Borges
Përulësia është tipari i më të mirëve

Përulësia është tipari i më të mirëve

Nga Javier Cercas/ Në pranverën e vitit 2015, kalova thuajse dy muaj teksa zhvilloja “Weidenfeld Lectures”, një cikël vjetor konferencash themeluar nga George Steiner në “St. Anne’s College”. Ishte tamam një formë pakujdesie nga ana ime. Italo Calvino vdiq pak përpara se të zhvillonte “Norton Lectures”, një cikël i ngjashëm leksionesh që mbahej në Harvard dhe gruaja e tij, Chichita, konfirmoi se vdiq prej panikut se duhej të fliste përpara një auditori aq erudit. Ajo që më shpëtoi mua ishte guximi, ose thjesht paturpësia. 

Calvino, i cili ishte dijetar i klasit më të lartë, ndoshta kishte harruar se studiuesit e vërtetë janë pafundësisht bujarë: këtë e dëshmon fakti se, pavarësisht nga eminencat që më paraprinë në “Weidenfeld Lectures”, jo vetëm që nuk më goditën me domate gjatë fjalimeve të mia, por përfunduan duke më bërë anëtar nderi. Një gjë është e qartë: prestigji i Oksfordit mund të përballojë çdo gjë. 

Dua të them se ato ishin ditë të lumtura për mua. Mësova shumë gjëra, sepse është e pamundur të kalosh kohë në Oksford pa mësuar shumë gjëra. E para ishte se José Ortega Y Gasset, i cili kurrë nuk shkoi në Oksford, kishte të drejtë kur na paralajmëroi kundër “barbarive të specializimit”: mençuria nuk arrihet duke u mbyllur brenda specialitetit vetjak, por duke u hapur ndaj të tjerëve, sado të largët të duken. E përjetova vetë këtë fakt shpesh të harruar: leksionet e mia, që kishin të bënin me letërsinë, fillonin pikërisht atëherë kur unë mbaroja së foluri dhe nisnin pyetjet, duke lejuar gjithë llojet e njerëzve të ndërhynin, nga historianët dhe filozofët te sinologët dhe shkencëtarët.

Kështu kuptova gjënë e dytë që mund të mësohet në Oksford, ku anti-specializimi është normë (në të vërtetë, kjo është një ndër arsyet themelore të ekzistencës së kolegjit, ku profesorë të specialiteteve të ndryshme jetonin së bashku dhe ku sot e kësaj dite, ata hanë mëngjes, drekë e darkë bashkë me ekspertë të fushave nga më të ndryshmet): nëse pjesëmarrësit në një konferencë janë të zotë, ligjëruesi mëson më shumë prej tyre se ç’mësojnë pjesëmarrësit nga vetë ligjëruesi. 

Gjëja e tretë që mësova është se të duash mençurinë është po aq e arsyeshme sa të mos shenjtërosh dijetarët. Një mbrëmje mora pjesë në një debat publik mbi Europën me një prej analistëve politikë më të vlerësuar në Britaninë e Madhe e ndoshta në botë. Tashmë referendumi mbi Brexit ishte vendosur dhe qe e pamundur të mos flitej. Më vonë, gjatë darkës, e pyeta bashkëbiseduesin tim nëse mendonte se rezultati i referendumit mund të dilte ashtu si doli: “Ta themi mes nesh”, m’u përgjigj, “nuk ka shanse!”. 

E katërta gjë që mësova është edhe më e rëndësishme. Në St. Anne’s jetoja pranë një gruaje të moshuar indiane. E shihja gjithmonë duke ecur nëpër kampus me kokën e ulur, me flokët e saj gri dhe sarinë shumëngjyrëshe. Ndonjëherë, ndiqte leksionet e mia. U bëmë miq. Quhej, dhe quhet ende, Devaki Jain. Është ekonomiste dhe ka qenë një pionere e feminizmit në Indi. Kishte studiuar në St. Anne’s dhe ishte kthyer në universitetin e saj për të shkruar kujtimet. Ishte e fiksuar ta bënte këtë gjë, por s’kishte shkruar asnjë rresht e duke qenë se unë merresha me letërsi, më kërkonte këshilla. 

“Trego gjithë sa ke jetuar, ashtu siç e ke jetuar, pa shtuar gjë tjetër”, i thoja. Por kujtimet ende s’po dilnin. Derisa një mbrëmje ma rrëfeu sekretin që mbante përbrenda. “A e di Javier”, më tha, “kam bërë aq shumë gjëra në jetë sa s’di t’i tregoj pa u dukur arrogante”. Kjo është gjëja e katërt që mësova. Përulësia është tipari i më të mirëve.

E pesta është se në Oksford mund të shfrytëzohet më së miri çdo çast i ditës. Këtë e kuptova sërish kur u ktheva. Në gati 24 orë kam arritur të bëj shumë gjëra të rëndësishme – nga darka me miqtë deri te vrapimi nëpër rrugët e shkreta të qendrës në agim – duke përfshirë më të rëndësishmen nga të gjitha, që është të mos bërit gjë. 

Deri në shekullin XIX, fjala “atdhe” nuk kishte kuptimin e frikshëm që ka sot. Për Servantesin për shembull, atdheu është ai vend i vogël, intim dhe mikpritës ku janë miqtë dhe kujtimet tona dhe ku do të donim të ktheheshim gjithmonë. Dhe kjo është gjëja e fundit që kam mësuar në Oksford, deri tani: që ky qytet di të jetë edhe atdhe.

*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i mbi 12 romaneve, në shqip janë përkthyer disa libra të tij si “Mashtruesi”, “Monarku i hijeve” dhe “Ushtarë të Salaminës”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *