Gjyqi i një të premteje më tregoi kush doja të isha
Nga Kamala Harris/ Akoma e mbaj mend herën e parë që hyra si e punësuar në Gjykatën e Lartë në Kontenë e Alamdeas, në Oakland, Kaliforni. Ishte viti 1988, vera e fundit në Fakultetin e Drejtësisë dhe së bashku me nëntë të tjerë na u ofrua një stazh veror në zyrën e prokurorit të distriktit. E ndjeja se doja të bëhesha ministre shtetit, të qëndroja në vijën e parë për reformën e drejtësisë penale, të mbroja njerëzit e dobët. Por, duke mos e parë kurrë atë punë nga afër, nuk kisha vendosur ende.
Dielli rrezatonte i shndritshëm mbi gjykatë. Ndërtesa dallohej në peizazhin e liqenit Merritt, më e lartë dhe më mbretërore se ato pranë saj. Vështruar nga disa kënde të caktuara, dukej si mrekulli arkitektonike e një kryeqyteti të huaj, më bazën prej graniti dhe kullën e betonit deri në majën e mbuluar me veshje ari. Por nga këndvështrime të tjera, i ngjante një torte dasme art déco.
Zyra e Prokurorit të distriktit në kontenë e Alamedas përmban diçka legjendare. Earl Warren, politikan dhe jurist amerikan i shekullit të shkuar, ka mbajtur këtë detyrë përpara se të bëhej Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë dhe në vazhdim një prej kryetarëve më autoritativë të Këshillit të Lartë në Shtetet e Bashkuara. Atë ditë po mendoja për të, teksa kaloja karshi mozaikëve përrallorë në korridore, të cilat përshkruajnë periudhën më të lashtë të historisë së Kalifornisë.
Isha e para që u paraqita në seksionin informues. Brenda pak minutave erdhën edhe kolegët e mi. Mes tyre, ishte vetëm një grua tjetër, Amy Resner. Sapo mbaroi seksioni, shkova tek ajo dhe i kërkova numrin e telefonit. Në atë mjedis të dominuar nga burrat, ishte e pëlqyeshme të kishe një kolege grua. Amy është ende sot një prej mikeshave të mia më të mira dhe unë jam kumbara e fëmijëve të saj.
Ishte e qartë se si stazhistë verorë, nuk kishim thuajse fare fuqi apo ndikim. Puna jonë kishte të bënte kryesisht me vëzhgimin dhe mësimin në praktikë, duke ofruar ndihmë aty ku ishte e mundur. Ishte rast unik për të krijuar një ide se si funksiononte nga brenda sistemi juridik penal dhe si dukej kur drejtësia vihej në vend, ose si dukej kur kjo nuk arrihej. Iu bashkoheshim prokurorëve që merreshin me të gjitha llojet e çështjeve, nga drejtimi i makinës në gjendje të dehur deri te vrasja, dhe kështu patëm mundësinë të ishim në sallën e gjyqit dhe të përfshiheshim në procesin e ngritjes së një çështjeje.
Nuk do ta harroj kurrë rastin kur supervizori im po punonte për një gjyq që lidhej me një operacion antidroge. Gjatë kontrollit, policia kishte arrestuar një numër njerëzish, dhe midis tyre ishte edhe një kalimtare e pafajshme: një grua që kishte shkuar në vendin e gabuar në kohën e gabuar dhe arrestuar gjithashtu. Nuk e kisha parë. Nuk e dija se kush ishte ajo dhe si dukej. Nuk kishte pasur asnjë kontakt midis nesh, përveç raportit të policisë që unë kisha mundësinë ta shqyrtoja. Sidoqoftë, diçka tek ajo më tërhoqi vëmendjen.
Ishte e premte vonë dhe thuajse të gjithë kishin shkuar në shtëpi për të nisur fundjavën. Me shumë mundësi, ajo grua nuk do të shihte gjykatës me sy deri të hënën. Kjo do të thoshte se do ta kalonte fundjavën në burg.
“Punon të shtunën dhe të dielën? Do të duhet t’i shpjegojë punëdhënësit se ku ishte? Do ta heqin nga puna?”, pyesja veten. Por një e dhënë më e rëndësishme, e dija se në shtëpi kishte fëmijë të vegjël. “E dinë që është në burg? Po mendojnë se ka bërë diçka të keqe? Mund të njoftohet Shërbimi Social për kujdestarinë e fëmijëvë. Oh Zot, mund t’ia heqin fëmijët”, mendova sërish.
Gjithçka ishte në rrezik për këtë grua: familja, të ardhurat, reputacioni që gëzonte në komunitetin e saj, dinjiteti dhe liria. E megjithatë nuk kishte bërë asgjë të keqe.
Shkova te kancelari i gjykatës dhe i kërkova ta bënte pjesë të rendit të ditës atë rast. Iu luta, iu përgjërova. Nëse gjykatësi do të vinte vetëm për pesë minuta, do ta lironim. Nuk mendoja për gjë tjetër veçse për familjen dhe fëmijët e saj. Në fund, kur minutat dhe dita vetë po ezaurohej, gjykatësi erdhi. Vëzhgova dhe dëgjova teksa shqyrtonte rastin, duke pritur të jepte vendimin. Pastaj, me një goditje të çekanit, gruaja ishte e lirë. Do të mund të kthehej në shtëpi për darkë te fëmijët e saj. Nuk kam pasur më kurrë rast ta shikoj, por nuk do ta harroj kurrë.
Ky ishte një moment thelbësor i jetës sime ku tregohej me qartësi të skajshme se si edhe në cepat e sistemit të drejtësisë penale, vlera e veprimeve ishte jashtëzakonisht e lartë dhe problemet e personave të përfshirë kishin rëndësi absolute. U ndërgjegjësova se si edhe me kufizimet e autoritetit të një stazhiereje, njerëzit të cilët drejtësinë e kishin për zemër mund të kontribuonin për ta arritur atë. Ishte një moment ku tregohej se sa rëndësi kishte që personat e mëshirshëm të ishin pjesë e administratës publike. Vite përpara se të zgjidhesha në një zyrë të rëndësishme prokurorie, kjo ishte një prej fitoreve të mia më të mëdha. E dija se ajo grua do të kthehej në shtëpi.
Për më shumë, po bëhesha e vetëdijshme për llojin e punës që dëshiroja të bëja dhe kush doja të isha.
*Kamala Harris është zëvendës presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më parë ka mbajtur postin e Senatores së Kalifornisë. Kjo pjesë nga kujtimet e saj u përkthye në shqip nga Erjon Uka.