Kam ndryshuar: Nuk u besoj më ideve, por njerëzve
Javën e ardhshme, në Francë botohet “Pak muaj në jetën time”, libri i ri i Michel Houellebecq, autori i aq romaneve që tashmë kanë hyrë në histori që nga “Nënshtrimi”, “Thërrmijat elementare” te “Zgjerimi i fushës së luftës”, “Harta dhe territori” apo “Ishulli i mundshëm”, por tani ka vendosur të botojë 105 faqe autobiografike për “muajt e kobshëm” nga tetori 2022 në mars të vitit 2023.
Fillimisht erdhi denoncimi, i tërhequr më pas, nga ana e Xhamisë së Madhe të Parisit për frazat mbi myslimanët të shqiptuara gjatë një bisede për revistën “Front Populaire” të Michel Onfray. Pastaj edhe më keq, beteja ligjore që ende vazhdon me Stefan Ruitenbeek, ose Buburreci siç e quan Houellebecq, lider i kolektivit artistik holandez Kirac që e përfshiu së bashku me gruan Lysis në një film pornografik, “pa e pasur kurrë, e përsëris, pa e pasur kurrë miratimin tim. Për të parën herë në jetën time jam trajtuar si objekt në një dokumentar mbi kafshët”, shkruan vetë Houellebecq, shkrimtari bashkëkohor francez më i njohur dhe më i përfolur në botë.
Çfarë ka ndodhur? Kemi njohur një Houellebecq më të guximshëm, simbol të rebelimit kundër politikës korrekte. Ndërsa në librin tuaj të fundit, i shkruar me një sinqeritet të rrallë, dukeni plot mundime, gati-gati për të kërkuar falje, i penduar për frazat mbi myslimanët dhe i mbushur me turp për skenat pornografike, madje që ua kanë marrë me pahir përmes mashtrimit. Ndiheni ndryshe në krahasim me të kaluarën?
Po. Sa për myslimanët, u tregova budalla që nuk e rilexova atë tekst me më shumë kujdes. Është e vërtetë që ishte paksa i gjatë, por duke pasur parasysh precedentët, duhet të tregoja më shumë kujdes.
Keni rishkruar disa prej frazave më të kontestuara, jeni tërhequr. Si ka mundësi?
Sepse nuk kam dashur të fyej myslimanët, por të paralajmëroja rrezikun që kanosej nga një minorancë e vogël e tyre siç janë xhihadistët, që mund të shkaktonin një reaksion të dhunshëm, atentate në llojin e Bataclan-it, që vërtetë nuk i uroj, duke e çuar Francën në luftë civile.
Dhe keni ndërruar mendim?
Mbi myslimanët në përgjithësi, po. Le të themi se u ndërgjegjësova se disa gjëra mbeten thjesht detaje. Nuk më intereson fare nëse gratë veshin burka në plazh, apo që ka thertore mishi hallall, mjaft më me këtë fiksimin e asimilimit, mjaft më me modelin e përsëritur deri në rraskapitje të “italianëve dhe polakëve që ditën të bëheshin francezë.” Nuk jam më dakord me disa ide të miqve të mi të djathtë.
Nuk është më i rëndësishëm asimilimi?
Për shumë vite, kinezët nuk u asimiluan dhe nuk pati asnjë problem. Unë vetë kam jetuar në një pallat këtu afër dhe fqinjët e mi, një çift pleqsh kinezë, nuk flisnin frëngjisht, por kjo s’është diçka e rëndë. Pastaj të rinjtë kanë mësuar që të mund të punonin. Nëpër banlieue (zona periferike në Francë) problem është krimi, jo Islami. Ekziston ende rreziku që një minorancë e vogël që provokojë një luftë civile. Ka ndodhur edhe në të shkuarën, me revolucionin francez dhe atë rus.
Në muajt e fundit, kryengritja nuk ka prekur Islamin, por reformën e pensioneve. Çfarë mendoni për demonstratat kundër Emmanuel Macron?
Më interesojnë, por nuk i kuptoj. Kam boshllëqe në kuptimin e shoqërisë. Për shembull, nuk e kam kuptuar kurrë se cilët janë vërtetë black bloc. Më vijnë ndër mend nihilistët rusë, shkatërrim për hir të shkatërrimit. Dyshoj se e gjitha kjo bëhet vërtetë për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç. Është një protestë më e gjerë kundër shoqërisë. Prirem ta interpretoj si një manifestim të dëshirës perëndimore për vetëvrasje.
Meqë ra fjala, çfarë mendon Michel Houellebecq për Inteligjencën Artificiale?
Nuk më shkakton frikë dhe unë nuk jam njeri alarmant. Si adhurues i madh i fantashkencës, më magjeps ideja se një ditë do të jem në gjendje të flas me jashtëtokësorët dhe tani me inteligjencën artificiale. Nëse ka një libër që duhet cituar në këtë kontekst, është “Cikli i robotëve” nga Isaac Asimov. Nuk më tremb as fakti që inteligjenca artificiale është më e zgjuar se njerëzit. Humbja në shah edhe me babain tim, tani mund të humbas edhe përballë një kompjuteri.
Për t’u kthyer sërish te libri, pse vuani kaq shumë për filmin pornografik të holandezëve? Nga ju pritej që ta linit pas krahëve.
Hedhja pas krahëve do të ishte një sjellje punk. Unë kurrë nuk kam qenë punk. Kam dashur gjithmonë “Pink Floyd”, jo “Sex Pistols”.
Po, por përtej “Pink Floyd”, si është e vërteta e këtij filmi porno? Shkuat për të xhiruar skenat dhe pastaj u bëtë pishman?
Nuk doja të merrja pjesë në filmin porno të Kirac-it, edhe pse s’kam asgjë kundër pornografisë.
Po çfarë ndodhi atëherë?
Unë dhe gruaja ime xhiruam disa skena me Jini van Rooijen, mikeshën e Buburrecit. Ishin skena të destinuara për llogarinë e saj në “Onlyfans”, për të cilën besoja se ishte diçka private. Kur kuptova se ishte publike kundrejt pagesës, e tërhoqa miratimin.
E si përfunduan ato skena të filmit porno te Kirac, që do ta shpërndajë online dhe në kinema?
Më pas Buburreci na ftoi në Amsterdam duke më tërhequr me një ngjarje në Lovecraft-in tim të dashur dhe në hotel ai me nxitim më bëri të nënshkruaja një lloj deklarate. Vetëm më vonë zbulova, për habinë time, se ishte me prapaveprim, dhe për këtë arsye përfshinte skenat private të xhiruara në Paris. U mashtrova. Sapo zbrita në stacionin e trenit në Amsterdam ishte një kameraman që filloi të më filmonte pa thënë as mirëmëngjes. Para kamerës i dhashë disa puthje Isës, që në libër e quaj Pata dhe këto janë pamjet që përfunduan në videon promovuese të filmit pa lejen time. Ato ditë në Amsterdam ishin të frikshme, u besoja njerëzve të paskrupullt. Më vjen turp për këtë, e ula vigjilencën. U mashtrova.
Çfarë përfaqëson për ju pornografia, përtej kësaj aventure të keqe?
Është e vetmja mënyrë për të ngulitur në kohë çaste shumë të bukura. Nuk jam ekzibicionist, megjithëse e vlerësoj tej mase bujarinë e tyre. Më intereson të filmoj disa nga takimet e mia seksuale, në mënyrë që të mos humbasin ato momente gjatë së cilave ndjej se vërtet kam jetuar. Nuk gjej asgjë të pashëndetshme te pornografia dhe nuk e kuptoj kryqëzatën e qarqeve konservatore. Unë dhe një ish-partnerja ime kemi regjistruar dikur takimin tonë seksual dhe herë pas here e shikoj atë video me kënaqësi. Më bëri të zbuloja Nirvana dhe YouPorn. Këto janë avantazhet e të pasurit të dashura më të reja.
Nuk druheni se mos akuzoheni për seksizëm për shkak të epitetit që i vutë vajzës së grupit të Kirac-it?
Jo, aspak. Është një epitet i merituar, ashtu siç janë të tjerët. Unë vetë kam pësuar fyerjet e tyre në shumë intervista. Janë të ligj, veprojnë vetëm për para dhe publicitet. Problem nuk është pornografia, por mashtrimi. Më vjen turp që e lashë veten të më merrnin përpara këta personazhe.
A nuk do t’ju dilte më për mbarë po ta hidhnit pas krahëve dhe mos t’i bënit reklamë kësaj çështjeje?
Këtë më këshilluan shumë miq, por mendoj se kam bërë mirë që kam reaguar, edhe me këtë libër. Nuk është e vërtetë që një lajm fshin lajmin e mëparshëm. Koha nuk është më lineare, në internet gjithçka ndodh në të njëjtën kohë. Më afrohen njerëz që thonë “Sapo të pashë në televizor”, ndërkohë kanë kaluar vite që unë nuk dal më në televizor, por ndoshta më kanë parë në YouTube në ndonjë program të dhjetë viteve më parë. Ishte miku im Gérard De Pardieu që më këshilloi të luftoja deri në fund, nuk jam aq i famshëm sa ai, por mjaftueshëm.
Gjatë këtyre ditëve, Depardieu po akuzohet për ngacmime seksuale.
E di, por ai e konsideron veten të pafajshëm dhe unë i besoj. Një flirtues nuk mund të jetë dhunues. Dhe Depardieu e ka qejfin te flirtimi.
Duket se miqësia ka shumë vlerë për ju. Në libër flisni për prishjen e marrëdhënieve me Onfray, që nuk donte të botonte korrigjimet tuaja pas bisedës mbi Islamin, dhe i shprehni mirënjohje Bernard-Henri Lévy-t, që ju mori menjëherë në mbrojtje.
Bernardi ishte bujar dhe i ndershëm. Kanë kaluar shumë vite që nga botimi i librit që shkruam bashkë “Armiqtë publikë”. Nuk kemi të njëjtat ide, si për shembull mbi Europën e bashkuar, së cilës unë vazhdoj të mos i besoj. Por në të shkuarën joshesha nga idetë e tij, që disa herë më kanë bërë të gaboj. Kam ndryshuar. Nuk u besoj ideve, u besoj njerëzve.
*Michel Houellebecq është ndër shkrimtarët më të lexuar francezë në botë, dhe njëkohësisht më kontrovers kryesisht për bindjet e shprehura në romanet më të njohura që konsiderohen islamofobe, raciste dhe mizogjene. Intervista për Stefano Montefiori u përkthye në shqip nga Erjon Uka.