Të gjitha
Gjuetari i balonave për të mos harruar tragjedinë e Afganistanit

Gjuetari i balonave për të mos harruar tragjedinë e Afganistanit

Nga Khaled Hosseini/ Një libër i përket krejtësisht autorit të tij vetëm kur është në fazën e përpunimit. Në vazhdën e vitit 2001, kur punoja ende si mjek, zgjohesha çdo ditë në katër e gjysmë dhe kaloja tre orë të mira përpara se të lindte dielli në shoqërinë e Amirit, Hasanit, Babës dhe personazheve të tjerë që popullojnë Gjuetarin e Balonave. Pastaj bëja dush, vishesha dhe i jepja makinës deri në klinikë, ku shëroja zemra të sëmura, kyçe të inflamuar dhe tiroide jofunksionale. Por Amiri nuk largohej kurrë nga unë. Në pjesën më të madhe të ditës, ai jetonte me mua dhe unë me të.

E njihja mirë botën e tij. Amiri dhe unë kemi jetuar në të njëjtën lagje të Kabulit, “Wazir Akbar Khan”, dhe kemi shkuar në të njëjtën shkollë. Të dy u rritëm duke ngritur balonat në ajër, duke shkruar tregime dhe duke parë filma të vjetër western. Nga pikëpamja socio-ekonomike, i përkisnim të njëjtës klasë shoqërore, borgjezisë së lartë. Patëm fatin që periudhën tonë të formimit ta jetonim në vitet ’70, kohë kur Afganistani ishte ende i qëndrueshëm, paqësor, i pafajshëm. Shkelnim në një tokë ende jo të lagur nga gjaku i bijve dhe bijave të tij.

Teksa gjatë atyre mëngjeseve të errëta e të qeta rrija e kërrusur mbi tavolinën e kuzhinës, ndjeja se historia e Amirit më përkiste plotësisht. Kisha iluzionin se, në një kohë kur të tjerët jetonin vetëm një jetë, mua më ishte dhënë privilegji për të jetuar disa. Por kur libri ndahet nga autori i tij për të gjetur vend në raftet e librarive, lidhja me personazhet resht së qeni një eksluzivitet. Duke u ekspozuar në botën mbarë, Amiri dhe të tjerët krijuan marrëdhënie me shumë njerëz.

Mbeta i shushatur nga numri i tendave që arritën të ngrinin, nga numri i vendeve dhe i gjuhëve në të cilat ndodhi kjo, si dhe nga skenat dhe ekranet e kinemasë që mirëpritën historinë e tyre. Ende nuk mund ta besoj. Nëse sot historia e Gjuetarit të Balonave ka një sukses të tillë, rruga e tij ka qenë plot pengesa. Unë isha një shkrimtar i panjohur, i cili bënte tjetër punë dhe që s’kishte një të shkuar letrare. Romani kishte anë goxha të errëta. Protagonisti ishte frikacak, egoist, ziliqar, jo i ndershëm, gjithnjë duke kërkuar vëmendje, i zhveshur nga ndjesia e moralit. Pra, një njeri irritues. Ndërsa nga ana tjetër, personazhet me shpirt të ndershëm e fisnik, kishin një fund të keq. Dhe udhëtimi i gjatë, i mundimshëm i Amirit përfundonte me një shpresë të pakuptueshme. Sigurisht që nuk ishte formula ideale për një bestseller.

Në qershor të vitit 2003, Gjuetari i Balonave u botua në Shtetet e Bashkuara. Mori recensa të shkëlqyera, por shitjet ishin, pak të thuash, modeste. U nisa për një udhëtim promocional, një eksperiencë poshtëruese që më mbushi plot dyshime për perspektivën e librit. Në ato librari që vizitoja, shpesh më qëllonte të flisja përballë një publiku inekzistent. Pikën më të ulët e arrita në New Mexico, në një librari gjigante, me qetësinë që i shkonte për shtat një funerali, ku u gjenda përballë tetëdhjetë karrigeve bosh. Pastaj erdhën tre njerëz. Njëra prej tyre ishte grua e moshuar që ecte me ndihmën e një ambulatori dhe në mes të prezantimit, u ngrit duke iu drejtuar ngadalë daljes. Nuk do ta harroj kurrë atë zhurmën “clic-clac” të deambulatorit që kalonte përballë skenës. Kur fatmirësisht gjithçkaje i erdhi fundi, më mjaftoi shikimi mëshirplotë i librarit për të më përçuar ndjesinë e situatës.

Momenti kulmor i udhëtimit, nëse mund ta quaj kështu, ishte në Fremont, në qytetin ku Baba dhe Amiri gjetën strehë, njëherazi qendër e komunitetit afgan në Kaliforni. Eventi u zhvillua në një sallë rekreative, e tejmbushur me bashkëatdhetarët e mi. Mbrëmja ia doli të ishte një parathënie e vërtetë e asaj që do të përbënte marrëdhënien mes komunitetit afgan, Gjuetarit të Balonave dhe meje. Ishin shumë ata që shprehën fuqishëm mbështetjen dhe krenarinë e tyre për mua, afganin e parë që jetonte në Amerikë, i cili botoi një roman për publikun e gjerë.

Shihnin jetën e tyre të shpalosur nëpër faqet e librit dhe më ishin mirënjohës që kisha shkruar diçka, që shërbente si antidot i përshkrimit aktual në media, ku Afganistani portretizohej si një vend shpellar, me burra mjekëroshë dhe të dhunshëm. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e të pranishmëve reaguan ashpër. Zemërimi që perceptoja tek ata, sado legjitim, më bëri të frikësohesha për sigurinë time. Ankesat mbizotëruese kishin të bënim me konfliktin etnik në vendin tim. Çuditërisht, askush, madje as kundërshtarët më të vendosur, nuk e kundërshtuan vërtetësinë e asaj që kisha shkruar. Të gjithë të pranishmit në sallë e dinin historinë e pabarazive mes etnive që ekzistonin në Afganistan, mbi të gjitha për sa u takonte hazarave, një minorancë shiite që për një kohë të gjatë kishte qenë e shtypur, e persekutuar, e denigruar dhe që anëtarëve të saj u mohohej ngjitja në shkallët më të larta të shoqërisë. Mes afganëve, kjo është diçka që dihet, në limitet e banalitetit. Akuza parësore ndaj meje kishte të bënte me larjen e rrobave të mia të pista në publik. Ç’nevojë kishte t’u tregoja gjithë botës anët e liga të jetës në Afganistan? Qartësisht nuk kishte qenë ky qëllimi im. Nuk jam një provokator. Në roman, kërkoja të portretizoja Afganistanin në gjithë kompleksitetin e tij: pasurinë e traditave, poezinë e shpirtit kombëtar, bukuritë natyrore, po ashtu edhe dinamikat e mprehta dhe problematike që ende sot vazhdojnë të minojnë jetën e tyre.

Pas dy javësh udhëtim nëpër Amerikë për të promovuar librin tim, u ktheva në shtëpi dhe rifillova punën si mjek. Jeta mori sërish një pamje normale dhe për pak më shumë se një vit, gjithçka rrodhi në qetësi absolute. Në atë kohë lindi Farah, vajza ime e dytë. Për Gjuetarin e Balonave nuk u fol shumë dhe, ndonëse isha shumë krenar për arritjen time, iu dorëzova faktit se mbetej thjesht një tjetër libër në një det librash. Iu ktheva të qenurit bashkëshort, baba, mjek.

Më vonë, në vjeshtën e vitit 2004, pak muaj pas botimit të librit në version xhepi, nisa të perceptoja diçka të çuditshme. Kur hyja në lokal, gjeja gjithmonë dikë me librin në dorë. Nisa të merrja ftesa për të folur nëpër librari, në universitete dhe në rrethet letrare të të gjithë vendit. Një herë, në një aeroplan, hasa një zonjë më mesomoshë, e cila filloi të fërkonte sytë teksa lexonte librin. Mendova t’i prezantohem, por ndrojtja ime karakteristike më pengoi.

Në vitin 2004, pesëmbëdhjetë muaj pas botimit fillestar, Gjuetari i Balonave hyri për herë të parë në klasifikimin e librave bestseller të “New York Times” dhe qëndroi aty për një periudhë të pambarimtë.

Nëse e gjitha kjo ishte bekim për karrierën time letrare, në frontin profesional mjekësor m’u shfaq me ndërlikime të mëdha. Ishte një situatë që as e kisha parashikuar. Zakonisht, çdo vizitë zgjaste mes njëzetë dhe tridhjetë minutash, por vura re se në pjesa më e madhe e kohës i dedikohej përgjigjes së pyetjeve mbi Amirin dhe Hasanin dhe nënshkrimit të kopjeve të librit, në dëm të patologjive të ndryshme për të cilat pacientët kishin kërkuar të vizitoheshin. Ishte koha për të bërë një zgjedhje. Kështu, në dhjetor 2004, i thashë lamtumirë mjekësisë për t’iu përkushtuar me kohë të plotë shkrimit.

Pas shumë vitesh, jam thellësisht mirënjohës për shndërrimet që Gjuetari i Balonave i solli jetës sime. Por gjithashtu jam veçanërisht i lumtur që Gjuetari i Balonave ndryshoi perceptimin e lexuesve nga e gjithë bota për Afganistanin, duke u ofruar një vizion më njerëzor, kompleks dhe më të strukturuar.

Ia vlen barra qiranë të them se, në vitin 1999, kur nisa të shkruaja Gjuetarin e Balonave, i cili atëherë ishte një tregim i thjeshtë, regjimi taleban kishte marrë nën kontroll gjithë vendin. Tani, teksa shkruaj këtë parathënie me rastin e njëzetë vjetorit të botimit të parë të romanit, talebanët udhëheqin sërish vendin tim. Është një fat tragjik.

Teksa kamerat nuk janë më të drejtuara mbi Afganistan dhe vëmendja globale është zhvendosur në zona të tjera të botës, mbi të gjitha në luftën në Ukrainë, është e një rëndësie jetike që populli afgan – e në veçanti gratë dhe vajzat, viktima të paracaktuara të dekreteve të mbrapshta të talebanëve – të mos harrohet. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë për t’i dhënë fund krizës humanitare që kanoset mbi vendin, përndryshe ajo vetëm do të përkeqësohet. Populli afgan ka vuajtur mjaftueshëm.

*Khaled Hosseini është shkrimtar dhe aktivist afgano-amerikan, autor i romaneve të suksesshme “Gjuetari i balonave”, “1000 djej vezullues” dhe “Dhe malet oshëtinë”. Pjesa e mësipërme është parathënie e autorit me rastin e ribotimit të librit në Itali. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *