Borges
Pas kronometrit të përditshmërisë sonë

Pas kronometrit të përditshmërisë sonë

Nga Edgar Morin/ Jemi të shumtë, edhe pse të shpërndarë, ne që gjithnjë e me më shumë vështirësi po arrijmë ta përballojmë hegjemoninë e fitimit, të parasë, të llogarive (statistika, rritje, PBB, sondazhe), që injorojnë nevojat tona të vërteta si aspirata mëse legjitime të një jete të pavarur, por njëherazi edhe komunitare.

Jemi të shumtë, por të ndarë në divizione të veçanta, ne të cilët dëshirojmë që triniteti “Liri, Barazi, Vëllazëri” të bëhet norma e jetës sonë personale e shoqërore, dhe jo maska që mbulon shtimin e skllavërisë, të pabarazive dhe egoizmave. Në dekadat e fundit, me hegjemoninë e ekonomisë liberale të globalizuar, fitimi është rritur tej mase në dëm të solidaritetit dhe bashkëjetesës; arritjet në planin shoqëror, pjesërisht janë zhbërë; jeta urbane ka degraduar; produktet e kanë humbur cilësinë e tyre (përmes vjetërsimit të programuar, pra me defekte të fshehura); ushqimet e kanë humbur virtytin e tyre: si aromën ashtu edhe shijen.

Natyrisht që shumë oaze të jetës dashurore, familjare, vëllazërore, shoqërore, solidare dhe lozonjare dëshmojnë rezistencën e dëshirës për të jetuar mirë. Qytetërimi i interesit dhe i llogarive nuk do të mund t’i zhdukë kurrë. Por këto oaze janë ende shumë të shpërndara dhe pa lidhje me njëra-tjetrën.

Megjithatë, ato vazhdojnë të zhvillohen dhe lidhja e tyre skicon profilin e një qytetërimi tjetër, të mundshëm.

Ndërgjegja ekologjike, lindur prej shkencës që mban të njëjtin emër, na dikton nevojën për të zhvilluar jo vetëm burime energjie të pastër dhe të eliminojmë gradualisht të tjerat, duke përfshirë edhe atë bërthamoren që është aq e rrëzikshme, por edhe një pjesë të mirë të ekonomisë t’ia kushtojmë pastrimit të qyteteve të ndotura dhe shëndetësimit të bujqësisë, duke reduktuar bujqësinë dhe blegtorinë e industrializuar në favor të bujqësisë së fermave dhe agro-ekologjisë. Një rinisje e tillë e ekonomisë, nxitur prej zhvillimit të një ekonomie sociale dhe solidare, do të mundësonte një reduktim të dukshëm të papunësisë, përveçse reduktimin e pasigurisë në punë.

Do të ishte e nevojshme edhe një reformë e kushteve të punës në emër të atij rentabiliteti që prodhon sot mekanizimin e sjelljes, deri në robotizim, sfilitje, sëmundje dhe papunësi – duke ulur pikërisht rentabilitetin e shumëkërkuar. Në të vërtetë, rentabiliteti ekonomik mund të arrihet jo me robotizimin e sjelljes, por përkundrazi, me përdorimin e plotë të personalitetit dhe përgjegjësisë së punëtorëve. Reforma shtetërore duhet të konsiderohet jo si një ulje apo rritje e parametrave të produktivitetit, por më tepër si një deburokratizim, domethënë, komunikim ndërmjet divizoneve, nismave dhe ndërveprimeve të vazhdueshme mes niveleve drejtuese dhe atyre ekzekutuese.

Rëndësinë kryesore do ta kishte reforma e konsumit. Do të jetëzonte një formë përzgjedhjeje të ndërgjegjshme produktesh sipas cilësive të tyre të vërteta dhe jo atyre imagjinare të fryra nga reklamat apo influencuesit, duke sjellë kështu reduktimin e helmit konsumist. Kjo do të bënte që të ishin aromat, shijet, estetikat ato që do të udhëhiqnin konsumin, i cili duke u zhvilluar në këtë formë do të reduktonte bujqësinë e industrializuar, konsumin e pakuptimtë dhe jo të shëndetshëm, pra do të zbehte dominimin e fitimit.

Zhvillimi i qarqeve të shkurtra të furnizimit, veçanërisht për ushqimin, përmes tregjeve dhe shoqatave, do të favorizonte shëndetin tonë dhe do të frenonte hegjemoninë e grosistëve të mëdhenj dhe produkteve tejet të përpunuara. Nga ana tjetër, rezistenca ndaj produkteve me vjetërim të planifikuar (automjete, frigoriferë, kompjuterë, celularë, çorape etj.) do të favorizonte një artizanat të ri. Mbështetja ndaj bizneseve lokale do t’i humanizonte në mënyrë të konsiderueshme qytetet tona. Në të njëjtën kohë, kjo gjë do të zmbrapste atë forcë të frikshme tekniko-ekonomike që nxit anonimitetin, mungesën e marrëdhënieve të përzemërta me të tjerët, shpesh edhe kur njerëzit gjenden brenda së njëjtës ndërtesë.

Konsumatorët, domethënë të gjithë qytetarët, kanë fituar gjithashtu një fuqi, e cila, në mungesë të besimit të ndërsjellë, është e padukshme për ta, por pasi të qartësohet, mund të përcaktojë jo vetëm një orientim të ri të ekonomisë (në industri, bujqësi apo shpërndarje), por do të mund t’u prijë edhe mënyrave të mundshme për gjallërimin e jetës sonë.

Një proces i ri civilizimi do të prirej të rivendoste mënyra solidariteti lokal apo të krijonte forma komplet të reja – si për shembull ndërtimi i shtëpive të solidaritetit në qytetet e vogla apo nëpër lagjet e qyteteve të mëdha. Do të nxiste bashkëjetesën, nevojën parësore njerëzore, e cila i vë barriera jetës së racionalizuar, me kronometër, që udhëhiqet nga efiçensa.

Mund të rigjejmë virtytin e jetës së mirë përmes rrugëtimit nëpër një reformë ekzistenciale.
Na duhet të rimarrim një kohë që është e përshtatshme për ritmet tona, e cila i bindet vetëm pjesërisht presionit kronometrik. Ne mund të alternojmë periudhat (shqetësuese) të shpejtësisë me periudha (të qeta) ngadalësimi. Të rizbulojmë shijen e një jete poetike prej festave dhe bashkimit në art, në teatër, në kinema, në kërcim. Përtej sferës së jetës së përditshme, aspirojmë të jemi pjesë e botës, të ndërgjegjësohemi për përkatësinë tonë ndaj njerëzimit, sot të ndërvarur. Ne besojmë, siç ka thënë edhe Montaigne në shekullin XVI, “çdo njeri është bashkatdhetari im” dhe se humanizmi ekziston si respekt për çdo qenie njerëzore.

Secili më vete, atdhetë tanë, formësojnë një komunitet njerëzor. Problemet dhe rreziqet jetike që rrjedhin nga globalizimi tanimë i lidhin të gjitha qeniet njerëzore në një bashkësi fati. Nevojitet të njohim atdheun tonë (që na ka bërë bij të Tokës), atë atdhe tokësor (që integron atdhetë tanë të ndryshëm), qytetarinë tonë tokësore (që njeh përgjegjësitë tona lidhur me fatin tokësor).

Gjithsecili prej nesh për një çast është thërrmijë e aventurës gjigante dhe të pabesueshme të Homo sapiens-demens. Kjo aventurë, e cila nisi me lindjen, madhështinë dhe rënien e perandorive dhe qytetërimeve, e pati shkëlqimin në një proces evolucioni ku gjithçka që dukej e pamundur u bë e mundur, si për keq ashtu edhe për mirë. Është i nevojshëm një humanizëm i thelluar dhe i rigjeneruar, nëse duam gjithashtu të rihumanizojmë dhe rigjenerojmë vendet tona, kontinentet, planetin tonë.

Globalizimi, me mundësitë dhe mbi të gjitha rreziqet e tij, ka krijuar një bashkësi fati për të gjithë njerëzit. Të gjithë duhet të përballemi me degradimin ekologjik, përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, hegjemoninë e financave mbi shtetet dhe fatet tona, rritjen e fanatizmit të verbër, rikthimin e luftës në Evropë.

Në mënyrë paradoksale, pikërisht në momentin kur duhet të ndërgjegjësohemi në mënyrë solidare për bashkësinë e fatit të të gjithë tokësorëve, nën ndikimin e krizës planetare dhe ankthit që ajo shkakton, ne të gjithë strehohemi secili në cepin e tij, në etni, në kombe apo në fe. Le të thërrasim të gjithë në ndërgjegjësimin që duhet të kemi dhe të shpresojmë në përgjithësimin e tij, në mënyrë që problemet e mëdha të trajtohen një herë e mirë në shkallë planetare.

*Edgar Morin është filozof dhe sociolog francez, i lindur në Paris më 1921. Vepra e tij voluminoze përbëhet kryesisht nga analiza e fenomeneve kulturore në marrëdhënie me mjetet e komunikimit masiv dhe nga epistemologjia e shkencave humane, që ka kulmuar me veprën “Metoda”. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri i ri “Edhe një çast – tekste personale, politike, sociologjike, filozofike dhe letrare”. U përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Lexo nga Edgar Morin:

T’i jepet fund ndarjes së lëndëve në shkencore e shoqërore: Propozimet e Edgar Morin për shkollën e shekullit XXI

Kjo është kriza e mendimit

Duhet të gjejmë një vaksinë kundër inatit të njerëzve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *