Guliver
Reportazh/ Mirëmëngjes Gana, fytyra tjetër e Afrikës

Reportazh/ Mirëmëngjes Gana, fytyra tjetër e Afrikës

Shpërndani në rrjetet sociale
  •  
  •  
  •  
  •  

Mijëra probleme si gjithë kontinenti afrikan. Por është një vend ku mbizotëron paqja, demokracia ka bërë hapa përpara dhe ekonomia rritet me shpejtësi. Një udhëtim në Ganë, për të parë fytyrën tjetër të Afrikës.

Nga Francesca Giommi/ Parashikimet për vitin 2018 janë të shkëlqyera: Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia e vendit të rritet me 8,6%, më shumë se dyfishi i gjithë ekonomisë subsahariane. Tashmë Gana është ekonomia e dytë më e zhvilluar e Afrikës perëndimore, mbi të gjitha falë eksporteve dhe Bursës së Akrës që vazhdon të thyejë rekordet (në janar e mbylli me plus 19%).

Jo keq për një vend që në vitet tetëdhjetë ishte i paralizuar nga uria pas një sërë grushtesh ushtarake, ndërsa sot përkundrazi shihet si shembull demokracie me zgjedhje të lira që prej vitit 1992. Dy partitë kryesore New Partriotic Party (qendra e djathtë) dhe National Democratic Congress (socialdemokratë) alternohen vazhdimisht në pushtet. Zgjedhjet e fundit presidenciale, që u zhvilluan në normalitet të plotë rreth një vit e gjysmë më parë, i fitoi Nana Akufo-Addo, luani i vjetër i së djathtës dhe ish-Ministër i Jashtëm. Ishte ai që drejtoi edhe festimet për gjashtëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së vendit nga Britania. Gana ishte vendi i parë që e fitoi pavarësinë më 6 mars 1956, ndërsa vendet e tjera vite më vonë.

Edhe konfrontimet fetare, që në Afrikë janë shkaku i konflikteve të ashpra, këtu nuk paraqesin asnjë problem. Mazhoranca e krishterë (më shumë se 2/3 e popullsisë) bashkëjeton paqësisht me minorancën islamike (rreth 17%) dhe pjesën tjetër të besimeve fetare. Kohët e fundit diskutimi më i zjarrtë ishte ai mbi zhurmën që bëjnë hoxhët kur thërrasin besimtarët e tyre në xhami. Qeveria i surgjeroi imamëve që të përdornin teknologjinë duke e zëvendësuar megafonin me mesazhet në WhatsApp. Por kryetari i xhamisë së Fadamas tha se jo të gjithë myslimanët kanë smartphone me internet dhe kjo çëshjte u mbyll aty.

Për gjithë këto elementë – paqe, demokraci, rritje ekonomike, bashkëjetesë fetare, arsimim i detyrueshëm – Gana bën përjashtim pozitiv nga një kontinent që pavarësisht premtimeve të një dekade më parë vazhdon të lëngojë në luftëra, uri dhe varfëri.

Por natyrisht nuk mungojnë as problemet. Për shembull shumë të rinj largohen nga vendi, ose të paktën e tentojnë një gjë të tillë. Vetëm në Itali shkojnë çdo vit nga 4000 deri në 5000 ganezë, duke sfiduar me gomone kurthet e Mesdheut të egërsuar. Arsyet e emigrimit duhen gjetur te mungesa e perspektivës për punësim (sipas Bankës Botërore 48% e të rinjve mes 14 dhe 24 vjeç janë të papunë); në ndryshimet e mëdha që karakterizojnë zonat e varfra rurale me ato teknologjike urbane; në problemet që sjell rritja eksponenciale demografike.

Këtyre u shtohet edhe borxhi i madh që ka akumuluar vendi, zhvillimi i dobët i industrive dhe shfrytëzimi jo i drejtë i burimeve natyrore (naftë, kakao, dru, gurë të çmuar, peshk dhe fruta tropikale) të cilat kryesisht janë në duart e një grushti kompanish shumëkombëshe. Urbanizimi i shpejtë me ritme marramendëse po rrit zhvillimin ekonomik dhe tregtar, por nga ana tjetër krijon varfëri ekstreme. Shtresat e magjinalizuara derdhen në lagjet e varfra në kushte shumë më poshtë se minimumi jetik.

Edhe teknologjia shfaqet me dy fytyra. Nga njëra anë prodhon qytete fantazmë si ai në ladfilldin e Agbogbloshie pranë kryeqytetit Akra, ndërsa nga ana tjetër i lejon vendit të ketë një furnizim kapilar me internet: Sot 8 milionë ganezë kanë akses në internet nga 30 mijë që kishin në vitet 2000. Ky është një ndër faktorët që mund ta kthejë Ganën në modelin e zhvillimit të Afrikës, por megjithatë edhe këtu kontradiktat nuk mungojnë: mjaft të mendosh për 7,3 milionë ganezë që jetojnë ende pa energji elektrike edhe pse resurset për prodhimin e saj nuk mungojnë (diga e Akosombos prodhon sasi të mëdha energjie, që i shitet shteteve fqinje si Togo dhe Benin apo rezervohet për industritë e aluminit).

Ndërkohë ganezë ëndërrojnë dhe shohin qiellin, ku në korrik të vitit 2017 u lëshua sateliti i parë Ghana-sat1, një krenari kombëtare. I projektuar nga All Nations University of Kodoridua me mbështetjen e entit hapsinor japonez, sateliti do të përdoret për monitorimin e bregdetit i cili po kërcënohet nga erozioni pas shfrytëzimit pa kriter të rërës dhe pemëve rizofore.

Një tjetër aset për vendin është edhe turizmi: nga Kumasi – kryeqyteti legjendar i mbretërisë së ashantëve – në Mole National Park e deri te katedralet prej rëre në shkretëtirat e veriut. Por është edhe Chale Wote Street Art Festival, një prej eventeve më interesante të të gjithë Afrikës që bashkon muzikën, modën, artin dhe performimin ku ndizen motorrët e kreativitetit dhe ekstravagancës. Këtë vit do të zhvillohet nga 20 deri më 28 gusht, por në Akra kanë nisur përgatitjet./Shqipëruar nga Erjon Uka

Leave a Reply

Your email address will not be published.