Borges
Profecitë e Indro Montanellit për krizën e gazetarisë: Skandalet, rruga e shkurtër e gomerëve

Profecitë e Indro Montanellit për krizën e gazetarisë: Skandalet, rruga e shkurtër e gomerëve

Leksioni fundit i Indro Montanellit në Universitetin e Torinos është një profeci për gazetarinë e keqe. “Nëse dikush prej jush do të merret me këtë profesion, largohuni nga tundimi i scoop-it! Ju lejon të arrini më shpejt majën, por në mënyrën më të keqe të mundshme. Publiku është një kafshë e çuditshme. Duket sikur nuk kupton, por nëse luani me besimin e tij, jeni të humbur. Ky besim duhet fituar seriozisht dhe me mund, ditë pas dite”, u thoshte studentëve. 

Nga Indro Montanelli/ E di që shumë prej jush jeni të interesuar për gazetarinë dhe mjetet e komunikimit. Unë këtë pasion e kam kultivuar që prej kohës së gjimnazit, e nuk kam dashur të bëj asgjë tjetër përveç gazetarisë, megjithë përbuzjen e babait tim. Ai, si drejtor shkolle që ishte, me përbuzje e konsideronte këtë zanat si të paqëndrueshëm.

Por gazetaria ishte vokacioni më i madh i jetës sime. Ama duhet t’ju rrëfej se, megjithë dashurinë që kam për këtë punë, sot nuk mund t’ia këshilloj asnjë të riu pasi mendoj se gazetarisë po i vjen fundi.

Duhet të transformohet krejtësisht, në një mënyrë që nuk mund ta parashikoj. Jam pazgjidhshmërisht i lidhur me disa kujtime dhe vij nga një shkollë e caktuar, ndaj në këtë moshë e kam të vështirë të mendoj për diçka tjetër. Shpresoj që për ju do të ketë vend në një transformim të madh, që do të marrë parasysh gjithë ngjarjet e rënda të ndodhura në kohë – mes së cilave shumë gabime dhe devijime të gazetarëve -, apo hyrjen e teknologjive të reja. Pra, duhet një rimodelim total i kostumit. Gazetaria klasike, prej së cilës nuk do të ndahesha dot, e ka të pamundur të përshtatet.

Kur nisa rrugën time, 60 vite më parë, maksimumi i teknologjisë ishte makina e shkrimit Olivetti Lettera 22, me të cilën ende vazhdoj të shkruaj. Nuk e prodhojnë më, ndaj kam shkuar në dyqanet e sendeve të vjetra dhe kam siguruar pesë të tilla. Më larg se kaq nuk mund të shkoj dot. As faksin nuk e përdor dot e shyqyr që një person i dashur kujdeset për mua, sepse edhe letrën nuk di si ta fus. Ne gazetarët do të duhet t’i lajmë hesapet me një armik vdekjeprurës, të cilin në vend se ta mundnim, i jemi vënë në shërbim: televizioni.

Gazetat janë bërë megafonët e televizioneve

Kam të njëjtat ide të Popper-it, se televizioni është fatkeqësia më e madhe që mund të na ndodhte, sepse është përdorur për të qenë e tillë. Gazetat janë bërë megafonët e televizioneve, ndaj gjejmë tituj me tetë apo nëntë reshta mbi Pippo Baudon dhe Pariettin. Televizioni mund të ishte një instrument i rëndësishëm kulture, por nuk është. Gjithsesi, këto janë gjëra që i përkasin televizionit. Ajo ç’ka na duhet ne është se jemi kthyer në megafonë, duke kopjuar edhe kostumet.

Italia, përveçse gjithnjë ka ngatërruar seriozen me të kotën, e ka konsideruar gjithnjë të kotën si të vetmen gjë serioze. Dhe ne nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po përshtatemi, duke mbajtur me perversitet këtë kostum. Por ka edhe më keq. Televizioni mëson dhe i hap rrugë protagonizmit, që i aplikuar në gazetari ka efekte katastrofike.

Televizioni nxit atë iniciativën tipike të gazetarëve të këqij: kërkimin me çdo kusht të scoop-it, skandaleve. Nëse dikush prej jush do të merret me këtë zanat, largohuni nga tundimi i scoop-it! Është rruga e shkurtër e gomerëve. Ju lejon të arrini më shpejt majën, por në mënyrën më të keqe të mundshme. Publiku është një kafshë e çuditshme. Duket sikur nuk kupton, por nëse luani me besimin e tij, jeni të humbur. Ky besim duhet fituar seriozisht dhe me mund, ditë pas dite. Nëse doni të bëni këtë punë, kujtojeni mirë këtë fjalë: Është një profesion që kërkon shumë përulësi, shumë, dhe protagonizmi është në kundërshtim me këtë ligj themelor.

Gjithnjë e më shumë do të kemi gazetari të keqe, sepse gjithnjë e më shumë ajo është në kërkim të audiencës, të publicitetit, e për këtë shkak gjithnjë e gatshme për të kënaqur shijet e këqija të publikut, në vend se t’i rregullojë ato.

Shoh drejtorët e rinj sot. Të kuptohemi, janë shumë të mirë. Janë mes 40 dhe 50 vjeç, mund të ishin bijtë e mij. Por ata nuk qëndrojnë në zyrë, qëndrojnë më shumë në zyrën e marketingun pasi gjëja kryesore e një medie është audienca. Audienca krijon publicitetin, sepse një gazetë nuk duhet vetëm të jetojë, por edhe duhet të sigurojë prosperitetin, mbi të gjitha nëse dëshiron të jetë e pavarur. Unë dështova në gazetën “Voce” sepse nuk arrita të siguroj fitime. Është audienca në formën më të ulët ajo që na detyron të vulgarizojmë gazetën, e cila për t’u shtypur duhet të ndjekë këtë rrugë. Megjithatë, kjo rrugë nuk na çon askund. Gjithnjë e më shumë do të kemi gazetari të keqe, sepse gjithnjë e më shumë ajo është në kërkim të audiencës, të publicitetit, e për këtë shkak gjithnjë e gatshme për të kënaqur shijet e këqija të publikut, në vend se t’i rregullojë ato. Më kuptoni, publiku është Zoti ynë, por nuk mund të përplasemi kokë më kokë me të. Ama duhet ta edukojmë, pa e treguar, sepse nuk ka gjë më të keqe se sa qëndrimet prej mentori.

Nëse takoni një gazetar të pasur, mos i besoni. Gazetaria nuk sjell pasuri, ama mund të sjellë mirëqenie.

Nuk di të them nëse gazetaria do të jetë e aftë të bëjë një evolucion në këtë drejtim, por unë shenjat nuk i shoh. Nëse do të isha 40 vite më i ri, do të tentoja sërish të krijoja një gazetë. Dikush mund të mrekullohet, por do të ndiqja të njëjtën rrugë si armiku im Ferrara me “Il Foglio”. Ajo gazetë përfaqëson pikërisht atë që unë duhet të kisha bërë me “Voce”, por që nuk pata forcën dhe mundësinë për ta bërë. Një gazetë që përshtat mundësitë me kostot, me pak faqe, që mund të ecte edhe pa shumë publicitet, me gazetarë të paguar pak. Por gjithsesi, ne gjithmonë jemi të paguar pak sepse ky profesion nuk bëhet për para. Përkundrazi, nëse takoni një gazetar të pasur, mos i besoni. Gazetaria nuk sjell pasuri, ama mund të sjellë mirëqenie. Unë nuk ankohem, kam aq sa më duhet, e madje edhe më shumë, për të jetuar mirë. Por gazetari i pasur është një gazetar që qelbet erë, sepse e ka përdorur zanatin për të arritur objetiva të tjerë. Një gazetar që përdor profesionin, unë do ta pushkatoja!

Siç e shihni, nuk po ju jap lajme të mira, por në këtë pikë duhet t’ju them edhe diçka tjetër. Ndoshta mund të kem zgjedhur profesionin e gabuar, por nuk pendohem. Besoj se gazetaria në Itali ka kryer një mision, duke e shkëputur kulturën italiane nga fortesat mafioze. Kërkoj falje që mikpritjen tuaj po jua kthej kaq keq, por duhet t’ju them se gazetaria këtë detyrë e ka kryer për dekada, duke e sjellë kulturën në mes të publikut. Kultura italiane kishte shumë nevojë për këtë gjë, sepse nuk di t’i flasë publikut. Ka gjuhën e saj, të padeshifrueshme në gjuhën e zakonshme.

Kush nga ju do të zgjedhë të ndjekë këtë profesion, duhet të zgjedhë padronin e tij, lexuesin. Të vihet në shërbimin e tij dhe të flasë të njëjtën gjuhë me të, jo atë të akademisë. Duhet ta bëjë kulturën akademike të kuptueshme. Kjo ka qenë një prej tradhtive më të mëdha të kryera në Itali, ku janë bërë shumë të tilla. Doni prova? Merrni një shkrim të çfarëdoshëm të shkruar në Italinë e viteve ‘700 dhe krahasojeni me enciklopedinë franceze. Faqet e Volterit apo D’Alembert janë të qarta si kristali, kuptohet gjithçka. Në të tjerat nuk kuptohet asgjë: gjuhë joreale, e princit. Dhe me kalimin e kohës është përkeqësuar, sepse ishte më mirë t’i shërbeje dukës apo kardinalit se sa partisë. Mos harroni se kultura në Itali nuk është përhapur. Aq pak sa është bërë, është bërë nga gazetaria. Nëse doni të ndiqni këtë profesion, ky do të jetë angazhimi juaj. Për ta bërë këtë nuk ka vuajtje që t’ju dekurajojë dhe kjo punë është kaq e bukur. Nuk të çon askund, por është shumë e bukur. Gazetaria bëhet për gazetari dhe për asgjë tjetër./Leksioni i fundit i Indro Montanellit në Universitetin e Torinos më 12 maj 1997. Shqipëroi Erjon Uka, publikuar fillimisht në Tiranapost.al 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *