Montanelli
Dashuria e vërtetë nuk është shkrirje totale por respekt i distancës, një lloj pabesie

Dashuria e vërtetë nuk është shkrirje totale por respekt i distancës, një lloj pabesie

Nga shtëpia e tij në Lubjanë, Slavoj Žižek ndihet i lodhur nga lidhjet në Zoom dhe telefonatat e panumërta. Në mënyrë paradoksale, pandemia e bëri të kuptojë se i mungon vetmia, teksa thotë se nuk na duhen revolucione, por gjëra normale.

A shënon Covid fillimin e një epoke të re?

Besoj edhe unë se normaliteti siç e njihnim nuk do të kthehet, duhet të rishpikim një të ri. Janë dëmet psikologjike që më shqetësojnë, sepse këtu shoh se në rrugë ka më shumë dhunë dhe klinikat psikiatrike janë plot, si edhe vetëvrasjet e të rinjve janë shtuar. Rregullat e vjetra po zhduken, prandaj po bëhem pak më shumë konservator. Kemi nevojë për rregulla.

Për rregulla të vendosura nga lart?

Nuk kam parasysh ndërhyrjen e shtetit, por arsimin, rregullat e bashkëjetesës së përditshme. Jemi gjithmonë e më të dobët, ndjekim pasionet e çastit duke harruar dashuritë e vërteta sepse kënaqemi me surrogatot virtuale. Nuk kemi qenë kurrë më parë kaq të ndërlidhur. Por jam i lodhur nga chat-et, video konferencat, telefonatat. Në mënyrë paradoksale pandemia më bëri të kuptoj se më mungon vetmia.

Çfarë është dashuria për ju?

Dashuria ka nevojë për trupa. Të jesh lakuriq është një eksperiencë shpirtërore dhe këtë e kishte kuptuar edhe Tarkovskij. Në filmin “Stalker”, filmi i tij më i bukur, kujtimet shoqërohen gjithmonë me ujë, erë dhe shi, dhe kjo ndodh sepse spiritualiteti është gjithmonë material. Bëhet fjalë për vetë mrekullinë e krishtërimit: Jezu Krishti ishte njerëzor, ishte trup. Zoti nuk është tjetërkund, është mes nesh.

A nuk është fantashkencë të mendosh se truporja mund të zhdukë gjithçka?

Një ditë një miku i djalit tim më tha: kujt i tepron kohë sot për flirtuar dhe për t’u përfshirë në lojën e joshjes? Nuk e mohoj se në Zoom mund të bëhen takime të mrekullueshme por ideja e dashurisë platonike më duket shoviniste. Le të marrim mitin e Orfeut dhe Euridikës. Ajo që dimë është se ata po vinin nga përtej varrit, ai u kthye duke thyer premtimin e tij për të mos e parë, kështu që e humbi përsëri. Imagjinoj një skenar tjetër. Orfeu gjatë ecjes mendon: tani do të duhet të angazhohemi që të jemi së bashku çdo ditë, mbase është më mirë të vazhdoj vetëm dhe të shkruajmë një poezi. Mendoj se dashuria e sjellshme është idiote. Por si e bëjmë këtë? Shpesh zgjohem në mes të natës dhe mbaj shënime nëse kam ndonjë ide, aq sa nuk mund të më zërë gjumi pa një copë letër pranë shtratit.

Dhe ky shqetësim ju turbullon?

E kundërta, më pëlqen. Kam mësuar ta nënshtroj, ashtu siç dominoj mbi pasionet që të vetme mund të jenë një katastrofë, mund të na bëjnë copash. Vetëm dashuria mund të na ndihmojë të transformojmë ndikimin e tyre shkatërrues në diçka që i përshtatet përditshmërisë. Lumturia kërkon lodhje, ndërtohet ditë pas ditë. Jo rastësisht të krishterët flasin për “punë të dashurisë”.

A nuk druheni se mund të dukeni si ndonjë reaksionar i vjetër?

Kemi arritur në paradoksin që nëse shkon te psikologu dhe i tregon se je vetëm me partnerin tënd, dëgjon se vuan thjesht nga një fiksim patologjik, se brenda teje diçka nuk shkon siç duhet. Ndaj imoralitetit, i cili është bërë i natyrshëm, unë preferoj sigurinë burokratike të martesës. Nëse kam qenë i martuar katër herë, kjo është për shkak se çdo herë pranoj të angazhohem

Edhe ky është një provokim ama?

Sot bixhozi i vërtetë është martesa, jo shkelja. Nuk na duhen revolucione, por gjëra normale. I madhi Sam Goldwin pasi u akuzua se krijonte filma plot me shabllone të vjetra, u shkroi bashkëpunëtorëve të tij se ata duhej të kërkonin shabllone “të reja”. Dhe kishte të drejtë.

Në librin e fundit, “Xhuxhi dhe manekini”, i dedikoni disa faqe rëndësisë së tradhtisë dhe rivlerësimit të figurës së Judës. Tradhtia është pjesë e lojës?

A e keni parë serinë televizive Homeland? Claire Danes luan rolin e një agjenteje që lufton terrorizmin. Në një moment, krijon një marrëdhënie me një spiun rus por në fund e tradhton duke i rrëfyer informacione sekrete CIA-s. Më duket e mrekullueshme, dashuria e vërtetë nuk është shkrirje totale por respekt i distancës, një lloj forme pabesie. Nuk u besoj atyre që thonë “jemi bërë një trup i vetëm”. Kjo nuk është dashuri, është kanibalizëm emotiv.

Pra sipas mendimit tuaj, sot kemi nevojë për një utopi që i drejtohet së shkuarës?

Kemi nevojë për rituale ditore të harruara, për arsimim. Donald Trump vulgarizoi jetën e përditshme. Nuk është aspak konservator, por është një postmodernist: thyen rregullat, thotë gënjeshtra, përdor ironinë. Është një vulgar revolucionar. E majta duhet të të jetë zëri i një mazhorance “morale”. Imazhi simbolik mund të jetë fotoja e Bernie Sanders gjatë ceremonisë së betimit të Joe Biden.

I referoheni fotos së Sanders me doreza leshi që u shpërnda në gjithë rrjetet sociale?

Një moment sublim. Ai po që është një përfaqësues i vërtetë i së majtës. Kur Hegeli pa Napoleonin në kalë në rrugët e Jenës pas luftës, shkroi se kishte parë tek ai figurën e shpirtit të botës. Ja pra, Sanders në atë moment përmbante shpirtin e së tashmes.

A nuk mendoni se e keni ekzagjeruar me paradokset?

U tregova konfuz. Më ndihmoni, silluni keq dhe manipuloni fjalët e mia si të doni!

*Slavoj Zizek është filozof dhe politolog slloven, eksponent i filozofisë marksiste. Kërkues shkencor në Institutin e Sociologjisë në Universitetin e Lubjanës, profesor në European Graduate School dhe Drejtor i “Birkbeck Institute for the Humanities” në Universitetin e Londrës. Kjo intervistë nga “La Repubblica” u përkthye nga Erjon Uka. Publikuar edhe në Tiranapost.al

Tags :

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *