Arti i të kërkuarit falje
“Hëngra kumbullat në frigorifer
Që me shumë mundësi i kishe lënë për mëngjes
Më fal, ishin të shijshme, shumë të ëmbla e të ftohta.”
Nga Arthur C. Brooks/ Nga Kështu i kërkonte ndjesë William Carlos Williams, me shumë mundësi gruas së tij Flossie, në poezinë e vitit 1934 “This is just to say”. Ndjesat e mia janë më pak elegante dhe natyrisht, nuk e meritojnë të publikohen. Ama, për t’u mbrojtur, mund të them se nuk i ripërdor faljet e mia si përmbajtje për “The Atlantic” duke i thënë gruas sime përpara një publiku të gjerë, se megjithëse mbetem një milionë herë po ai budallai i pandjeshëm, ia ka vlejtur barra qiranë.
Por të kërkosh falje siç duhet, mbetet e vështirë. Kërkon forcë të brendshme, aftësi për të dëgjuar, paksa rafinim psikologjik dhe për këtë arsye, shumë falje nuk kanë sukses. Nëse keni diçka për të cilën duhet të kërkoni falje – ose po deshët të përgatiteni për pasojat e katastrofës së radhës – ja një manual bazik mbi artin dhe shkencën e pendesës.
Tre procese të ndryshme
Nga një këndvështrim neurologjik, faljet janë shumë të ndërlikuara dhe përfshijnë të paktën tre procese të ndryshme. I pari, është kontrolli njohës, sepse po zgjidhni të thoni se ju vjen keq, diçka e vështirë dhe e parehatshme, e cila ju përfshin korteksin paraballor.
E dyta është supozimi i perspektivës, që përfshin reflektimin se si diçka që keni thënë ose keni bërë është pranuar nga një person tjetër, duke ju vënë në vendin e tij, dhe kjo përfshin kryqëzimin përkohor-parietal. Së fundi, vjen vlerësimi social, mënyra sipas së cilës ju vlerësoni se sa faljet tuaja mund të ndihmojnë njerëzit e përfshirë në lidhje me veten tuaj, dhe kjo vë në lëvizje korteksin ventromedial paraballor.
Faljet e sinqerta mbartin një dozë të mirë cenueshmërie dhe rreziku. Kërkuesit mendojnë se faljet mes partnerëve – duke nënkuptuar lidhje romantike, personale dhe profesionale – kanë më shumë gjasa të ndodhin në tre rethana: në një marrëdhënie afatgjatë; mes partnerëve të lidhur ngushtësisht që kanë shumë besim te njëri-tjetri; dhe në fillim të një marrëdhënieje, ku nëse problemet zgjidhen, ofrohet një lloj “shpërblimi”, dhe kjo bën që çifti mos ta shkatërrojë romancën që në fillim.
Studiuesit kanë treguar gjithashtu se njerëzit që mbrohen vazhdimisht dhe ndihen keq kur mendojnë se janë të cënueshëm – karakteristika të lidhjes shmangëse këto – në krahasim me të tjerët i ofrojnë me pikatore dhe më keq faljet.
Ky zbulim i fundit mund të jetë një gjetje e dobishme për çiftet: Një tregues i besueshëm që përcakton nëse njeriu është “shmangës emocional” është paaftësia për të kërkuar falje.
Faljet mund të jenë krejtësisht të motivuara nga pendesa. Ama, sipas psikologëve evolutivë, shumë falje mund të motivohen nga dëshira për të parandaluar hakmarrjen apo kundërpërgjigjen nga personi i fyer. Për shembull, një studim i vitit 2011 u fokusua në atë që ndodh kur mjekët që kanë dëmtuar pacientët kërkojnë falje. Mjekët në përgjithësi këshillohen që të mos kërkojnë kurrë falje, pasi ligjërisht kjo do të nënkuptonte pranimin e fajit. Për të adresuar këtë problem, disa shtete kanë futur ligje për të kufizuar pranueshmërinë e faljes si provë e fajit në gjykatë. Duke lejuar më shumë falje nga ana e mjekëve, vlerësimet treguan se prokurorët në këto shtete merrnin më pak denoncime për neglizhencë profesionale dhe ndiqnin çështjet penale në kohë më të shkurtra për rastet e lëndimeve të rënda.
Mënyra se si kërkoni falje ka një ndikim të madh në sa e suksesshme është një falje. Për të filluar, ato duhet të theksohen. Një falje e pjesshme është më keq se të mos kërkosh falje fare. Në një eksperiment në të cilin një grupi njerëzish iu kërkua ta imagjinonin veten si këmbësorë të goditur nga një çiklist (ku çiklisti ishte fajtor) dhe të merrnin parasysh dëmshpërblimin financiar, 52 përqind u përgjigjën se do ta pranonin patjetër ose me shumë mundësi ofertën e parave nëse çiklisti nuk do të kishte kërkuar falje. Me një ndjesë të pjesshme, në formën e faljes për dëmtimet e shkaktuara, por pa pranim të përgjegjësisë, shkalla e pranimit ra në 35 për qind. Ndërsa me një falje të plotë – ndjesë plus përgjegjësi – norma u ngjit në 73 për qind.
Falje dhe përgjegjshmëri
Në eksperimente të ngjashme, njohja e përgjegjshmërisë ka rezultuar si faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e efikasitetit të faljes. Faktori tjetër, sipas rëndësisë, është një ofertë për ta “ndrequr” gabimin, ndjekur nga një shpjegim i asaj që ndodhi. Këta tre elementë praktikë janë të gjithë më efektivë se opsionet më abstrakte të kërkimit të faljes me shprehje keqardhjeje, një deklaratë pendimi ose një kërkesë për falje.
Ky zbulim mund të befasojë disa njerëz, por nuk duhet. Mendoni për faljet më pak efektive që keni marrë, ndoshta nga dikush që i përsërit vazhdimisht. Ato ndoshta kishin të njëjtët elementë. Merrni parasysh këtë version të një justifikimi: “Më vjen shumë keq që u deva përsëri dhe u zgjova i damllosur në Las Vegas. Këtë herë do të ndryshoj vërtet – me të vërtetë! Më jep vetëm një shans tjetër!” A e kuptoni se çfarë dua të them?
Të armatosur me këtë informacion, tani jeni gati të kërkoni falje në një mënyrë që ka shumë të ngjarë të zgjidhë problemin që keni krijuar. Sigurohuni që të mbani mend tre parime themelore.
Të kërkosh falje ka më pak kosto dhe më shumë avantazhe nga sa mendoni
Disa kërkues, në vitin 2014 zbuluan se kur njerëzit pyesin nëse iu leverdis apo jo të kërkojnë falje, shpesh herë gabojnë në parashikim. Për shembull, zakonisht njerëzit mendojnë se duken të dobët apo të paaftë kur pranojnë fajin, prandaj druhen se mos humbasin besimin apo reputacionin në sytë e të tjerëve. Ata mendojnë se mund të marrin faljen, por nuk mendojnë se gatishmëria për të pranuar fajin do të rrisë admirimin për ta. Eksperimentet tregojnë se ne priremi të mbivlerësojmë koston dhe të nënvlerësojmë përfitimet e faljeve. Sigurisht që gjithmonë do të gjeni dikë që nuk do të pranojë asnjë faj apo dobësi. Por këta njerëz në përgjithësi janë partnerë të tmerrshëm në çift, partnerë të keqinj biznesi dhe njerëz toksikë në media sociale – pra, nuk janë pikërisht këta “juria” me të cilën duhet të ballafaqoheni.
Merrni përgjegjësinë e plotë
Mendoni për të gjitha faljet ngurruese që dëgjojmë në publik nga politikanët dhe të famshmit. Në përgjithësi, ata recitojnë fraza të tilla si: “Nëse dikush ndihet i lënduar ose i ofenduar nga fjalët e mia, unë kërkoj falje”. Kjo është një falje e pjesshme që tregon dhembshuri të pakëndshme, pa ndjenjë përgjegjësie. Kur lëndon dikë, nuk duhet të thuash: “Më fal nëse lëndova ndjenjat e tua”, por përkundrazi, “E shoh që i lëndova ndjenjat e tua dhe më vjen keq që e bëra”.
Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë, veçanërisht në një mjedis profesional, është ajo që studiuesit e quajnë “pranimet e vetëshërbimeve” nga shefat. Për shembull, nëse një drejtor ka një problem të marrëdhënieve me publikun që nuk shkaktohet drejtpërdrejt nga ai, përsëri duhet të thotë: “Unë jam shefi, kështu që ky gabim është faji im dhe unë jam përgjegjës”. Studiuesit kanë konstatuar se ky lloj pranimi ndiqet nga një sukses më i madh në biznes, siç është rritja e çmimit të aksioneve gjatë vitit në vijim, ndoshta sepse dikush shtyhet të mendojë se një udhëheqje e tillë do ta zgjidhë problemin.
Përdorimi i pendimit si një praktikë vetë-përmirësimi
Një nga pengesat më të mëdha dhe më paradoksale të kërkimit të faljes, është se njerëzit – pa përjashtim – besojnë se nuk mund të ndryshojnë. Ajo që psikologët e quajnë “teoria e entitetit” do të thotë se ne nuk arrijmë t’i trajtojmë situatat e vështira dhe të pakëndshme si mundësi për përmirësim, siç mund të jenë në të vërtetë. Në të kundërt, përkrahësit e “teorisë inkrementale”, ata që besojnë se tiparet njerëzore janë të lakueshme, kërkojnë mënyra për të përmirësuar veten, duke përfshirë pranimin e gabimit dhe shfaqjen e pendimit. Pra, ne duhet të mendojmë si teoricienët e dytë dhe t’i përdorim faljet si një mënyrë për të zhvilluar burimet tona të guximit dhe virtytit.
Nëse gjithçka shkon mirë, çfarë duhet të shpresoni pasi keni kërkuar falje? Me shumë mundësi, të bëni një “tabula rasa” dhe të ktheheni në normalitet. Kjo na kthen te William Carlos Williams, i cili hëngri kumbullat e çmuara. A funksionoi falja e tij?
Duket se Flossie iu përgjigj me një shënim të shkurtër, të cilin Williams e shndërroi me oportunizëm në një tjetër poezi (në fakt u botua pikërisht në këtë revistë në nëntor 1982, pas vdekjes së tyre).
Bill i dashur: Të kam përgatitur
nja dy sanduiçe.
Në frigorifer do të gjesh
boronica, pak rrush,
një gotë kafe të ftohtë.
Mbi sobë është çaji
me mjaftueshëm gjethe
për ta përgatitur
nëse preferon – thjesht ndiz gazin –
vëre ujin të vlojë dhe derdhe në filxhan.
Në koshin e bukës ka shumë bukë
dhe gjalpë dhe vezë –
Thjesht nuk dija se çfarë të të përgatisja.
Shume njerëz telefonuan gjatë orarit të punës.
Shihemi më vonë. Me dashuri. Floss.
Të lutem, ta mbyllësh telefonin.
Meqenëse nuk i përmendi kumbullat, me siguri e pranoi faljen e tij.
*Arthur C. Brooks është sociolog amerikan, muzikan dhe kontribues i rregullt me shkrimet e tij në revistën “The Atlantic”. Ka qenë president i “Amerikan Enterprise Institute” dhe është autor i 11 librave të suksesshëm. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.