Montanelli
Qytetet e mërzitshme vuajnë mungesën e etikës, jo të estetikës

Qytetet e mërzitshme vuajnë mungesën e etikës, jo të estetikës

Konsulent i Kombeve të Bashkuara dhe profesor emeritus i “London School of Ecomics”, Richard Sennett është botërisht i mirënjohur për studimet e marrëdhënieve midis individit, komunitetit dhe mjedisit urban. Prishjen e ndërtesave të vjetra për të ndërtuar të reja, siç rëndom njihet modeli amerikan, e sheh si gabimin më të madh ekologjik në afatgjatë. “Në përgjithësi, qytetet europiane i janë larguar logjikës amerikane për të prishur dhe rindërtuar. Në Europë, shtohet më shumë dhe shkatërrohet më pak. Ndërtesat e vjetra shpesh janë të ndërtuara më mirë dhe më fleksibël se kutitë e xhamit me ajër të kondicionuar që kërcënojnë t’i zëvendësojnë”, thotë Sennett.

Çfarë duhet “të mësojë e të ç’mësojë” brezi i ri i urbanistëve dhe arkitektëve?
Mendoj se ky profesion është bërë jofunksional, sepse ende merr formë mbi idenë e gjeniut të viteve ‘800: frymë që ndërpret bashkëpunimin, në radhë të parë me komunitetin. Dhe kjo sjell qytete të standardizuara, të mërzitshme, që nuk kënaqin nevojat e atyre që banojnë aty. Unë kam 50 vjet që jap mësim dhe ajo që shoh është se shumica e studentëve të mi nuk i shtojnë vlerë shoqërisë me atë që bëjnë. Karriera tipike krijohet mbi punën pa reflektim në një mjedis shumë konkurrues. Ata që merren me planifikim urban duhet të mendojnë më shumë si mjekë, sesa si sipërmarrës.

Urbanisti dhe arkitekti duhet të mendojë më së shumti si doktor. Çfarë nënkuptoni me këtë?
Nevojitet një qasje tjetër. Studentët duhet të dinë më shumë mbi jurisprudencën, mbi ekonominë dhe sociologjinë. Aspekti teknik mund të përparojë duke punuar, por etika rrënjoset gjatë viteve të studimit. Asnjë kompani s’do t’i kërkojë arkitektit nëse projekti i tij “është i drejtë”, por ai duhet t’ia bëjë këtë pyetje vetes. Estetët, ata që mendojnë se arkitektura është art, janë të korruptuar nga biznesi, sepse do të bënin çmos që projekti i tyre të shihte dritën e zbatimit. Fakti që edhe Bienalja e Venecias, e cila është nxitur gjithmonë nga dëshira për ndërtesa të mrekullueshme dhe të përsosura, mirëpret një diskutim të tillë, do të thotë se tashmë ekziston ndërgjegjësimi për krizën.

Cilat janë sfidat, të cilat qytetet do ta kenë të vështirë t’i përballojnë nëse nuk ndryshohet drejtim?
Më e madhja është ndryshimi klimatik. Ato që kemi parë muajt e fundit, valët e të nxehtit, janë një prej faktorëve më të ndërlikuar që do t’i bëjnë qytetet gjithnjë e më të vështira për t’u jetuar. Ndryshimet klimatike do të transformojnë mënyrën se si njerëzit punojnë, do të ndryshojnë rrjedhën e turizmit dhe do të krijojnë një fluks gjithnjë në rritje të migrantëve klimatikë nga Afrika në Europë. Dhe bëhet fjalë për një fluks që Europa është politikisht e papërgatitur për ta menaxhuar. Për mendimin tim, kjo është çështja madhore me të cilën duhet të merret urbanistika.

Megjithatë, ndryshimi i klimës duket jashtëzakonisht i vështirë për t’u luftuar. Si konsulent i Kombeve të Bashkuara, çfarë ideje keni për strategjitë që tashmë janë në dispozicion të atyre që planifikojnë dhe administrojnë qytetet?
Disa prej tyre janë të përsëritura, deri në banalitet, ama në thelb janë të vërteta, si për shembull mbjellja e pemëve. Pastaj kemi mësimet nga e shkuara. Qytete si Venecia apo Firence nuk u konceptuan vetëm nga një njeri, por janë rezultat i gjenisë së përgjithshme. Në përgjithësi, qytetet europiane i janë larguar logjikës amerikane për të prishur dhe rindërtuar. Në Europë, shtohet më shumë dhe shkatërrohet më pak. Ndërtesat e vjetra shpesh janë më mirë të ndërtuara dhe më fleksibël se kutitë e xhamit me ajër të kondicionuar që kërcënojnë t’i zëvendësojnë. Ne e dimë se në afatshkurtër është më e shtrenjtë, por ekologjikisht shumë më e arsyeshme në afat të gjatë, të rinovohet në vend se të ndërtohet nga fillimi.

Duke folur për inteligjencën kolektive: si ndikojnë teknologjitë dhe rrjetet sociale në të?
Nuk kam besuar kurrë te sirenat e neoliberalizmit; e vërteta është se teknologjitë e reja përdoren për të izoluar dhe kontrolluar, dhe pandemia e nxorri në pah këtë gjë. Kur jemi në një hapësirë të përbashkët, zotërojmë një sërë formash të komunikimit joverbal që ne i praktikojmë; online jemi veçse terminale. Tashmë jemi mësuar aq shumë me izolimin, saqë edhe kur jemi në të njëjtin vend, për shembull në punë, mbetemi në modalitetin e moskomunikimit; ekipi im në “London School of Economics” e ka studiuar këtë dinamikë që prej viteve 1990. Dhe kjo është pikërisht bota e parashikuar nga Foucault: heshtja si një formë shtypjeje. Ne duhet të luftojmë kundër saj.

*Richard Sennett është sociolog dhe aktualisht profesor në London School of Economics. Autor i më shumë se njëzetë librave, ka fituar shumë çmime ndërkombëtare për mendimin e tij që kryesisht është influencuar nga Hannah Arendt. Intervista për Lara Crinò u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published.