Blog
Martesat gay, liria dhe një shpjegim pse politikanët janë gjithmonë “pro”

Martesat gay, liria dhe një shpjegim pse politikanët janë gjithmonë “pro”

Nga Erjon Uka/ Debati për LGBT çudinë tre ditë e ka. Hapet, shpërthen në 3-4 studio televizive, të dy palët thonë të tyret, e më pas gjithçka bie në harresë. Për t’u përsëritur në mënyrë identike sërish e sërish. Por në këtë debat është i çuditshëm fakti se si dy parti, të cilat nuk bien dakort as për taksat e as për arsimin, as për koncesionet e as për rrugët, as për mjedisin e as për politikën e jashtme, bien dakort për një gjë: Mbështetjen ndaj politikave pro-gay.

Gjatë ditëve të debatit qarkulloi në rrjet një foto ku një herë Berisha e më pas Rama shfaqej në fotografi me përfaqësuesit e LGBT. I pari dukshëm në siklet, i dyti paksa më i lirshëm. Por si shpjegohet që politika, përveç tre a katër deputetëve apo politikanëve jashtë Parlamentit, është në një mendje për këtë gjë? Filozofi britanik Roger Scruton, konservator liberal dhe shumë i ndjeshëm në çështjet e fesë dhe moralit, e sqaron në pak fjali gjithë këtë situatë. “Nëse pyesim veten se si ka mundësi që advokimi i martesave gay është bërë një ortodoksi ku shumica e politikanëve vrapojnë të anëtarësohen, duhet të kuptojmë se inditimidimi ka një rol të vetin në këtë rast”, shkruan ai në librin “Si të jesh i djathtë”. Dhe në fakt është e vërtetë se nëse ndonjë politikan do të shfaqë rezerva rreth kësaj çështjeje, menjëherë, siç edhe shpesh herë ka ndodhur, do të akuzohet si homofob, si cënues i të drejtave të njeriut, si njeri mendjembyllur dhe arkaik. Pa ditur aspak vizionin e tij, një tymnajë e madhe sulmi do të ngrihet duke i vendosur përfundimisht “damkën” e homofobit. “Vetëm dikush që nuk ka asgjë për të humbur mund të gjejë guximin për t’i përkushtuar çështjes vëzhgimin në thellësi që meriton”, shkruan Scruton, dhe politikanët nuk bëjnë pjesë tek ajo kategori që nuk kanë asgjë për të humbur. Madje gjithnjë fjala e tyre matet me kutin se çfarë mund të humbasin: vota, mbështetje, financime.

Scruton flet edhe për sferat e vlerave, ku martesa dhe feja janë dy prej tyre. Por si njëra, ashtu edhe tjera po e humbasin rëndësinë nën optikën e modernizimit dhe zhvillimit të shoqërisë së konsumit. Ndaj po bëhet gjithnjë e më e mundshme që marrëdhëniet, ashtu si edhe martesat homoseksuale, të kthehen në një normalitet.

Personalisht mendoj se njeriu është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e tij. Thënia e famshme të Sartrit, L’homme est condamné à être libre, “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë”, për mua është slogan. Për aq kohë sa liria nuk kthehet në detyrim apo në viktimizim.

Një koncept bazik i historianëve, një teoremë që e mësojnë që në auditorët e universitetit, është se çdo fakt duhet vënë në kontekstin e tij. Konteskstualizimi është elementi që nuk i shndërron faktet në dashakeqëse, në keqinterpretime në mos edhe qesharake. Qesharak siç është krahasimi në studiot televizive apo në ato pak artikuj, të ligjeve dhe mendësisë shqiptare ndaj marrëdhënieve homoseksuae me qasjen që kanë ndaj kësaj çështjeje amerikanët, francezët apo italianët. Dhe në fakt kjo vlen për çdo temë, jo vetëm për LGBTI. Të krahasosh Amerikën e protestave të Martin Luter King, Francën e revolucionit feminist, Italinë e lëvizjes së vitit 1968, me Shqipërinë e varfër të Ballkanit juglindor është krejtësisht qesharake.

Mirë a keq, duhet të pranojmë kontekstin në të cilin ndodhemi, që të shmangim debate boshe pa asnjë vlerë të shtuar në mirëqenie, ide apo në inovacion. Vetëm duke njohur dhe duke pranuar realitetin tonë lokal, sado i mirë a për të ardhur keq mund të jetë, mund ta ndryshojmë atë, pa u bërë qesharak. Pa marrë statistika të Bashkimit Europian, siç pashë në studio televizive, e me logjikën e përpjestimit të drejtë se “aq LGBT janë atje, ndaj kaq duhet të jenë edhe këtu” të ndërtosh politika boshe, e aq më tepër të rrezikshme, në Shqipëri.

Secili është përgjegjës për rrugën që zgjedh. Është i lirë të bëjë me jetën e tij ç’të dojë, t’i japë esencën që do thelbit të tij. Por pa u shndërruar në ozurpues, detyrues e as viktimizues. E aq më tepër, qesharak./Publikuar fillimisht në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *