Montanelli
Demokracia e syleshëve

Demokracia e syleshëve

Gérald Bronner është sociologu i besimeve, profesor i Sociologjisë në Universitetin Paris VII, anëtar i Akademisë Kombëtare të Mjekësisë, i Akademisë së Teknologjisë dhe i Institutit Universitar të Francës. Autor i shumë librave, në një raport të shkruar për Presidentin e Francës me titull “Iluminizmi në epokën dixhitale”, Bronner propozon një sërë zgjidhjesh për t’i bërë ballë rrezikut të apokalipsit të dijes.

Lajmet e rreme janë shumë të përhapura dhe publiku ka krijuar një ndjeshmëri të caktuar për këtë lloj informacioni. Megjithatë, lajmet e rreme kanë qarkulluar përherë. Çfarë ndryshon sot nga Mesjeta?
Ka evoluar shumë perceptimi ynë për botën, ashtu sikundër është tejkaluar interpretimi fjalë për fjalë i Biblës. Krahasuar me Mesjetën, tregu i informacionit është shndërruar pasi sasia informacioneve është më e madhe. Në Mesjetë informacioni transmetohej gojarisht dhe bazohej në kapacitetet tona të kujtesës duke e tjetërsuar shpesh herë mesazhin. Librat ishin të shtrenjtë dhe të rrallë. Pastaj u shpik shtypi, ndërsa sot kemi informacionin që përhapet përmes valëve. Interneti është forma e fundit e derregullimit të tregut të informacionit. Ajo që ndryshon është se përpara shpreheshin vetëm “gardianët”, rojet e pragjeve të tregut të informacionit, ndërsa tani kushdo që zotëron një llogari online mund ta kundërshtojë një profesor mjekësie për vaksinën. Për më tepër, karakteristika e tregut të sotëm të informacionit është presioni konkurrues i paprecedentë në historinë e njerëzimit, për shkak të uljes së kostove të prodhimit dhe shpërndarjes së informacionit. Të gjitha modelet intelektuale që pretendojnë të përshkruajnë botën, qofshin bestytëni dhe dije, mendime magjike apo ideologji politike, janë pa asnjë filtër në konkurrencë të lirë. Kjo ka krijuar një disponueshmëri të paparë informacioni. Në vitet 2000 janë prodhuar më shumë informacione se sa gjithë periudha që fillon prej Gutenbergut deri në vitin 2000. Në dy vitet e fundit kemi prodhuar 90% të të gjithë informacioneve që disponojmë.

Ju quheni sociologu i besimeve. Cili është ndryshimi midis një besimi dhe një njohurie?
Është shumë e vështirë të përcaktosh kufijtë mes besimit dhe njohurisë. Mund të thuhet se besimi është një model që pretendon ta përshkruajë botën sipas kategorive “e vërtetë” dhe “e rreme”, pra mes të mirës dhe të keqes, mes të bukurës dhe të shëmtuarës. Edhe njohuria pretenton të njëjtën gjë. Siç kam shkruar në “L’empire des croyances”, në shumicën e rasteve gjendemi përballë besimeve. Çastet e njohurive janë të rralla në ndërgjegjen njerëzore, sepse njohuri quhet ajo kur përballemi me një pohim që ndoshta është i vërtetë dhe për të cilin zotërojmë gjithë argumentin. Besimet nuk janë domosdoshmërisht të rreme: për shembull mund të besohet teoria e Big Bengut. Mund të thuhet: “Besoj në këtë teori edhe pse nuk e kuptoj plotësisht, është një besim i deleguar”. “Besoj sepse i besoj komunitetit të shkencëtarëve, por nuk mund të them se bëhet fjalë për një njohuri, sepse nuk zotëroj gjithë argumentet që më lejojnë të kem dije të plota”. Në pjesën më të madhe të rasteve kemi një marrëdhënie besimi përballë ideve, në rastin e Big Bengut me shumë gjasa besimi është i vërtetë dhe nuk ka të bëjë me besimin se prekja e një hekuri largon syrin e keq. Njohuria është një marrëdhënie me një pohim për të cilin ne e dimë argumentin në mënyrë të përsosur dhe me shumë mundësi është i vërtetë. E gjithë pjesa tjetër është besim. Besimi më i keq, ai i gradës më të ulët, është ai i rremi për të cilin nuk kemi asnjë argument dhe nuk dime asgjë, si për shembull bestytënitë. Mes këtyre të dyjave ekziston një kufi jo shumë i qartë.

Në librin e fundit që flisni për çështjet njohëse. Nëse dikush prej nesh i beson gjithçkaje, kjo varet edhe nga funksionimi i trurit. Çfarë roli luan truri i njeriut në pranimin dhe në përhapjen e besimeve?
Çdo gjë që ndodh është pasojë e funksionimit primitiv të trurit tonë përballë hipermodernitetit të ambientit shoqëror, në veçanti atij dixhital. Janë dy faktorë kryesore për të kuptuar gjithë sa po ndodh. Njëri prej tyre shpjegon përhapjen e lajmeve të rreme, ku këto të fundit kënaqin pritshmëritë intuitive të trurit tonë, në atë që unë e kam quajtur anë e errët e arsyes njerëzore. Për shembull, një studim i publikuar në revistën “Science” ka treguar se lajmet e rreme janë gjashtë herë më virale në Twitter se sa lajmet e vërteta. Ka një asimetri të thellë në këtë konkurrencë informacionesh dhe kjo është dramë! Mund të përfytyronim se në tërësinë e gjithë përfaqësimit të botës, lajmet e vërteta do të ishin ato më të avantazhuarat; të përfytyronim se pas disa dekadash, do t’u jepnim jetë shoqërive të njohurisë, sepse njohuritë mund të përhapen më mirë. Por nuk po ndodh kështu. Në shumë situata ai që fiton është lajmi i rremë sepse i gëzohet “mendimit dembel”. Të gjitha studimet tregojnë se variabli që përcakton konfirmimin e këtij informacioni është dobësimi i vigjilencës sonë racionale. Arsyen e kemi të gjithë, por në momente të caktuara e humbasim kujdesin. Kakofonia e informacionit kontribuon në uljen e nivelit tonë të vigjilencës. Në shumicën e rasteve, ne kërkojmë për informacionin që i përshtatet besimeve tona. Sa më shumë informacion të kemi në dispozicion, e sigurt që aq më shumë do të shkojmë drejt asaj që besojmë. Ky është paradoksi i besueshmërisë së informacionit: sa më shumë informacion të ketë, aq më sylesh bëhemi, edhe pse logjikisht duhet të jetë e kundërta.

A po jetojmë në atë që ju e quani si demokracia e syleshëve?
Ky derregullimi i tregut të informacionit është i çekulibruar. Interneti është një demokraci e çuditshme, ku disa mund të votojnë njëqind herë e të tjerë nuk votojnë kurrë. Në asimetrinë e vizibilitetit, grupime të caktuara shprehen më shumë se pjesa tjetër. Bëhet fjalë për njerëz me mendime radikale, njerëz që besojnë fort në diçka siç janë anti-vax apo konspiracionistët. Këta kanë ekzistuar gjithmonë, nuk i ka shpikur interneti, por përpara argumentet e tyre kufizoheshin në disa hapësira shoqërore radikale duke mos zënë hapësirën publike. Shumë studime thonë se anti-vax nuk janë të shumtë në numër, por duken aq shumë sepse shprehen më shpesh në rrjetet sociale dhe arrijnë t’i bindin lehtësisht bashkëqytetarët e tyre. Kur e shpjegoja këtë gjë në vitin 2013 në Francë, nuk kisha shumë të dhëna. Sot përllogaritjet në shkencat sociale më kanë dhënë të drejtë. Ka shumë të dhëna mbi këtë fenomen. Një artikull i fundit mbi super-përdoruesit tregon se 1% e përdoruesve të internetit prodhon 33% të informacionit që kemi në dispozicion.

Pse funksionon kjo gjë?
Ne qeniet njerëzore jemi majmunë socialë. Shumica e këndvështrimeve tona krijohen mbi këndvështrimet e të tjerëve. Ajo që ne mendojmë për veten i detyrohet më së shumti mënyrës se si na shohin të tjerët. E njëjta gjë vlen edhe për mënyrën se si e perceptojmë dhe e tregojmë botën ku jetojmë. Këndvështrimet e të tjerëve shërbëjnë si informacione për ne, sepse pjesa më e madhe e asaj që mendojmë se dimë përbëhet nga besime të ndërtuara prej të tjerëve. E përsëri duhet thënë se këtë gjë s’e shpiku interneti. Gjithmonë ka qenë kështu, por sot është transformuar për shkak të rrjeteve sociale. Më parë dinim këndvështrimin e miqve tanë, të kolegëve, të ekspertëve të certifikuar që dilnin në televizion, radio, njerëzve që kishin të drejtë të flisnin. Për çështjet për të cilat nuk dinim shumë, si për shembull vaksinat, i besonim fjalës së mjekëve, të cilëve u besonim dhe nuk vinim në dyshim përfitimet e vaksinave. Më pas, krejt papritur, morën fjalën njerëz të tjerë dhe masa jonë e “reales” filloi të ndikohej nga popullariteti dhe vizibiliteti i disa këndvështrimeve, ose nga motivimi i disa aktorëve për të imponuar këndvështrimin e tyre. Kështu demokracia e njohurive mund të bëhet demokracia e syleshëve.

Në raportin “Iluminizmi në epokën dixhitale”, ju mes të tjerash, propozoni sensibilizimin e influencerave, duke i bërë më të ndjeshëm karshi gjërave që krijojnë. Por këta të fundit i përkasin botës së tregut, i përgjigjen ligjeve të tregtisë dhe nuk kanë ndonjë detyrë pedagogjike. Do të ishte sikur një uzine që prodhon armë t’i kërkohej t’i shiste produktet e veta vetëm njerëzve apo grupeve që do t’i përdornin për qëllime mbrojtëse. Sa i sigurt jeni që është kjo zgjidhja më efiçente? A nuk pritet që influencerat thjesht të shesin veten apo imazhin e tyre?
Tregu i armëve nuk është një treg i lirë, është i rregulluar, ka norma dhe ligje. Në rastin e influencerave nuk bëhet fjalë për t’u ndaluar atyre lirshmërinë e shprehjes, por për të pasur norma përgjegjshmërie, ashtu siç kompanive të cigareve u kërkohet të përfshijnë në paketa paralajmërimin “duhani vret”. Ekzistojnë norma të rregullimit të tregut që përpiqen të ndikojnë pasojat e produkteve pa cënuar liritë individuale. Megjithatë, kur ka përpjekje për rregullimin e një tregu, rreziku është ai i cenimit të lirisë së shprehjes. Ideja ime lidhet me rregullime që nuk shtypin liritë politike dhe shoqërore. Për shembull, kur YouTube për shkak të algoritmeve shfaq një sasi videosh jo përfaqësuese mbi ngrohjen globale, s’po bën gjë tjetër veçse po gënjen përdoruesit. Është e nevojshme të kemi një diversitet autentik, për të bërë të mundur që njerëzit ose idetë të kenë vizibilitetin që u takon në proporcion me atë që përfaqësojnë realisht.

*Gérald Bronner është sociolog francez. Aktualisht jep mësim në Universitetin Paris VII. Gjithashtu është anëtar i Akademisë Kombëtare të Mjekësisë, i Akademisë së Teknologjisë dhe i Institutit Universitar të Francës. Është autor i mbi 15 librave, ndërsa romani i tij “Comment je suis devenu super-héros” është përshtatur në film nga platforma Netflix në vitin 2022. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *