Blog
Vetëvendosja e vendosi vetë fatin e saj

Vetëvendosja e vendosi vetë fatin e saj

Nga Erjon Uka/ Në momentin që kasta e vjetër e politikës kosovare një vit më parë u bë bashkë për të rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, nuk ndodhi gjë tjetër veçse u qartësua ndasia e madhe mes dy mënyrave kryesore të të bërit politikë në Kosovë: mes pragmatizmit të shthurur që kishte shndërruar si qëllim në vetvete ruajtjen e gjendjes aktuale pushtetare të klasës sunduese dhe frymës së re që jo vetëm kërkonte rrokullisjen e politikës së vjetër por mbi të gjitha krijimin e një mendësie tjetër në shtetformim dhe administrim publik.

Ishte e qartë se urrejtja që ngjalli në popullatë ky bashkim i panatyrshëm në planin ideologjik dhe të historisë politike do ta kishte përfundimin në atë që Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes, deklaroi në Kuvend aso kohe: Detyrimin për t’i fituar zgjedhjet më thellë e për të ndërtuar qeverinë të vetëm.

Kjo ndodhi jo shumë vonë, por këtë 14 shkurt ku Vetëvendosja duke krijuar frymën e duke premtuar ndryshimin, thuajse dyfishoi rezultatin, teksa votat nga mërgata mund t’i japin edhe mundësinë e krijimit të qeverisë vetëm. E pandodhur në politikën e parcelizuar të Kosovës dhe të vendeve të garantuara të minoriteteve në Parlament. Nëse ka një dhuratë që iu bë Lëvizjes, ishte babëzia dhe përçudnimi maskëçjerrës i një viti më parë për ta hedhur me çdo kusht nga pushteti. E prandaj kryetarët e partive që dominuan politikën në dy dekada nuk kishin alibi e të paktën pranuan pa kaluar dita rezultatin që po dilte nga kutitë. 

Kritika dhe rebelimi, shkruante Niklas Luhman në njërën prej eseve të tij, nuk bëhen nga jashtë por brenda shoqërisë. Kjo është pikërisht ajo që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, fillimisht si një organizim i rrugës e më pas, vit pas viti, faktor gjithmonë e më i rëndësishëm i politikës. Këtu qëndron forca e Lëvizjes, ku në gjashtëmbëdhjetë vitet e ekzistencës së saj hapat ishin të ngadaltë por të fuqishëm, të mirëmenduar dhe të sinkronizuar. Nuk harroi arsyet e shpirtit të protestave as kur u bë pjesë e politikës, e parlamentit dhe e qeverisë.

Kështu e vendosi vetë fatin e saj.

Fitorja e Vetëvendosjes tregon edhe se nuk e ka fajin populli që nuk gëlltit menjëherë çfarë i ofrohet. Nëse në Shqipëri parti të vogla të krijuara pak muaj para zgjedhjeve si fraksione e ndasi personale mes liderëve politikë nuk arritën ta merrnin besimin e njerëzve, zhdukja e tyre dhe rehabilitimi sërish në skuta të pushtetit pak javë pas zgjedhjeve nuk bënë gjë tjetër veçse hodhën poshtë pohimin se fajin e ka populli që nuk e do ndryshimin dhe vërtetuan se ky popull, shpesh herë, e ka instiktin e njohjes më të zhvilluar nga ç’mund të tregojnë disa tabela rezultatesh zgjedhore. Fitorja dhe besimi masiv ndaj Vetëvendosjes nuk erdhi pas gjashtëmbëdhjetë ditësh, erdhi pas gjashtëmbëdhjetë vitesh.

Ky është një mësim.

Vetëvendosja sakrifikoi pushtet për ide. E bëri kur ishte në opozitë, e bëri në qeveri, e bëri me burra shqiptarë dhe me aleatë amerikanë. Nuk rreshti së zgjedhuri qëndrueshmërinë programore kundrejt përkohësisë avantazhuese.

Ky është frymëzim.  

Arriti ta bëjë ideologjinë dhe artikulimin e saj filozofik të prekshëm dhe të kuptueshëm për masat pa rënë në vulgaritet, duke përthyer si një prizëm drite pakuptueshmërinë e gjuhës së ndërlikuar të auditorëve dhe sallave të mbledhjeve për fshatarin a pensionistin e thjeshtë. Është një ndër partitë më ideologjike jo vetëm në hapësirën shqiptare, por ndoshta edhe në Ballkan, si qëndrestare dhe provë e prekshme se ideologjia mund të prodhojë vazhdimësi.

Kjo është përpjekje.

Por ndoshta mbi gjithçka, arritja më e madhe e Lëvizjes ishte ta bënte popullin të besonte te ndryshimi. Ky është shërbimi më i madh që arriti t’i bënte Kosovës, që mund t’i bëjë Shqipërisë, Maqedonisë a Malit të Zi, të gjithë hapësirës shqiptare ku po zgjerohet dhe duhet të vazhdojë të gjejë vend projekti kombëtar. Kur njerëzit bëhen bashkë, ata mund të sjellin ndryshimin.

Në një mendim të botuar funddimrin e kaluar (lexo këtu), kur qeveria “Kurti I” sapo mori votëbesimin dhe nisi punën, mendoja se idealizmi i tij i nevojshëm vinte në momentin e duhur, duke marrë shkas nga përgjigja e pyetjes nëse e shihte veten si utopist a naiv. As njërën e as tjetrën, por e shihte si idealist. Ky është idealizmi që e solli në pushtet, pa darka të fshehta dhe as me premtiem për ndarje trojesh.

Për sa lexoj, nuk ka filozofi më të qartë dhe më therëse se ajo që vjen nga njerëzit e thjeshtë, nga jeta e përditshme. Siç ishin të thata fjalët që një e moshuar ia tha Albin Kurtit në rrugë gjatë fushatës:

“Nëse punon për popull e për shtet, keni me pas mbështetjen tonë e jetë keni më pas’. Nëse punoni për xhepat tuaj, ne ju heqim sikundër ata. Ata e kanë çuar 21 vjet kështu, janë bërë milionera e miliardera, por juve nuk do t’ju lëmë aq gjatë, ju shkurtojmë. Por zgjidhje tjetër s’kemi përpos jush.”

Ja, kaq e thjeshtë.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *