Loja me arsimin, mëkati i përsëritur i qeverive
Nga Erjon Uka/ Teksa nxënësit po bëhen gati për të dhënë provimet e maturës, që janë vendimtare për aksesin e tyre në universitet, qeveria me një VKM ka ndërruar notën minimale mesatare të pranimit në institucionet e arsimit të lartë, duke e rritur në 6,5.
Për të saktësuar diçka që në fillim, në thelb, ky mund të jetë një vendim i drejtë. Madje personalisht mendoj se nota mesatare mund të jetë edhe më e lartë, ndoshta deri në 7, ama kjo mbetet një bindje personale që duhet vërtetuar me studime, statistika dhe të dhëna të tjera. Por fakti që “rregullat e lojës” ndryshohen më pak se një muaj nga provimet e maturës, të cilat kanë goxha peshë në llogaritjen e kësaj mesatareje, tregon se sërish arsimi nuk po merret seriozisht. Tregon se vendimet nuk po merren në bazë studimesh, as statistikash, as të dhënash të tjera empirike dhe sigurisht as duke marrë parasysh turbullimet që mund t’u shkaktohen palëve të interesit: nxënës, prindër, universitete.
Gjatë këtyre viteve të fundit, për arsimin e lartë është folur dhe është propaganduar deri në delir, por shumë pak është bërë. Reforma e arsimit të lartë, siç tregoi edhe protesta e studentëve dhe reflektimi, të paktën në dukje, i qeverisë, tregoi se shumë nga problematikat reale ende nuk janë zgjidhur. Edhe në fjalimet publike, si meritë e reformës propagandohet më shumë mbyllja e universiteteve-kioska që shpërndanin diploma pa teklif, megjithëse për të mbyllur diçka të paligjshme nuk nevojitet asnjë lloj reforme, por “mjafton” vullneti dhe përgjegjshmëria për të zbatuar ligjin.
Pra, edhe pas protestës së studentëve kur u ndërmorrën një sërë masash për përmirësimin e gjendjes së arsimit të lartë, nuk u gjet kohë për të ndërhyrë në një gjë kaq të rëndësishme sa nota mesatare për hyrjen në universitet.
Kjo tregon edhe një herë se arsimi vijon të mbetet shumë i lidhur me propagandën politike, ku kriteret ndryshojnë jo vetëm nga viti në vit, por nga muaji në muaj. Ashtu siç ndodhte kur verdiktin e jepte herë universiteti, e herë sistemi i pikëzimit, ashtu edhe kur ndodhi liberalizimi i arsimit të lartë, kur universitetet u lejuan të hapeshin në çdo cep, kur më pas disa u mbyllën e disa jo, dhe për të ardhur deri në ditët e sotme kur një reformë që do t’i ndryshonte faqen përgjithmonë botës akademike është shndërruar në një paketë masash të ndërhyrjes së shpejtë, që nuk parashikon dot të nesërmen, e jo më të ndërtojë platforma strategjike dhjetëvjeçare.
Standardet e dyfishta të politikës, së paku nuk duhet të prekin një sektor kaq të ndjeshëm dhe kaq strategjik sa arsimi. Një ndër tezat më të përdorura të përplasjeve politike është se “rregullat e lojës” nuk mund të ndryshojnë në mes të ndeshjes, por kur bëhet fjala për financat, arsimin, shëndetësinë, biznesin, pronat dhe pensionet kjo gjë bëhet me normalitetin më të madh.
Kjo po ndodh edhe tani. Nga njëra anë kemi një qeveri që nuk e ka çuar në fund një reformë të premtuar që në vitin 2013, e nga ana tjetër kemi një opozitë që premton se sapo të vijë do të zhbëjë gjithçka që është bërë deri më tani. Loja me arsimin konfirmohet kështu si mëkati i përsëritur i çdo qeverie, pavarësisht qëllimeve. Në fund, të humburit e mëdhenj janë studentët e sotëm, punonjësit e nesërm.