E ardhmja sipas meje
Ta pyesësh për të ardhmen Margaret Atwood-in, mund të jetë e rrezikshme duke pasur parasysh vizionet e saj të errëta narrative. Megjithatë, këtë herë, përgjigjet nuk vijnë nga shkrimtarja distopike që imagjinonte një botë në të cilën gratë shërbejnë vetëm si mitra për të lindur, ose skenarët në të cilët viruset e ndërtuara në laborator shfarosin njerëzimin. Fantazi apokaliptike këto, sa shqetësuese aq edhe të besueshme. Këtë herë është aktivistja që përgjigjet, Margaret Atwood si protagoniste e fushatave feministe dhe mjedisore, gruaja pragmatike dhe optimiste që nuk përjashton mundësinë se gjërat mund të shkojnë ndryshe, se veprimet njerëzore mund ta ndryshojnë për mirë drejtimin e botës.
Le t’ia nisim nga mjedisi dhe kriza klimatike, një temë që e keni përzemër dhe që është boshti i përmbledhjes suaj të fundit me ese dhe artikuj “Çështje të nxehta”. Si e shihni të ardhmen?
Nuk ekziston vetëm një “e ardhme”. Ekzistojnë disa të ardhme të mundshme, dhe se cila do të realizohet varet nga zgjedhjet që bëjmë sot. Pyetja juaj është paksa pesimiste: krahasuar me kujdesin e pakët të viteve tetëdhjetë, sot i kushtohet shumë vëmendje gjendjes së planetit tonë. A ndodh kjo për shkak të thatësirës, ??zjarreve, përmbytjeve, varfërimit të tokave pjellore, specieve të rrezikuara, apo dënimit të vetes sonë si gjitarë, nëse shkatërrojmë oqeanet? A ndodh kjo sepse brezat e rinj janë shumë të vetëdijshëm për këto çështje dhe së shpejti do të bëjnë edhe zgjedhjet e duhura? Ka mundësi.
Pyetjet retorike të Margaret Atwood-it tregojnë me vendosmëri drejtimin që do të marrë pjesa e mbetur e intervistës. Por përpara se të vazhdojmë, është mirë të bëjmë një parantezë. Shkrimtarja që në nëntor mbushi 83 vjeç, është e palodhur në rrjetet sociale. Një ndër sfidat e saj të fundit ishte kursi tetë javor i mbajtur në “Disco”, një platformë online që në manifestin e saj deklaron se kërkon të kontribuojë në ndërtimin e një bote më të larmishme dhe të qëndrueshme (@discolearn, në Twitter). Titulli i leksioneve: “Practical Utopias”.
Çfarë nënkuptoni me “utopi praktike”?
I sfiduam pjesëmarrësit në krijimin e së “ardhmes” në një planet me zero emetime, të realizueshëm (të qëndrueshëm ekonomikisht) dhe tërheqës për specien tonë. Rezultatet i tejkaluan goxha pritshmëritë e mia! Jemi qenie krijuese dhe bashkëpunuese. Do t’ia dalim. Projekti “Drawdown” të cilin mund ta gjeni online, raporton statistikat dhe rezultatet pozitive të shumë prej fushatave që po aplikohen.
Organizata së cilës i referohet Atwood punon për të gjetur zgjidhje ndaj krizës klimatike. Pika e kthesës është “drawdown” momenti kur nivelet e gazeve serrë në atmosferë do të ndalojnë së rrituri dhe do të fillojnë të bien në mënyrë të vazhdueshme. Faqja është një bazë të dhënash, ku veprimet maten konkretisht me ndikimin që kanë në mjedis (drawdown.org).
Në fillim Covidi dhe tani lufta në Ukrainë po prekin ekonomitë tona që trondisin shoqëritë e së ardhmes, më të pabarabarta dhe të padrejta. A nuk besoni se është një rrezik real?
Kur situatat bëhen shumë të rënda për t’u duruar, përgjithësisht diçka thyhet. Kështu ndodh me revolucionet – ai francez dhe ai rus janë vetëm dy shembuj – por jo gjithmonë rezultati i menjëhershëm është barazia. Murtajat dhe luftërat janë destabilizuese. Por teknologjitë e reja të komunikimit, gazetat, radioja (mendoni Hitlerin pa radio), televizioni dhe tani rrjetet sociale mund të jenë gjithashtu destabilizuese. Pushteti është gjithmonë në lëvizje. Dikush e humbet. Nuk është e thënë që në të ardhmen paratë të mos bëhen të parëndësishme. Paraja është tërësisht një shpikje njerëzore, nuk ekziston në natyrë.
Në një version të ri të “Këngë Krishtlindjeje” të Dickens-it që mund të lexohet “Jep dhe merr”, ju imagjinoni pikërisht këtë: një hiperinflacion që djeg vlerën e parasë.
Paraja mund të shpërbëhet porsi një iluzion, në fund të fundit është një simbol i krijuar nga njeriu. Kur Scrooge-t i shfaqet Shpirti i Ditës së Tokës së Ardhshme, bankieri koprrac ngrihet nga shtrati dhe për herë të parë, ajo botë që më parë i dukej e përjetshme, i shfaqet e brishtë.
Meqë ra fjala te brishtësia, a mund të shkërmoqet demokracia nga ndryshimet?
Demokracia është gjithmonë në rrezik. Mbetet një formë e brishtë qeverisjeje dhe oligarkitë, tiranitë dhe oportunistët që marrin pushtetin e sulmojnë gjithmonë. Por asnjë shoqëri nuk mund të durojë gjatë pa një qendër të qëndrueshme. Vitet e ardhshme do të jenë interesante.
Në Iran gratë po luftojnë për liri, a mendoni se regjimi po mbahet me frymën e fundit?
Nëse do të bjerë, kjo do të jetë falë grave. Dhe atyre burrave që i mbështetën. Por nuk mund ta parashikoj nëse do të ndodhë apo jo. Duhet thënë se regjimi nuk mund t’i burgosë dhe t’i vrasë të gjithë dhe aq më tepër, sa më shumë shtohen njerëzit e burgosur dhe të vrarë, aq më shumë rriten të afërmit e zemëruar dhe hakmarrës. Më duket se regjimit i ka shteruar gjithë energjia morale dhe është në një fazë artriti – gjë e pritshme për revolucionet pas rreth tre brezash – por kjo nuk do të thotë se dora gjysmë e vdekur do të braktisë pikën e mbështetjes së saj. Mbetet për t’u parë.
Cili është roli i shkrimtarëve dhe i letërsisë?
Njerëzit gjithmonë shqetësohen për “rolin e shkrimtarit”. Zakonisht duan t’u diktojnë shkrimtarëve se çfarë të shkruajnë. Natyrisht kjo gjë nuk funksionon, nuk sjell shkrimin e librave të mëdhenj. Në situata ekstreme, shkrimtarët jo konformistë dërgohen në ekzil, censurohen, burgosen apo vriten. Nëse letërsia s’do të hynte në punë për gjë, shtypja e kujtdo që e shkruan do të ishte humbje kohe dhe humbje plumbash për regjimet tiranike. Nëse letërsia ka një rol (do të thotë jo atë që “duhet” të bëjë, por atë që bën në të vërtetë) ndoshta është ky: letërsia flet për të gjithë qenien njerëzore në një mënyrë që asnjë art tjetër nuk mundet. Një roman mund të jetë mënyra më e mirë për të zbuluar mendjet dhe ndjenjat e të tjerëve.
Dhe a do të mjaftonte kjo për ta shpëtuar, apo thjesht për t’u kujdesur për një botë kaq të shkretë?
Çfarë na duhet më së shumti gjatë një krize? Mbi të gjitha, shpresa. Asgjë nuk mund të bëhet pa të. Letërsia, sado e zymtë, në thelb është shpresëdhënëse. Ajo dëshmon besimin se komunikimi njerëzor është i mundur. Për më tepër, mesa di unë asnjë roman nuk përmbyllet me vdekjen e të gjithë protagnistëve.
*Margaret Atwood është shkrimtare, kritike letrare dhe aktiviste kanadeze, autore e më shumë se 60 librave duke përfshirë romane, ese, poezi dhe libra për fëmijë. Ajo është nderuar me shumë çmime letrare, duke përfshirë çmimin Booker, Princi i Asturias dhe Çmimin Franz Kafka. Disa nga romanet e saj janë përshtatur në filma dhe seriale. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.