimit Nobel, ka kaluar mbi 60 vite duke studiuar sjelljen njerëzore, dhe përfundimi i tij është se kemi jemi gjithmonë shumë të sigurtë për atë që mendojmë se dimë, nga sa duhet të ishim në të vërtetë. Sipas fjalëve të tij të paharrueshme, ne kemi një “kapacitet të pakufizuar për të injoruar injorancën tonë”. Ne e dimë se “skuadra jonë do të fitojë këtë fundjavë” dhe për këto gjëra që i dimë mendojmë vetëm në rastet e rralla që dalin të vërteta. Shumicën e kohës jemi në errësirë. Dhe këtu gjendet intimiteti i vërtetë.

Dija është një dhuratë e paçmuar. Por iluzioni i dijes mund të jetë më i rrezikshëm se injoranca. Të mendosh se e njeh dashurinë ose armikun tënd mund të jetë më e rrezikshme sesa të pranosh se nuk do t’i njohësh kurrë.

Jam shkrimtar me kohë të plotë prej 34 vitesh dhe ajo që kam mësuar është se ndryshimet vijnë kur nuk jam unë ai që e kam kontrollin, kur nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas, kur nuk ndihem më i madh krahasuar me gjithë sa më rrethon. Ngjan pak a shumë me ligjin e madh të “udhëtimit”: je i fortë vetëm kur je gati të dorëzohesh.

*Pico Iyer është shkrimtar dhe gazetar britanik, i njohur për krijimtarinë e tij të udhëtimeve. Autor i shumë librave dhe kontribues në media të ndryshme si “Time”, “Harper’s”, “The New York Times” etj. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *