Reportazh/ Udhëtim në Garian, aty ku humanizmi nuk ekziston më
“Në shkretëtirë nuk kishte mjaftueshëm ujë dhe ushqim. Njerëzit vdisnin rrugës, e mendoja se s’kishte gjë më të tmerrshme, por në fakt ferri është këtu: na rrahin çdo ditë, na kërcënojnë. Për ata jemi më pak të rëndësishëm se kafshët”, thotë ai, i ulur në një prej dyshekëve të pisët të qendrës.
L’Espresso/ “Nëse nuk më paguajnë, një prej këtyre ditëve do ta lë punën. Do të hap kangjellat e do t’i liroj të gjithë emigrantët”. Ibrahimi është 30 vjeç dhe punon si roje burgu nën varësinë e Ministrisë së Brendshme të Libisë. Detyra e tij është të mbikëqyrë një prej qendrave më famëkeqe të ndalimit të emigrantëve, të cilët sipas ligjit vendas quhen klandestinë. Ibrahimi nuk paguhet prej 14 muajsh. Tre prej pesë vëllezërve të tij kanë mbetur invalidë gjatë betejës për lirimin e Sirte nga ISIS, por Ministria e Drejtësisë nuk ka para për të kompensuar familjarët. “Nuk kemi më para. Si pretendojnë që ta bëjmë mirë punën tonë? Këta njerëz janë kthyer në problem për ne. Një prej këtyre ditëve do t’i lë të lirë, kështu do të bien në dorën e trafikantëve dhe merren ata pastaj”, thotë Ibrahimi.
Qendra e ndalimit Garian ndodhet në kryqëzimin e tre zonave të kontrolluara nga grupe në luftë mes tyre. Përleshjet në rrugë janë të përditshme, ndaj për të arritur deri te qendra është shumë e vështirë.
Në Garian janë burgosur 1,400 persona, prej tyre 250 minorenë. Jetojnë në një ndërtesë me dhoma si kuti shkrepsesh, të mbyllur me çelës 24 orë në ditë. Kur hyn, sheh një pamje tronditëse: Duar dhe këmbë që dalin nga hekurat e qelive, ku ndodhen prej muajsh. “Na nxirrni prej këtu, po vdesim”, janë zërat që dëgjohen nga çdo anë.
Timothy u largua nga Nigeria për shkak të sistemit politik dhe gjendet në qendrën e burgimit Garian prej tetë muajsh. Vetëm. Dëshironte të vinte në Europë për të kërkuar punë e për të rinisur studimet. Por ëndrra e një jete më të mirë u ndërpre në Tripoli, ku u arrestua. “Në shkretëtirë nuk kishte mjaftueshëm ujë dhe ushqim. Njerëzit vdisnin rrugës, e mendoja se s’kishte gjë më të tmerrshme, por në fakt ferri është këtu: na rrahin çdo ditë, na kërcënojnë. Për ata jemi më pak të rëndësishëm se kafshët”, thotë ai, i ulur në një prej dyshekëve të pisët të qendrës.
Unicef në një raport mbi situatën e emigrantëve në Libi, tregon se në vend janë rreth 260 mijë të tillë, prej të cilëve 23 mijë fëmijë. Por, në dokument theksohet se të dhënat reale mund të jenë tre herë më të larta. Më të pambrojturit janë fëmijët: vetëm në vitin 2016, 26 mijë minorenë kanë tentuar të vijnë në Europë me gomone, e 90% e tyre kane qenë të pashoqëruar.
Korrupsioni është përhapur si epidemi, prej së cilës fitojnë vetëm trafikantët. Qeveria aktuale në Libi nuk ka më para për të paguar rrogat dhe qytetarët tashmë kanë nisur të sulmojnë edhe bankat. Të vetmit që kanë një fluks konstant të ardhurash janë trafikantët. Bëhet fjalë për paratë që emigrantët paguajnë për një “jetë më të mirë”. Në Tripoli, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme thotë se shteti është thuajse në kolaps dhe në shumë qendra ndalimi, nëse nuk ka më para, emigrantët lihen të lirë në dorën e trafikantëve.
Ndërkohë, një rast tjetër është edhe Bilali, 24 vjeç nga Nigeri. Sot ndodhet në qendrën e ndalimit Al Saladdin në Tripoli. Dikur kjo ndërtesë ka qenë sallë dasmash. Sot ende duken brenda mureve shenjat e së shkuarës, si premtim për një jetë më të mirë. Edhe Bilali e kishte dëshiruar, por tashmë vuan nga tuberkulozi e fytyra e tij është shpërfytyruar nga uria dhe sëmunja. Merr frymë me vështirësi dhe nuk ecën. Prej gjashtë muajsht është mbyllur në një prej dhomave pa dritë e pa dritare. Megjithëse konsullata e Nigerit i ka përpiluar një letër kthimi, askush nuk ia paguan kostot e udhëtimit, ashtu sikundër askush nuk merr përsipër kurimin e tij. Të gjitha spitalet në Libi kanë refuzuar ta kurojnë, ndërsa mjekët prej muajsh refuzojnë të shkojnë në atë qendër. Një punonjës ka telefonuar të gjitha organizatat humanitare, por askush ende nuk ka ardhur të kujdeset për një djalë në kërkim të një jete më të mirë, të burgosur në kaosin e Libisë, gjithnjë e më pak human./Shqipëroi Erjon Uka.