Montanelli
Fëmijëria ime, e tradhtuar nga diktatura

Fëmijëria ime, e tradhtuar nga diktatura

Letërsia është arma e ftohtë e Mircea Cărtărescu-t, mënyra se si ai e mbron bukurinë dhe lirinë pasi u rrit në një vend të skllavëruar prej diktaturës. Më i madhi i shkrimtarëve rumunë jep këtë intervistë pak javë përpara shpalljes së çmimit Nobel, që ndoshta mund t’i shkojë pikërisht atij, pasi prej vitesh përflitet se është në listën e kandidatëve. Por ama kur ia themi, nuk i jep aspak rëndësi: “Nuk shkruaj për çmimet, por për lexuesit”.

Keni jetuar për shumë vite nën diktaturë, si ka ndikuar kjo në jetën tuaj si shkrimtar?
Kam lindur në vitin 1956 në Bukuresht. Diktatura e Çausheskut ka vjedhur realisht 34 vite të jetës sime. Gjithë rininë. Natyrisht që kur isha fëmijë, nuk isha i ndërgjegjshëm për situatën e vendit tim, por thjesht kuptoja se duhet të ishim të kujdesshëm. Prindërit më thoshin gjithmonë të njëjtën gjë: “Mircea, ne jemi njerëz të thjeshtë që mund të goditemi në çdo çast, prandaj mos trego barcaleta politike dhe mos thuaj asgjë që mund të interpretohet si ligjëratë kundër regjimit”.

Çfarë pune bënin prindërit tuaj?
Kishin ardhur në Bukuresht pas industrializimit të detyruar të viteve ’60. Të dy punëtorë, babai im në një fabrikë trenash, mamaja në një fabrikë tekstilesh. Më pas, babai u regjistrua në universitet dhe nisi të punojë si gazetar. Shkruante për bujqësinë.

Si vepronte censura në regjim?
Unë kam nisur të botoj qëkur Çaushesku ishte ende në pushtet. Kur u publikua vëllimi im i parë, isha 24 vjeç, dhe bëhej fjalë për një përmbledhje nën frymën e Eliot dhe Pound, modernizmi dhe neomodernizmi rumun. Të gjithë librat e mi me poezi u censuruan, romani “Nostalgjia” u shpërfytyrua në mënyrë brutale nga censura. Nga pesë pjesë, njëra u fshi fare. Censuruesit, në përgjithësi, hiqnin faqe në mënyrë iracionale.

Pa arsye politike?
Burokracia ishte e egër dhe idiote. Një herë, gjatë regjimit, Umberto Eco erdhi në Bukuresht. Diku gjatë bisedës, një i ri nga publiku u ngrit në këmbë dhe i tha: Profesor, a e dini se versionit rumun të “Emrit i Trëndafilit” i janë hequr 20 faqe? Eco u habit: pse ishte bërë kjo, nuk kishte asgjë politike? Ai nuk i njihte censuruesit. Bëhej fjalë për njerëz që duhej të tregonin se punonin duke retushuar aty-këtu ose në rastin më të keq kapeshin pas një liste fjalësh për t’u shmangur, përgjithësisht terma nga leksiku fetar ose erotik. Çifti Çaushesku kishin origjinë fshatare, të lidhur me vlerat tradicionale të fshatit.

A ishte për ju letërsia një formë rezistence?
Një mënyrë për të rezistuar, por edhe për t’iu ofruar shpresë lexuesve. Ne quheshim atëherë “të bardhët”, për t’u dalluar nga “të kuqtë” që ishin shkrimtarët e lidhur me regjimin dhe komunistët në pushtet. Ndonjëherë, na ndihmonin redaktorët, duke na kërkuar që të shkruanim ndonjë faqe më shumë, që më pas ata ta hiqnin dhe t’u tregonin censuruesve se e kishin kryer punën e tyre.

Sot Rumania raporton zbulimin e një droni rus në territorin e saj. Çfarë mendoni për Putinin?
Putini nuk i përket botës së politikës, por botës së krimit, ai është një lider mafioz. Prova për këtë qëndron te brutaliteti me të cilin ai pushtoi Ukrainën. Bëri një gabim, mendoj se rusët e dinë, por nuk mund të flasin. Ky lloj agresioni është i pajustifikueshëm. Ana pozitive është se i përmendi vendet evropiane nga mpirja dhe i kujtoi NATO-s arsyen pse ekziston.

Librat tuaj të japin përshtypjen se imagjinata është shërim.
Po ju tregoj një anekdotë. Më shumë se dhjetë vite më parë, shkova në Vjenë për një ekspozitë surrealizmi. Më së shumti, ishin punime nga Giorgio de Chirico. Mes tyre, më bënë përshtypje disa kuti të lyera çokollatash: ato mbështilleshin me letra alumini me ngjyra të ndryshme. Direkt m’u kujtua fëmijëria, kur e ruaja gjithmonë mbështjellësen shumëngjyrëshe. Ai kujtim ishte një hap i parë drejt melankolisë. Ajo që kam të përbashkët me de Chirico është ndjenja e vetmisë së thellë dhe tensionit metafizik.

Në librin “Melankolia”, babai juaj shndërrohet në një njeri kauçuku dhe mamaja juaj në një çokollatë gjigante të ekspozuar në magazinat e mëdha të Bukureshtit.
Ky është kërkimi im i kohës së humbur, kërkimi i asaj fëmijërie të tradhtuar nga diktatura.

Bukureshti është një tjetër protagonist i romaneve tuaja.
Ama gruaja ime e njeh më mirë se unë (sheh duke buzëqeshur bashkëshorten, shkrimtaren rumune Ioana Nicolaie). Në të vërtetë, Bukureshtin e kam zgjedhur se nuk njihja qytete të tjera. Kur isha student, mendoja se ishte qyteti më i bukur në botë, por nuk kisha parë asnjë tjetër. Atëmot asnjë rumun nuk kishte pasaportë. Udhëtimi i parë ishte tronditje për mua. Në vitin 1990 shkova në New York dhe mund ta imagjinoni vetë se çfarë kapërcimi ishte. Me kohën, nisa të shpikja një Bukuresht timin.

Udhëtimet në Bukureshtin letrar duken si përvoja psikodelike.
Brezi im përpinte poetët e “Beat Generation”, ishim të magjepsur prej asaj atmosfere. Na quanin “tetëdhjetëshit”, ata të viteve ’80, ose “blue jeans generation”, sepse hoqëm dorë nga kollarja dhe xhaketa. Ama drogërat i krijonim me fjalë, duke qenë se edhe po të donim, në Rumani ishte e pamundur t’i gjeje.

A ju pëlqen t’ju përkufizojnë si shkrimtar vizionar?
Shumë. Kur shkruaj kaloj në ekstazë, sikur jam nën efektin e meskalinës apo Lds-së.

*Mircea Cărtărescu është shkrimtar dhe poet rumun, i cili është nderuar me më shumë se njëzetë çmime letrare në Europë dhe në SHBA për librat e tij, ndërsa prej shumë vitesh shihet si favorit për çmimin Nobel. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *