Borges
Paradokset e gënjeshtrës

Paradokset e gënjeshtrës

Nga Byung-chul Han/ Sot po përhapet një nihilizëm i ri. Nuk buron nga fakti se besimet fetare apo vlerat tradicionale po humbasin vlefshmërinë e tyre. Këtë nihilizëm vlerash, që Niçja e shprehte me “Zoti ka vdekur” apo me konceptin e “shndërrimit të të gjitha vlerave”, e kemi lënë tashmë pas krahëve. Nihilizimi i ri është një fenomen i shekullit XXI.

Ky nihilizëm i përket shtrembërimeve patologjike të shoqërisë së informacionit. Ai lind në momentin që ne humbasim besimin tek e vërteta. Në epokën e lajmeve të rreme, të dezinformimit dhe të teorive konspirative, ne po humbasim realitetin dhe të vërtetat faktike.

Tanimë informacioni qarkullon krejtësisht i shkëputur nga realiteti, në një hapësirë ??mbi-reale. Po humbet besimi tek faktet. Prandaj ne jetojmë në një univers të de-faktizuar. Në këtë mënyrë zhduket, me gjithë të vërtetat faktike, bota e përbashkët së cilës ne mund t’i referohemi në veprimet tona.

Pavarësisht radikalizmit të saj, kritika e Niçes për të vërtetën nuk synon shkatërrimin e saj, pasi nuk e mohon vetë të vërtetën. Ajo ekspozon veçse origjinën e saj morale. E vërteta zbërthehet, pra rindërtohet gjenealogjikisht.

Sipas Niçes, e vërteta është një ngrehinë shoqërore që shërben për të mundësuar bashkëjetesën njerëzore, për t’i dhënë asaj një themel ekzistencial: “Përpjekja drejt së vërtetës fillon me vëzhgimin e fuqishëm se sa e kundërt është bota reale dhe ajo e gënjeshtërt, dhe se si gjithë jeta njerëzore është e pasigurt nëse e vërteta nuk e ka vlefshmërinë në mënyrë absolute: është çështje e bindjes morale për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme nëse do të ketë një shoqëri njerëzore. Nëse duam të pushojë gjendja e luftës, duhet të fillohet me kuadrimin e së vërtetës, domethënë të një përcaktimi të vlefshëm dhe të detyrueshëm të gjërave. Kush gënjen, përdor fjalët për ta bërë të pavërtetën të duket e vërtetë, pra abuzon me themelin më të fortë.”

E vërteta shërben si pengesë që pretendimet e ndryshme mbi vlefshmërinë të sjellin një bellum omnium contra omnes, pra një ndarjee totale të shoqërisë. Si një marrëveshje e domosdoshme, ajo e mban shoqërinë të bashkuar.

Kritika niçjane e shoqërisë sot përfton edhe më shumë radikalitet. Niçja do të vërente se vetëdija e ka humbur krejtësisht shtysën drejt së vërtetës, vullnetit për të vërtetën. Vetëm një shoqëri e pacënuar e zhvillon shtysën drejt së vërtetës. Zbehja e dëshirës për të vërtetën dhe shpërbërja e shoqërisë kanë një marrëdhënie reciprociteti mes veti. Kriza e së vërtetës lulëzon aty ku shoqëria shpërbëhet në grupime ose tribu midis të cilave nuk është më i mundur mirëkuptimi, ku nuk ka më asnjë emërtim të përbashkët të gjërave. Në krizën e së vërtetës humbet bota e përbashkët, madje gjuha e përbashkët. E vërteta është një rregullator shoqëror, një ide rregulluese e shoqërisë.

Nihilizmi i ri është një simptomë e shoqërisë së informacionit. Në të vërtetën që e mban shoqërinë të bashkuar ekziston një forcë e natyrshme centripetale. Forca centrifugale e informacionit ka një efekt shkatërrues në kohezionin social. Nihilizmi i ri vendoset brenda këtij procesi shkatërrues në të cilin edhe diskursi degjeneron në informacion, duke sjellë krizën e demokracisë.

Nihilizmi i ri nuk thotë se gënjeshtra merret si e vërtetë ose e vërteta mohohet si gënjeshtër. Përkundrazi, minohet vetë dallimi midis së vërtetës dhe gënjeshtrës. Kushdo që gënjen me vetëdije dhe i reziston së vërtetës, në mënyrë paradoksale e njeh atë. Gënjeshtra është e mundur vetëm kur mbahet i paprekur dallimi midis së vërtetës dhe gënjeshtrës. Gënjeshtari nuk e humb lidhjen me të vërtetën. Nuk lëkundet besimi i tij tek realiteti. Gënjeshtari nuk është nihilist, ai nuk e vë në dyshim vetë të vërtetën. Sa më shumë të gënjejë, aq më shumë konfirmohet e vërteta.

Lajmet e rreme nuk janë gënjeshtra: ato sulmojnë vetë faktin. De-faktizojnë realitetin. Kur Donald Trump me shkathtësi thotë çfarëdo gjëje që i leverdis, nuk është një gënjeshtar klasik që i shtrembëron qëllimisht gjërat. Përkundrazi, është indiferent ndaj së vërtetës së fakteve. Ata që janë të verbër ndaj fakteve dhe realitetit paraqesin një rrezik më të madh për të vërtetën sesa gënjeshtarët. Filozofi amerikan Harry Frankfurt do ta quante Trump-in një bullshiterBullshiter-i nuk i kundërvihet të vërtetës. Përkundrazi, është krejtësisht indiferent ndaj saj.

Megjithatë, shpjegimi i Frankfurt se përse ka kaq shumë bullshitter sot, është i pamjaftueshëm: “Marrinat janë të pashmangshme sa herë që rrethanat e detyrojnë dikë të flasë pa e ditur se për çfarë po flet \[…\] Kjo mospërputhje është e zakonshme në jetën publike, në të cilën njerëzit nxiten të flasin për çështje mbi të cilat janë injorantë \[…\] me besimin e përhapur se në demokraci çdo qytetar duhet të ketë një mendim për gjithçka, ose të paktën për gjithçka që ka të bëjë me menaxhimin e çështjeve publike”. Nëse “marrinat” i detyrohen njohjes së përciptë të fakteve, Trump nuk është një bullshiter. Harry Frankfurt duket se nuk e njeh krizën e sotme të së vërtetës: kjo nuk i atribuohet mospërputhjes midis njohurive dhe fakteve ose njohurive të pamjaftueshme të realitetit. Kriza e së vërtetës minon besimin te vetë faktet. Opinionet mund të jenë shumë të ndryshme prej njëra-tjetrës, por ato janë legjitime “për aq kohë sa respektojnë të vërtetat faktike”.

Liria e mendimit degjeneron në farsë atëherë kur nuk përfshin asnjë referencë ndaj fakteve dhe të vërtetave faktike. Erozioni i së vërtetës filloi shumë përpara politikës së lajmeve të rreme të Trump-it. Në vitin 2005, “The New York Times” zgjodhi neologjizmën “truthiness” si një prej atyre fjalëve që shënjojnë shpirtin e kohës. Vërtetësia (truthiness) pasqyron krizën e së vërtetës: me të, nënkuptojmë të vërtetën e perceptuar si pa objektivitet, pa qëndrueshmërinë e fakteve.

Arbitrariteti subjektiv prej së cilës përbëhet, e fshin të vërtetën. Ai shpreh qëndrimin nihilist ndaj realitetit. Është një fenomen patologjik i dixhitalizimit. Nuk i përket kulturës së librit. Është pikërisht dixhitalja ajo që gërryen faktin.

Prezantuesi televiziv Stephen Colbert, i cili shpiku fjalën “truthiness”, njëherë ka thënë: “Unë nuk u besoj librave. Ato janë gjithë fakte dhe pa zemër”. Prandaj Trump do të ishte një president i zemrës, i cili e përdor me pakicë intelektin. Zemra nuk është organ i demokracisë. Kur diskursi politik mbizotërohet nga emocionet dhe ndjenjat, vetë demokracia është në rrezik.

*Byung-Chul Han është filozof gjermano-korean. Përpara se të studionte filozofi në Gjermani, përfundoi studimet për metalurgji në Korenë e Jugut. Është profesor në Universitetin e Arteve të Berlinit dhe autor i mbi 20 librave të përkthyer në shumë gjuhë. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *