Njeri i zakonshëm në qendër të Tiranës
Nga Erjon Uka/ Në një ekonomi që nuk bazohet në prodhim dhe me një shkallë të lartë informaliteti, është e pashmangshme që tema e bixhozit të rikthehet herë pas here. Prandaj nuk ka asnjë surprizë në tentativën për të hapur sërish kazinotë, vetëm dy vite pas ligjit ekstrem që mbylli çdo veprimtari të lidhur me lojërat e fatit. Nuk është e papritur, pasi zgjidhjet në ekstreme gjithmonë janë të paqëndrueshme. Herët a vonë do të vinte nevoja për një valvul shfryrëse, e cila tashmë dhe konkretisht po gjendet te kazinotë.
Por ka edhe një çështje tjetër, e cila nëse shtrihet në afatgjatë dhe brumoset në mentalitet, është më e rëndë se hapja e kazinove. Duke mbrojtur këtë nismë, në fillim të një interviste të tij para pak ditëve, deputeti i mazhorancës Alket Hyseni, për të arsyetuar hapjen e kazinove në qendrat e qyteteve, tha tekstualisht: “Qendra e Tiranës nuk banohet nga njerëz të thjeshtë dhe të zakonshëm, ju e dini”.
Përgjigja: Jo, nuk e di. Dhe as nuk e besoj.
Mund të gjenden dhjetëra e qindra arsye për hapjen e kazinove në qendrat e qyteteve, por në vetvete ky është një qëndrim absurd dhe në kufijtë e padijes përsa i përket zhvillimit demografik dhe socio-ekonomik të qyteteve shqiptare dhe në rastin konkret të kryeqytetit, Tiranës. E pavarësisht kësaj, kjo deklaratë nuk mund të kalohet si një gafë e çastit apo një lajm sensacional në portale, pasi pas një qëndrimi të tillë në njëjës sigurisht që qëndrojnë grupe të tjera interesi dhe lobimi të cilët mendojnë njësoj. Ekziston rreziku që kjo të jetë një teori e përhapur dhe e pranuar në disa qarqe, e në këtë mënyrë ndikon direkt në vendimet politike të ardhshme.
“Njeri i thjeshtë dhe i zakonshëm”. Çfarë do të thotë? Mbi ç’kritere është bërë ky përcaktim? Që metodologjikisht të jesh i saktë, duhet të flasësh në të njëjtat baza kuptimore. Prandaj fjalori vjen në ndihmë në këtë rast, ku për fjalën i zakonshëm jep përkufizimin: “Që s’ka gjë të veçantë nga të tjerët, që s’dallohet a nuk shquhet prej të tjerëve nga ndonjë veçori; që haset shpesh, që është shumë i përhapur; që përdoret rëndom, i rëndomtë.” Dhe më e bukura është një ndër shpjegimet e fjalës “i thjeshtë” që lidhet me shtresëzimin e shoqërisë: “Që nuk i përket një shtrese të privilegjuar, një klase shfrytëzuese etj., që bën pjesë në masat e gjera punonjëse. Populli i thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë. Fshatar i thjeshtë.”
Besoj se shpjegimet e dy termave e japin vetë absurditetin e atij qëndrimi. Pra kjo do të thotë se përcaktimi i njeriut në Shqipëri po bëhet vetëm në sajë të kategorizimeve që lidhen me statusin shoqëror dhe të ardhurat ekonomike? Që qenia njerëzore është reduktuar vetëm në një kut financiar, ku aftësia për të paguar a për të ndjekur luksin e bën të jashtëzakonshëm ndërsa vështirësitë e likuiditetit dhe jeta pa vese e bëjnë krejt të thjeshtë e të zakonshëm? Që çdo zhvillim që i përket qendrës i takon vetëm një klase “jo të thjeshtë”, ndërsa periferia i rezervohet “të thjeshtëve”? Egërsisht e pabesueshme.
Nëse dalim jashtë asaj fjalie dhe hedhim sytë nga tendencat demografike dhe social-ekonomike në qendrat e qyteteve jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Perëndim, plotësohet ideja se sërish është bazuar në kushtet e padijes. Qendra e Tiranës në më të shumtën e saj sot banohet nga qytetarë të cilët deri diku mund të përfaqësojnë shtresën e mesme në Shqipëri (megjithëse kjo shtresë është thuajsë inekzistente, pasi shoqëria po shkon gjithmonë e më shumë drejt polarizimit). Me zgjerimin e qendrave urbane, elita drejtuese, politike, mediatike dhe ekonomike e shoqërisë gjithmonë e më shumë po largohet nga qendra për t’u zhvendosur drejt periferive.
Për shembull, zonat pranë unazës së vogël, duke përfshirë edhe Njësinë Tetë që përbëjnë qendrën historike të Tiranës, banohen tradicionalisht nga qytetarë tiranas, familje me një status ekonomik relativisht të qëndrueshëm. Zona të tjera të reja si Komuna e Parisit apo Unaza e Re banohen nga menaxherë, avokatë, mjekë, sipërmarrës të vegjël e të mesëm, mësues e akademikë, familje të reja dhe të ardhura nga qytetet e tjera për të ndërtuar karrierë në Tiranë. Të pasurit, të cilët sipas ligjit dhe qëndrimeve të mbajtura janë synimi kryesor për kazinotë, sot jetojnë në periferi.
Mund të kenë dy, tri, pesë a dhjetë shtëpi, ndoshta edhe në qendër, por fakti është se në tregun e çartur imobiliar, metri katror i komplekseve jashtë Tiranës është më i shtrenjtë se një metër katror në qendër të saj. Kush ndoqi kronikat nga Parisi gjatë kohës së pandemisë, mësoi revoltën e popullsisë franceze pasi menjëherë me nisjen e karantinës, shtresa e mesme mbeti e “mbërthyer” në apartamentet e vogla të qendrës, ndërsa të pasurit shijonin kohën e tyre në shtëpitë e dyta në periferi, me lulishte, pishina, fusha golfi, pista vrapimi dhe palestra. Pra mendimi se qendra i përket shtresave të privilegjuara, është i tejkaluar me kohë.
Dhe së fundi, “e mërzitshmja” përgjegjshmëri e fjalës publike! Në demokraci përfaqësuese, deputeti përfaqëson një grup qytetarësh, interesat e tyre, në mos edhe mendimet dhe qëndrimet e tyre, aq më tepër kur vjen nga një qendër e majtë që të paktën tradicionalisht duhet të përpunojë dhe promovojë vlerat e solidaritetit e jo e kundërta. Fjala rëndon, fjala publike rëndon edhe më shumë. Sepse përndryshe, rrezikojmë të kemi dhembje koke nga dilema të thella si: “A jam unë njeri i thjeshtë dhe i zakonshëm, i denjë për të jetuar në qendër të Tiranës?!”
Botuar në Tiranapost.al