Borges
Një marrëveshje e gjelbër njerëzore

Një marrëveshje e gjelbër njerëzore

Nga Andrés Rodriguez-Pose/ Ndryshimi klimatik dhe degradimi mjedisor janë dy nga sfidat madhore të njerëzimit për shekullin XXI. Nëse ndryshimi klimatik – i ndërlidhur me rritjen e emetimeve të gazrave serrë – nuk do të vihet nën kontroll, do t’i sjellë dëme të pakthyeshme sistemeve meteorologjike dhe klimatike të planetit tonë, duke shkaktuar mes pasojave të tjera, një frekuencë gjithnjë e më në rritje të katastrofave atmosferike dhe rritjes së nivelit të deteve.

Këto fenomene do të kenë një ndikim të thellë në kushtet e jetesës në gjithë planetin. Nëse më herët aktivistët e klimës dhe ekspertët kanë kritikuar ngadalësinë me të cilën zbatohen politikat e zbutjes së këtyre efekteve, një numër gjithnjë e më i madh vendesh duken se janë ndërgjegjësuar mbi urgjencën e sfidës klimatike. Në vitin 2015, 193 shtete nënshkruan Marrëveshjen e Parisit, për t’u angazhuar në përballimin e çështjeve që lidhen me reduktimin e ndryshimeve klimatike, përshtatjen dhe financat.

Marrëveshja, që imponon detyrim ligjor, synon të mbajë rritjen e temperaturave mesatare nën 2 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial, idealisht duke e kufizuar atë në 1.5 gradë. Kjo do të reduktonte ndjeshëm efektet negative të ndryshimit klimatik. Në vitin 2020, Bashkimi Europian e respektoi duke miratuar Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, një kombinim iniciativash të tërthorta që synojnë ndalimin e emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2050 dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të pavarur nga përdorimi i burimeve natyrore.

Meqë është një angazhim ndërsektorial i orientuar drejt një qëllimi, Marrëveshja e Gjelbër do të ketë implikime të thella mbi shpërndarjen e pasurisë dhe vendeve të punës në rajone të ndryshme të Europës. Për të arritur objektivat e vendosura, do të veprojë në pika të ndryshme ndërsektoriale. Në veçanti, pesë sektorë të mëdhenj – energjia, sektori agroushqimor, prodhimi, sektori imobiliar dhe transporti – do të transformohen plotësisht. Këta janë sektorët që kontribuojnë më shumë në emetimet e gazeve serrë: industritë energjitike shkaktojnë 28 përqind të emetimeve totale në Bashkimin Europian, transporti pothuajse 25 përqind dhe bujqësia 10 përqind. Me shpalljen e Marrëveshjes së Gjelbër, vendet europiane po vihen në ballë të luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe synojnë të bëhen liderë botërorë në konceptimin, projektimin, prodhimin dhe shpërndarjen e teknologjive të gjelbra dhe të qëndrueshme për sektorët që do të duhet të zgjidhin aktivitetin e tyre ekonomik.

E megjithatë, Marrëveshja e Gjelbër po ndërhyn në një kontekst territorial tashmë të polarizuar. Aktiviteti ekonomik i sektorëve të prekur është shpërndarë në mënyrë shumë të parregullt dhe shumë prej rajoneve që do të jenë më së shumti të interesuara për transformimet e nevojshme drejt tranzicionit të gjelbër kanë mbetur prapa, ose janë me vonesë. Shumë prej tyre janë bllokuar në atë që quhet “kurthi i zhvillimit”: prej kohësh kanë tendenca stanjacioni ose rënie ekonomike, duke u zhvilluar më pak se rajonet e vendeve të tjera të BE-së. Për më tepër, disa nga rajonet që dikur kanë qenë më të pasura, nuk shfaqin më norma konstante pozitive rritjeje. Rajonet që bien në kurthin e zhvillimit shpesh vuajnë nga dobësi të ngjashme, duke filluar nga stoku relativisht i ulët i kapitalit njerëzor deri te ikja e trurit dhe cilësia e ulët institucionale. Për shumë prej këtyre rajoneve, tranzicioni i gjelbër paraqet rreziqe të menjëhershme, pasi zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër Europiane mund të përkeqësojë dallimet tashmë ekzistuese mes rajoneve.

Para së gjithash, do të ketë zona që do të preken direkt. Janë ato rajone që varen nga industria e qymyrit dhe ato me ekonomi të lartë emetimesh. Ato do të preken më shumë nga ndikimet negative të tranzicionit të gjelbër. Mbyllja dhe çmontimi i minierave dhe impianteve me qymyr do të çojë në mënyrë të pashmangshme në humbje të vendeve të punës dhe në pakësimin e fuqisë ekonomike në ekonomitë rajonale të varura nga qymyri. Shumë prej këtyre rajoneve, si Silesia e Sipërme në Poloni, Oltenia Jugperëndimore në Rumani dhe Severozapad në Republikën Çeke, janë tradicionalisht të prapambetura. Ato do të kërkojnë ndërhyrje të politikave kombëtare dhe europiane që synojnë arritjen e një tranzicioni “të drejtë”, do të thotë sigurimin e një rrjeti të përshtatshëm që ofron siguri sociale dhe identifikimin e shtigjeve të mundshme për diversifikimin ekonomik.

Në mënyrë analoge, rajone të tjera si Asturia në Spanjë dhe zona jug-qendrore në Bullgari, varen ende nga ekonomitë rajonale me emetime të larta dhe kështu janë të brishta përballë taksave shtesë të bazuara tek emetimet. Më indirekt, Marrëveshja e Gjelbër Europiane do të trondisë shumë faktorë. Zhvendosja e punës dhe kapitalit në rajonet që janë më të përshtatshmet për tranzicionin e gjelbër dhe atë dixhital do të shkaktojë një rishpërndarje të vendeve të punës dhe pasurisë, duke zgjeruar hendekun ekzistues midis qendrave dhe periferive. Shumë rajone të vonuara ose të prapambetura do të jenë më pak në gjendje të shfrytëzojnë mundësitë e tranzicionit të gjelbër. Një mori faktorësh – duke përfshirë aftësitë e ulëta teknologjike dhe ndërlidhjen e vakët, potencialin e kufizuar të inovacionit dhe institucionet me cilësi të dobët – do të shtyjnë punën e kualifikuar dhe investimet kapitale drejt rajoneve më të pasura dhe aglomerateve të mëdha urbane.

Fenomene të tilla si ikja e trurit dhe e kapitalit mund të kontribuojnë në erozionin e fuqisë ekonomike të shumë territoreve tashmë të cenueshme dhe rrezikojnë t’i fusin ato në një rreth vicioz: gjendja e dobët socio-ekonomike mund të përcaktojë, gjatë fazës së tranzicionit, rialokimin e fuqisë punëtore dhe lëvizshmërinë drejt rajoneve më qendrore, ndërkohë që migrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mungesa e investimeve mund t’i bëjnë këto territore edhe më pak të përshtatshme për të përfituar nga më shumë inovacione të gjelbra, rritje të qëndrueshme dhe elastike.

Zbatimi i ngurtë i Marrëveshjes së Gjelbër që nuk merr parasysh ekosistemet e ndryshme socio-ekonomike, do të shtonte më tej pakënaqësinë në rritje që ka mbërthyer së fundmi Europën. Lëvizjet si ato të jelekverdhëve francezë e kanë origjinën e tyre te politikat thelbësisht të gjelbra, siç është rritja e taksave të akcizës për karburantet.

Në mënyrë të pashmangshme, Marrëveshja e Gjelbër Europiane do të krijojë fitues dhe humbës. Nëse humbësit, siç ka të ngjarë të ndodhë, janë njerëz që humbin prej një kohe të gjatë, rrezikojmë t’i themi lamtumirë planit. Një reagim populist në zgjedhje, me votimin e skeptikëve ndaj ndryshimeve klimatike ose mohuesve të drejtpërdrejtë të tyre, do ta prishte tranzicionin dhe madje mund të çonte në trazira sociale.

Prandaj, nëse Europa vërtet dëshiron të udhëheqë tranzicionin e gjelbër, duhet të sigurojë që ai të jetë jo vetëm nga pikëpamja mjedisore, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe sociale. Në mungesë të politikave që trajtojnë ndikimet e drejtpërdrejta – dhe veçanërisht indirekte – të tranzicionit të gjelbër, Europa rrezikon të kthehet në sheshin ku luftohet kundër masave të ndryshimeve klimatike.

*Andrés Rodríguez-Pose është profesor i ekonomisë gjeografike në “London School of Economics”. Ai është drejtor i Canada Blanc Centre LSE dhe bashkëpunëtor me shumë universitete në Europë. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *