Borges
E ndërlikojmë egërsisht jetën

E ndërlikojmë egërsisht jetën

Nga Alessandro Baricco/ Jo se është e këndshme, natyrisht që jo. Por nëse mendoj mbi çfarë kam perceptuar se e ndërlikon në mënyrë veçanërisht të egër dhe idiote jetën e njerëzve, më del para syve tendenca e tyre për t’i atribuuar një gravitet shumë të lartë atyre rrethanave në të cilat, për shkak të neglizhencës vetjake, ndërhyrjes së rastësisë ose me nismën e të tjerëve, njeriu duhet të heqë dorë nga diçka, apo edhe nga dikush.

Ajo që mesa duket ndodh, është se një pjesë e ngarkesës së ngrehinës ku njerëzit gjejnë strehë zhduket brenda natës, duke lëkundur qëndrueshmërinë që po arrihej. Dhe këtu shihet tashmë absurditeti i gjësë. Meqenëse, ashtu siç dihet, asnjë stabilitet nuk është i qëndrueshëm dhe asnjë rikuperim nuk është kurrë i mjaftueshëm, megjithatë është i kryer, i realizuar. Gjithmonë kemi të bëjmë me vepra në ndërtim, me sisteme të përkohshme, aq sa besimi që shumëkush ka për të pasur një çati mbi kokë, të paktën gjatë natës, i përket shumë më tepër një rrëfimi të përditshëm sesa realitetit të fakteve.

Prandaj duhet kuptuar se, në një kontekst të tillë pasigurie, humbja e gjërave dhe e njerëzve duhet të përfaqësojë vetëm një sistemim mes të tjerësh, që në çdo rast është rrëshqitja e një muri që nuk u ndërtua kurrë në të vërtetë; në fund të fundit të shihet si riprojektim i zakonshëm i një sistemi kompleks gjithmonë në ndryshim.

Por…

Por në vend të kësaj, qeniet njerëzore tentojnë të kapen me thonj pas asaj që po ikën, me besimin e çartur se ajo që po humbasin është thelbësore për mbijetesën e tyre. Hera-herës, edhe një copëz kohe, një çantë e vjedhur ose një çerek ore e humbur duke pritur në radhë, mund të marrë mitologjikisht shtatin e një humbjeje vdekjeprurëse. Frika, kur shohim diçka të vjedhur prej nesh, është kaq instinktive.

Këtë gjë e ndërlikon, ose e çon në ekstrem, një kult i përkatësisë që është fenomen historik, ndikim kulturor, një e metë ideologjike, por jo më pak e vështirë për t’u përballur. Shoqërohemi nga ideja, e çmendur në vetvete, për të zotëruar diçka apo edhe dikë, duke u dënuar me punë të vazhdueshme policore dhe vëzhgime obsesive. Ne jetojmë jetë të ndërtuara prej kasafortash, armësh kundërajrore, alarmesh dhe urash lëvizëse. Pra, në vend që të jetojmë pranë gjërave dhe njerëzve, i bëjmë pronë tonën, pikë pa kthim, një status të fituar: a e kuptoni se me çfarë ekzistence plot ankthe jemi të destinuar t’i mbushim ditët tona? Kushdo që zotëron, do të grabitet.

Pasojat e kësaj prirjeje për të mbivlerësuar humbjen e sendeve dhe të njerëzve janë, siç e dimë, të tmerrshme. Dhe ndikimin e shtrijnë në vite të tëra. Ka raste të panumërta jetësh të riformuluara nga tronditja e një humbjeje, dhe pastaj vihet re se humbja nuk e kishte atë rëndësi në të vërtetë. Ashtu si vdekja e një njeriu të dashur mund të kthehet në një ferman dënimi për gjithë jetën, humbja e një mundësie pune, ose një nderimi, ose një gare, mund të mbulojë me një hije të zezë gjithë jetët rrethuese për vite me radhë.

Nëse kërkohet brenda disa pakënaqësive që shfarosin familje të tëra, do të gjenden lehtësisht kotësitë e një mundësie të humbur shumë kohë më parë, ose shpërfytyrimi i një humbjeje të diktuar nga rasti apo nga qëllimi keqdashës i të tjerëve. Është zemërthyese të mendosh se çfarë drite dhe sa jetë mund të ishte krijuar nëse vetëm dikush, një njeri, do të kishte qenë në gjendje, në atë moment të saktë, t’i linte gjërat të shkonin, në vend që të mbivlerësonte tragjikisht pasojat e boshllëkut të tyre.

Do të thuhet se ta gëlltisësh humbjen, zinë, apo vjedhjen, nuk është një gjë e thjeshtë dhe se në përgjithësi nuk e zgjedhim ne se si të reagojmë ndaj marrjes së jetës, pasurisë, dashurisë: ne thjesht vuajmë dhe kaq. Rebelohemi. Marrim hak.

Por kjo nuk është aq e vërtetë. Aftësia për të lejuar humbjen e sendeve dhe ikjen e njerëzve fillon së largëti, është një mënyrë për të qëndruar në botë dhe është diçka që mund të edukohet në çdo gjë që bëjmë. Nuk është e vërtetë se është e huaj për ne, është vetëm e largët kulturalisht. Por ajo na përket neve dhe, vetëm nëse shmangim dorëzimin pa kushte ndaj frikës, mund ta gjejmë në lëvizjet më spontane të shpirtit tonë. Brenda nesh kemi një lehtësi instiktive, ose të paktën e kemi pasur përpara se të edukoheshim për ta luftuar atë.

*Alessandro Baricco është shkrimtar, skenarist dhe regjisor italian. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, si edhe në shqip. Është fitues i shumë çmimeve letrare, ndër të cilat “Premio Viareggio” apo “Premio Cesare Pavese”. Përkthyer nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.