Montanelli
Seks, censurë dhe liri. Prapaskenat e “Tango e fundit në Paris”, filmi që tronditi Europën

Seks, censurë dhe liri. Prapaskenat e “Tango e fundit në Paris”, filmi që tronditi Europën

Një film që “zhdoganoi seksualitetin”, siç e cilëson regjisori Bertolucci. Tragjik për jetën e aktores kryesore, atëherë vetëm 19-vjeç, Maria Schneider dhe i çuditshëm për Marlon Brandon. Bernardo Bertolucci tregon gjithçka për “Tango e fundit në Paris”, filmi që u ardhurua, u censurua e u dënua.

Skena e parë e filmit në urën Bir-Hakeim. Trenat kalojnë poshtë e përpjetë. Marlon Brando shtrëngon veshët fort me duar, e më pas ajo klithmë “Fucking God”.

“Tango e fundit në Paris” është historia e një filmi që u adhurua, u censurua e u ndalua. Një film tragjik për aktoren kryesore, atëherë vetëm 19-vjeç, Maria Schneider që iu desh të luante përballë një gjiganti të Hollywood-it si Marlon Brando.

Edhe sot pas më shumë se gjysmë shekulli, debatet nuk shterojnë, ndërsa regjisori Bernardo Bertolucci na fton që filmin ta gjykojmë në kontekstin kur është xhiruar. “Ishte një film, që e thënë në mënyrë prozaike, zhdoganonte seksualitetin. Në atë kohë kjo më dukej e rëndësishme”, tregon në një intervistë të pak ditëve më parë me rastin e restaurimit dhe shfaqjes së filmit në Festivalin e Barit.

Është e vërtetë se “Tango e fundit në Paris” lindi nga një ëndërr e juaja?
Në jetën time ëndërroja, por me sy hapur, të takoja një të panjohur në një apartament bosh, neutral, ku mund të takoheshim pa ditur asgjë për njëri-tjetrin. E kuptova vonë se ishte një ide shumë romantike. Çështja është se ky film duhet komentuar në kontekstin kur lindi. Ishim në vitin 1972, ku ende po përjetonim rebelimin kolektiv të 1968-ës duke dashur të thyejmë të gjitha tabutë, mbi të gjitha ato seksuale. Punova me vëllain tim, me Kim Arcallin i cili ishte montazhieri i filmit “Konformisti” e me të cilin shkrova edhe filmin “Nëntëqinda”… Kisha një mik, Gato Barbieri, argjentinas, i cili ishte saksofonisti më i mirë i jazz-it. Titulli “Tango e fundit në Paris” i dedikohet atij. Për mua tangoja ishte ai dhe muzika që shkroi për filmin ishte romantike dhe të prekte në shpirt.

Si i zgjodhët aktorët?
Për personazhin mashkull do të merrja Jean-Paul Belmondo ose Alain Delon. Por më parë kisha menduar edhe për Jean-Louis Trintignant. A më refuzoi, gati duke qarë. “Nuk mundem të dal nudo përpara kamerës”, më tha. Dhe unë iu përgjigja: “Ke bërë filma me Bardot, me Vadim…”, “Po, por nuk isha nudo”. Për vajzën mendova për Dominique Sanda, por në atë kohë ishte shtatzanë. Pastaj shkova te Belmondo, i cili ma hodhi skenarin në tavolinë duke më thënë se “Nuk bëj porno”. Takova edhe Alain Delon, i cili mu përgjigj se “E bëj, por dua të jem edhe producent”. Nuk mu duk gjëja e duhur, e madje ishte e rrezikshme. U ktheva në Romë dhe një mbrëmje duke folur me miqtë e mi, u përmend emri i Marlon Brandos. Nga kishte humbur? Kishte ca kohë që ishte zhdukur, ndërsa filmi “Kumbari” nuk kishte dalë akoma. E ftova në hotel “Raphael” në Paris, aty shkonte shpesh edhe Rossellini. Kur u takuam ishte pak mbipeshë, ndërsa pastaj filloi dietën. Marlon Brando më kërkoi të shihnim filmin tim “Konformisti” e pasi mbaroi, u ngrit në këmbë, më rrahu shpatullat dhe më tha “Hajde ndonjë ditë në Los Angeles, flasim për skenarin dhe pastaj bëjmë filmin”. Shkova në Los Angeles. Megjithëse nuk kisha qenë kurrë, më dukej i njohur nga romanet e Raymond Chandler dhe nga filmat e kinemasë amerikane.

Ishte e vështirë të punoje me Marlon Brandon?
Ishte magjepse të shihje se si luante rolin e një personazhi të dëshpëruar, si një vizatim i vetë dëshpërimit të tij. Atëherë e shihja si një burrë që po plakej sepse unë isha 31 vjeç, ndërsa ai 49. Sot e shoh të ri dhe shumë të pashëm. Ishte hera e fundit që ishte i bukur. I fola për librin “E kaltra e qiellit” të Bataille, një libër magjik mbi një histori të fortë dashurie, ku çifti bën seks në një prej hoteleve të Barcelonës ndërsa poshtë zhvillohej lufta civile. Gjithashtu edhe për “Ma mere”, si një mënyrë për të thyer tabutë për artistët: seksin. Rikujtoj se në atë kohë burri me gruan në Amerikë flinin në shtretër të veçantë.

Po Maria Schneider?
Pas një seleksionimi shumë të gjatë, mbetën vetëm dy vajza. Maria Schneider, një dall i vogël me kaçurrela dhe Aurore Clement, një engjëll i bukur dhe bjonde. Natyrisht fitoi djalli. Që në fillim Marlon u soll shumë atëror me të. Gjatë xhirimeve ishim plot kreativitet dhe argëtoheshim. Më pëlqente ideja për të treguar pjesën më kafshërore të sensualitetit, sepse mendoja se në atë moment i vetmi mjet komunikimi mes personazheve ishte gjuha e trupit. Pastaj erdhi ai momenti…

Po flisni për skenën e gjalpit, që Brando e përdor për të kryer marrëdhënie me forcë me Marian.
Po. Kemi kaluar shumë kohë në atë shtëpi të boshatisur. Një mëngjes duhet të xhironim një skenë të fortë seksi që ishte parashikuar në skenar, e pikërisht mbi këtë po flisja me ndihmës regjisorin Ferdinand Moszkoëicz, ndërsa Marlon Brando ishte i ulur përtokë me ne. I them: “Në “Ma mere” të Bataille përdoret veza për praktika erotike.” Bataille në ato vite ishte një shkrimtar mitik sepse kishte eksploruar më shumë se kushdo në art botën e seksit. Po bënim sandwich-et me gjalpë, kur në një moment i ngula sytë gjalpit: Është një ushqim i përditshëm, jo i rrezikshëm, por i përdorur në stilin alla Bataille do të humbte gjithë respektin. E fola me Marlonin dhe ideja i pëlqeu. Vendosa që të mos i thosha gjë Marias, sepse doja reagimin e saj jo si aktore por si në jetën reale. Maria u nevrikos dhe u ofendua, u ndje e fyer si aktore. Më pas me anë të mënyrave të tjera arritëm të kishim rezultatin që donim. Por këtë episod Maria e harroi shpejt, ditën tjetër ishte e qetë.

Por në fakt gjatë jetës kjo gjë e bezdisi shumë.
Përdorimi i gjalpit si lubrifikant ishte maja e skandalit. Kur Maria shkoi në festivalin e Kanës, i hodhën përsipër bukë me gjalpë.

Maria Schneider nuk jua fali kurrë këtë.
Në fillim po, më vonë jo. Në fillim ishte e lumtur për të gjitha premierat. E mbaj mend mirë se në një intervistë në Neë York Times me rastin e daljes së filmit në Amerikë, Maria tha se në fillim kishte frikë të punonte me mua sepse mendonte se isha misogjen, ndërsa më pas kuptoi se asgjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Tha se “Do të jetë e vështirë për mua të bëj një tjetër film si ky në jetën time”, ndërsa tregoi se sa shumë e kishim ndihmuar unë dhe Marlon Brando. Por ndoshta ishte shumë e re, kishte shkuar shumë përpara për moshën e saj. Në fund të filmit, personazhi i Brandos do të martohet, por ajo largohet. Ai hyn me forcë në shtëpi, ndërsa ajo e qëllon në testikuj, fund. Maria ishte shumë e kënaqur me finalen, ishte feministe dhe i dukej e drejtë që të ndëshkohej ai donzhuan i vjetër. Por skandalet e atëhershme ishin ndryshe nga këto sot. Në vitet ’70 filmi u dënua dhe u ndalua, ndërsa unë u dënova gjithashtu për fyerje. Pak kohë më parë më akuzuan edhe në rrjetet sociale se kam abuzuar me Marian. Por jo, nuk ka ndodhur kurrë asnjë abuzim. Thjesht kanë qenë dy aktorë shumë të mirë që dinin të aktronin bukur, ishin të besueshëm. Kjo më ka sjellë shumë dhimbje dhe më vjen keq që Maria ka vuajtur.

A ka pasur tensione gjatë xhirimeve?
Në javën e parafundit, Marlon nuk u duk në sheshxhirim por më telefonoi duke më kërkuar që të shkoja në shtëpinë e tij. Më tha se djali Christian ishte larguar nga mamaja me dy tipa të çuditshëm të droguar dhe ishte zhdukur në shkretëtirën e Los Angeles. Më kërkoi që të largohej, duke më premtuar se do të kthehej brenda pesë ditësh. Sigurisht që i dhashë leje sepse e dija se ishte profesionist. Gjithashtu, bëra një budallëk edhe në skenën e fundit të filmit, të cilën e kuptova më vonë. E detyrova të vraponte përgjatë gjithë Champs-Elysees deri në shtëpinë e saj në Montparnasse. Ishte pesëdhjetë vjeç dhe nuk ishte i stërvitur. Pata frikë se mos na mbetej në dorë.

Si reagoi Brando për filmin?
Në fund të xhirimeve më tha “Ndihem bosh, detaje intime të jetës sime dhe të fëmijëve të mi janë publikuar… Nuk dua më kurrë të xhiroj një film të tillë.” Edhe ai për ca kohë më dënoi. E kërkoja në telefon, por nuk përgjigjej. Më pas më telefonoi një mikesha e tij kineze që më tha se “Marlon është i nevrikosur. Por nëse bën një film me të dhe lëkurkuqtë e tij ndoshta do të të fali.” Unë iu përgjigja se nuk mundem, se po shkoja në Parma të xhiroja një film me lëkurkuqtë e mi, me fshatarët emilianë. Por në xhirimet e “Apocalypse now” pyeti Vittoro Storaron: “Si është baby prophet?” E kishte për mua, pra më kishte falur. Urra! Vite më vonë isha në Los Angeles dhe më telefonoi e më kërkoi që ta takoja urgjentisht. Vrapova i emocionuar, por u trondita. “Ti nuk e di, por është sikur unë të kem vdekur”, më tha, duke më treguar se djali i tij kishte vrarë të fejuarin e vajzës, e cila më vonë u vetëvra. Një tragjedi greke! Folëm shumë, por pa e ndezur kurrë dritën.

Kur “Tango e fundit në Paris” u shfaq në sallat e kinemasë, shkaktoi tërmet.
Filmi solli fitime të mëdha, por pas tre muajsh u sekuestrua. U rikthye në kinema dhe sërish u sekuestrua. Më pas u dënua përfundimisht në gjykatën e Kasacionit. U zhduk. Vetëm në vitet ’80 kur koncepti për fyerjen dhe nderin kishte ndryshuar, dënimi u hoq dhe filmi u doli sërish.

Ju hoqën edhe të drejtën e votës?
Po. Në atë kohë po xhiroja “Nëntëqindën” me gjithë pasionin tim politik. Doja të votoja komunistët dhe më hoqën të drejtën për të shkuar në kutitë e votimit. U nxeha shumë dhe dërguam në gjykatë recensionet e filmit nga e gjithë bota, por nuk shërbeu për asgjë. Për pesë vite nuk munda të votoja.

Ju kanë ofenduar ndonjëherë për shkak të filmit?
Fatmirësisht vetëm një herë, në sheshxhirimin para vilës së Giuseppe Verdit, në Busseto. Erdhi një makinë me aq shpejtësi, sa kujtova se më shtypi. E pyeta se kush ishte dhe mësova që ishte një pasardhës i Verdit dhe nuk na lejonte që të xhironim brenda vilës. “Po pse, në filmat e mi gjithnjë është Verdi, unë e adhuroj Verdin”, i thashë. E ai m’u kthye: “Ti nuk adhuron Verdin, ti adhuron gjalpin”. Mbylli xhamin dhe u largua.

Po tani, e keni gjetur ëndrrën që shihnit me sy hapur?
Ajo ëndërr sot është kujtimi i një ëndrre. Më ka dhënë shumë gëzim duke e parë, megjithëse është një film tragjik. Jam përpjekur ta shoh nga pikëpamja e lëvizjes “MeToo” dhe besoj se është vajza në film ajo që jep gjykimin final për atë që ndodhi. Sot, ashtu si edhe atëherë, më duket sikur ajo u josh më shumë nga bukuria e saj se sa u detyrua nga ai. Marlon nuk ishte një abuzues, ishte i dëshpëruar. Veprat duhen gjykuar në kontekstin e tyre. Ishte një film, që e thënë në mënyrë prozaike, zhdoganonte seksualitetin. Në atë kohë kjo më dukej e rëndësishme./Shqipëroi Erjon Uka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *