Mendel
Tre tendenca për vitin 2023: rrjetet sociale do të jenë më artificiale, por mbi të gjitha inteligjente

Tre tendenca për vitin 2023: rrjetet sociale do të jenë më artificiale, por mbi të gjitha inteligjente

Nga Gianni Riotta/ Si do të jenë rrjetet sociale në vitin 2023? “Shumë të vështirë për t’u parashikuar, sepse evoluojnë me shpejtësi, të ndikuar nga faktorë të shumëfishtë. Por mund të themi se prirje e së ardhmes do të jetë ajo e rregullave më të fortë. Platformat sociale kanë qenë nën provë për dezinformim dhe menaxhimin tregtar të të dhënave të përdoruesve.” Ky tekst i referohet Aktit të Shërbimeve Dixhitale dhe Kodit të Sjelljes të Bashkimit Europian, që do të imponojë përgjegjësi më të mëdha mbi platformat dhe është e mundur që edhe në SHBA të miratohen ligje antitrust kundër pushtetit së tepërt të markave dixhitale. Nën vëzhgim të veçantë është Elon Musk, shefi i Twitter-it, pas censurës së vendosur mbi gazetat dhe çmontimin e filtrave, megjithëse të brishtë, të dezinformimit.

Por pyetjeve se si do të jetë viti 2023 online, të drejtat dhe siguria, nuk i përgjigjet dikush që punon në qendrat Pew, Economist, Reuters, Datareportal, por iu drejtuam inteligjencës artificiale të ChatGPT, një rrjet i ri social i menaxhuar nga një rrjet nervor që magjeps miliona njerëz, bën detyrat e shtëpisë për fëmijët, shkruan artikuj të mprehtë dhe raporte shteruese, me mençuri dhe përpikmëri.

Sipas ChatGPT, “qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës ndarja e të dhënave private me kompanitë, prandaj do t’u drejtohen platformave që e garantojnë privatësinë”. Parashikimi konfirmon krizën e cookies, të cilat menaxhojnë shijet tona dhe publicitetin, ndërsa në “Mastodon” ku liluputët sfidojnë Gulliver Musk-un, punohet në këtë drejtim.

Profecia e tretë për vitin 2023 nga ChatGPT ka të bëjë me “efektet negative të rrjeteve sociale mbi psikologjinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Do të duhen të përmirësohen mesazhet cilësore kundër çrregullimit aktual”. “New Yorker”, “Atlantic”, “Guardian”, “Freedom House” shpalosin skenarë të zymtë për të ardhmen online: “metafora e Kullës së Babelit… vitet e budallallëkut të Historisë”, “mina për demokracinë…”, “mjete që kanë aftësinë të na vjedhin vëmendjen për llogari të…”.

Është e vërtetë që edhe në 2023 lajmet e rreme dhe urrejtja online do të shtohen, sepse platformat bëjnë shumë pak ose aspak kundër Makinerisë së Gënjeshtrës. Një studim i “RESET”, Institut për Transparencë i drejtuar nga Ben Scott dhe Datalab Luiss, provojnë se si në zgjedhjet italiane të vitit 2022 asnjë rrjet social nuk pengoi fushatat automatike me bots kundër Giorgia Meloni-t dhe Enrico Letta-s, objektivi i lobit të unifikuar pro-Kremlinit, No Vax dhe No Greenpass. Duke folur për veten, ChatGPT përfundon me zell: “Do të vërejmë një prani më të madhe të automatizimit dhe inteligjencës artificiale në internet. Interneti zotëron përmbajtje dhe të dhëna të pafundme, ku vetëm rrjetat nervore dhe Inteligjenca Artificiale ??do të jenë në gjendje t’i menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme”.

Duke parë një adoleshente të përhumbur në celularin e saj, mund të vini bast se ajo po shikon ose po krijon një video për ta shpërndarë përmes YouTube ose TikTok. Do të jetë e kujdesshme t’i shmanget publicitetit të padëshiruar, ndoshta duke eksperimentuar si një influencuese e re, përmes promovimit të një marke lokale ose një fushate për mbrojtjen e të drejtave. Facebook e ka humbur kontrollin ndaj fëmijëve, sepse në vitin 2014, 70% e adoleshentëve përdornin platformën e Zuckerberg-ut, ndërsa sot më pak se 30%. Facebook-u është një rrjet social për prindërit dhe gjyshërit, kurse për fëmijët, nipërit e mbesat është TikTok, që lejon përdorimin e menjëhershëm dhe viral si të ishin ritmet e muzikës rap. Facebook, sot Meta, i themeluar në vitin 2004, u ka ikur tashmë moshave nën 17 vjeç, por YouTube, pjesë e Google dhe e lindur në vitin 2005, mbetet shumë i njohur në shkolla falë videove, me 95% të përdoruesve, ndjekur nga 65% nga shumë i diskutuari rrjet social kinez TikTok. Musk po mediton nëse do të duhet të rilançojë “Vine”, një platformë e harruar videosh.

Përpara se të dëshpëroheni si armiqtë e së ardhmes duke thënë “Mjaft me Web!”, bëni dy përllogaritje me Datareportal: 4.74 miliardë qenie njerëzore janë aktive sot në internet, 4.2% më shumë se në 2021 dhe në vitin 2023 do të jenë mbi 5 miliardë. Gjashtë nga dhjetë burrat dhe gratë e kësaj toke jetojnë në Planetin Social dhe, siç vëren gazetarja e çmimit Nobel për Paqen, Maria Ressa, pavarësisht nga e keqja që gjeneron rrjeti, tjetërsimi i tij nuk jep pastërti, vetëm braktisje të botës më reale: madje edhe Papa Françesku donte të festonte 10 vjetorin e tij në Twitter.

Në vitin 2023 do të përpunohen burime të reja, si “Magic Avatar” nga Lensa që gjeneron portrete dixhitale me Inteligjencë Artificiale për të luajtur me identitetet, “Canva Docs” me “Shkrim Magjik” dhe “Lex” nga Every për të gjeneruar automatikisht tekste, raporte të bashkëpronësisë ose romane sentimentale. Mes heronjve dhe vrasësve, të varurve dhe xhelatëve iranianë, patriotëve ukrainas dhe persekutorëve rusë, shkencës dhe injorancës, dashurisë dhe urrejtjes, na takon neve ta zotërojmë me kokëfortësi teknologjinë online në drejtim të së mirës, ??madje edhe duke e transformuar veten në njerëz-robotë me ChatGpt.

*Gianni Riotta është gazetar dhe shkrimtar Italian, dhe contributor në “La Stampa”. Më parë ka qenë kryeredaktor në “Il Sole 24 Ore”, “Rai3” dhe “TG1”. Gjithashtu kontribuon në “Washingon Post”, “Le Monde”, “Foreign Policy” dhe “New York Times”. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *