Montanelli
Filloje nga shtëpia jote

Filloje nga shtëpia jote

Jonathan Safran Foer është ithtar i hapave të vegjël. Është e kotë të flasësh për problemet e botës, për të nisur nga ato mjedisore, nëse nuk ndryshojmë stilin e jetës. Shkrimtari amerikan bën një bilanc dhe jep disa këshilla në këtë fillimviti.

Do të donim të flisnim për të ardhmen.
Gjendem në shtëpinë time në Brooklyn, në studion time. Moti është parashikueshmërisht i paparashikueshëm: njezetë gradë më ftohtë se dje. Radiatorët fërshëllejnë teksa përpiqen të vazhdojnë ngrohjen. Vajza ime e porsalindur është pranë meje. Tund krevatin e saj me këmbë për ta përgjumur përsëri sa herë që qentë lehin pas zhurmës së ziles. Më duket e drejtë të shkruaj për të ardhmen, në një kohë që e ardhmja realisht po ëndërron pranë meje. Ajo quhet Alba.

Momenti historik nuk është i lehtë, cila është gjendja juaj shpirtërore?
E ardhmja më mbush me shpresë dhe frikë. Si mund të mos i ndjej të dyja ekstremet? Përveç “burimeve” të zakonshme të frikës – ndryshimet klimatike, sëmundjet, ardhja e fashizmit (në Amerikë dhe jashtë saj), rritja e pabarazive në të gjitha format e saj – vitin e shkuar antisemitizmi u bë sërish pjesë e kulturës amerikane dhe e jetës sime. Është e frikshme dhe e trishtë. Nuk është alarmante të pyesësh nëse Amerika do të jetë ende një demokraci liberale në dekadën e ardhshme apo nëse do të jetë një shtëpi e sigurt për hebrenjtë. Vlerat amerikane kanë ndryshuar kaq shumë, prandaj pyes veten nëse është një vend i mirë për të rritur një fëmijë.

Po mendoni të lini Shtetet e Bashkuara?
Po rimendoj zhvendosjen në Itali bashkë me familjen. E kisha menduar kur i druhesha një mandati të dytë të Donald Trump. Pastaj siç të gjithë e dinë përveç Trump-it, Biden fitoi dhe në dukje u rikthye një lloj normaliteti. Por frika ime nuk është zhdukur. Për breza, asnjë nga anëtarët e familjes sime nuk ka vdekur në të njëjtin vend ku kanë lindur. Mendova se do ta thyeja këtë trend, por nuk jam më aq i sigurt.

Sugjeroni tre veprime konkrete për të përmirësuar jetët tona.
E para: ndaloni së përdoruri rrjetet sociale. Tashmë është komplet e qartë se rrjetet sociale ishin një eksperiment i dështuar, që na kanë bërë më të vetmuar, më të nevrikosur, më të depresionuar, më të varfër në ngjyrat e jetës dhe thuajse komplet të paaftë për të kryer biseda produktive. Prishin vetëbesimin, zgjedhjet, kulturën. E dyta: ndaloni së ngrëni mishin e viçit. Ky është hapi më i rëndësishëm që një individ mund të marrë për të ndaluar ndryshimin e klimës. E treta: kërkoni qetësinë. Qetësia është e kundërta e rrjeteve sociale. Është konteksti i pranisë, vëmendjes, përulësisë dhe çlirimit të egos. Kam ndjerë se meditimi është ndihmë e madhe. Një muaj më parë, hoqa dorë nga telefoni im në favor të diçkaje shumë më rudimentare (por ende praktike). Ishte ndryshimi më rrënjësor në jetën time gjatë viteve të fundit. Ka gjithnjë e më pak hapësira – fizike ose kohore – për soditje. Prandaj duhet të këmbëngulim në krijimin e tyre.

Është e mjaftueshme për planetin të ndryshojmë stilin e jetesës?
Nuk mund ta shpëtojmë planetin vetëm duke ndryshuar stilin e jetesës. Ne kemi nevojë për ndryshime legjislative, ndryshime sistemike, lloj ndryshimesh që vetëm qeveritë dhe koorporatat mund të bëjnë. Por ne nuk mund ta shpëtojmë planetin pa ndryshuar stilin e jetesës. Ne nuk kemi asnjë shpresë, nuk do të ketë të ardhme njerëzore, nëse nuk ndryshojmë si individë, komunitete, vende dhe ekosisteme globale. Megjithatë, duhet thënë se vendimet dhe zgjedhjet tona nuk kanë qenë kurrë më parë kaq të monitoruara sa sot. Amazon, Google, Apple, Facebook i dinë ndryshimet e preferencave dhe të zakoneve tona. Individët nuk kanë qenë kurrë kaq të pafuqishëm apo të fuqishëm sa tani.

Pse politika entuziasmohet pak nga kriza mjedisore?
Problemi tani nuk është vetëdija se ndryshimet klimatike po ndodhin, gjë që e pranon 91% e amerikanëve. Problemi është përgjigja jonë emotive ndaj asaj që dimë, ose paaftësia për të besuar tërësisht të vërtetën se planeti po nxehet për shkak të aktivitetit njerëzor. Kjo gjë u përket si liberalëve edhe konservatorëve. Nëse do të besonim vërtet në shkencë, do të ishim të gatshëm të bënim sakrifica të vogla në të tashmen për të shmangur kataklizmat e ardhshme.

Çfarë mendimi keni mbi aktivistët që dëmtojnë pikturat për të tërhequr vëmendjen për çështjen ambientaliste?
Nuk jam ndonjë përkrahës i madh i shkatërrimit si formë angazhimi publik. Dhe pyes veten nëse arti është shënjestra më e mirë. Ama jemi në një moment krize. Jemi përtej pragut të të qenit të arsimuar, përtej pritjes që të mbizotërojë arsyeja, përtej besimit në çdo diskutim. Nëse fëmijët e mi do të gjendeshin në ndonjë muze në flakë, nuk do të hezitoja të ndizja zjarrin mbi piktura, edhe me koston e shkatërrimit të tyre. Nipërit tanë do të jetojnë në një planet nën flakë dhe gjithë synimi ynë është të marrim sa më shumë para. Veprat e artit janë bërë simboli ynë më i madh i pasurisë: kjo është arsyeja pse ata që janë shumë të pasur interesohen kaq shumë për pikturat.

A nuk mendoni se mund të zgjidhen mënyra të tjera kontestimi?
Sigurisht. Një bojkot ndaj industrisë së mishit do të ishte shumë më efektiv sesa shkatërrimi i pikturave. Do të kishte vlerë më të madhe simbolike dhe në të njëjtën kohë do të kishte një ndikim të menjëhershëm dhe të konsiderueshëm në botën reale. Pra, në vend që të hidhet ketchup mbi piktura, ndoshta është më mirë të mos e vendosim atë mbi hamburgers?

Në romanin “Gjithçka është e ndriçuar” tregoni për origjinën ukrainase të familjes suaj. Si po përjetoni luftën?
Gjyshja ime i konsideronte ukrainasit bashkëpunëtorë të nazistëve. Kur pas luftës u kthye në fshatin e saj ukrainas, u ndalua nga një i njohur, i cili i tregoi se duhej të largohej. Ukrainasit po mbaronin punën që kishin nisur gjermanët. Jam rritur duke dëgjuar këtë histori, duke kultivuar diçka mes frikës dhe urrejtjes për Ukrainën. Në moshën 30 vjeçare mësova se gjyshi im u vetëvra pas emigroi në Shtetet e Bashkuara. Duke tërhequr këtë fill, u zbëthye një histori tronditëse: ajo e një gruaje dhe e një fëmije të vrarë nga nazistët, por edhe e një familjeje fshatarësh ukrainas që i fshehu dhe u shpëtoi jetën. Nuk e kam takuar kurrë gjyshin tim, por kur u përballa me tragjedinë e tij, kuptova se Ukraina është një vend të cilit i detyrohem për jetën. Konflikti aktual ka nxjerrë në pah ndjenjën time të thellë të borxhliut. Paaftësia ime për të bërë diçka konkrete më bën të ndihem i turpëruar.

A mund të jetë letërsia etike?
Rrëfimet më efikase, ato që “godasin si sëpatë detin e ngrirë brenda nesh”, për të cituar Kafkën, janë ato që nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç ndershmërisë.

*Jonathan Safran Foer është shkrimtar amerikan, autor i katër romaneve dhe tre librave eseistikë. I angazhuar në çështjet ambientaliste, ai është gjithashtu pedagog i shkrimit kreativ në “New York University”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *