Blog
Protestat, pavarësisht formës, nuk na ndajnë nga Europa

Protestat, pavarësisht formës, nuk na ndajnë nga Europa

Arsyetime të tilla si “ne nuk duhet të bëjmë protesta ekspresive, sepse jemi një vend kandidat për në BE” apo “duhet të sillemi si njerëz të civilizuar që nuk duhet t’i zgjidhim konfliktet me protesta por me dialog” kanë qenë dhe mbeten sa banale, aq edhe të dëmshme. Ajo çfarë i ka kakakterizuar shtetet e Bashkimit Europian ka qenë mbi të gjitha një ndjenjë e lartë përgjegjshmërie sociale. Kjo do të thotë se qytetari kur sheh që diçka nuk shkon mirë, ngre zërin dhe marshon, proteston e madje hera-herës dhunon. Pikërisht janë shtetet më demokratike ato në të cilat zhvillohen edhe protestat më të mëdha.

Nga Erjon Uka/Mbetet e njëjta histori. Sa herë që në Shqipëri protestohet, kudo, nga diskutimet nëpër tavolina deri ne debatet mediatike, prevalon rëndom ideja se sjellje të tilla nuk i kanë hije një vendi kandidat për në Bashkimin Europian, duke kërkuar përmbajtje dhe qetësi sepse dikush po na vrojton nga diku dhe po mban shënime për sjelljen tonë. Kjo histori ngjan me ata prindërit, që kur fëmijët e tyre llastohen apo nervozohen kur rreth e rrotull ka miq, kërkojnë t’ia mbyllin gojën me pretekstin e turpit që duhet të ndjejnë përballë xhaxhit apo tetës përballë.

Nëse për një moment fshin emrat e atyre që organizojnë apo marrin pjesë në ato pak protesta të karakterit socio-ekonomik dhe i krahason këto protesta me njëra-tjetrën, retorika që i pason është identike: ata që janë në pushtet mbrojnë sovranitetin e institucioneve, mbrojnë forcat e policisë, ata që janë në opozitë mbrojnë njerëzit dhe akuzojnë institucionet. Këto qëndrime herë i mban njëra palë, e herë tjetra, ndërsa vihet re edhe një auto-përbaltje që kemi për veten tonë. Priremi t’ia veshim gjithë huqet e këqija shqiptarëve, a thua se nuk bëjnë pjesë në homo sapiens, por janë një rracë krejt tjetër.

Por unë besoj në universalitetin e sjelljeve njerëzore. Thënë ndryshe, besoj se një anglez shqetësohet njësoj si një shqiptar kur paga i vonohet për dhjetë ditë; një gjerman mërzitet njësoj si një shqiptar kur i duhet të rrijë në trafik për dy orë pa lëvizur; një italiani i vjen shpirti në majë të hundës ashtu si një shqiptari kur përballet me burokraci që e sorollasin nga një zyrë në një tjetër; një francez që i prishet shtëpia do të revoltohet njësoj si një shqiptar, madje dhe më shumë. Por arsyetime të tilla si “ne nuk duhet të bëjmë protesta ekspresive, sepse jemi një vend kandidat për në BE” apo “duhet të sillemi si njerëz të civilizuar që nuk duhet t’i zgjidhim konfliktet me protesta” kanë qenë dhe mbeten sa banale, aq edhe të dëmshme.

Ajo çfarë i ka kakakterizuar shtetet e Bashkimit Europian ka qenë mbi të gjitha një ndjenjë e lartë përgjegjshmërie sociale. Kjo do të thotë se qytetari kur sheh që diçka nuk shkon mirë, ngre zërin dhe marshon, proteston e madje hera-herës dhunon. Pikërisht janë shtetet më demokratike ato në të cilat zhvillohen edhe protestat më të mëdha. Kur ka qenë hera e fundit që kemi dëgjuar për ndonjë protestë në Kinë? Po në Iran? Arabi Saudite? Turqi? Do të duhej të kërkonim në Google për të gjetur një datë. Ama mund të themi menjëherë se në Francë bëhen protesta të përvitshme, në Gjermani ndodhin protesta dhe anti-protesta si ato të gushtit, në Britani bëhen marshime madhështore për ndalimin e Brexit, në Katalonjë njerëzit ngrihen për pavarësi, Athina u dogj vetëm se u vra një minoren nga forcat e policisë. Bashkimi Europian nuk e kërcënoi Rumaninë me përjashtim për shkak të protestave të vitit të shkuar, nuk po e bën as me Bullgarinë tani, e aq më pak me Francën. Ama po ndëshkon autoritarizmin e Hungarisë dhe populizmin italian.

Fakti është që për veprime apo mosveprime që lidhen me ndërgjegjen qytetare nuk kemi pse të kërkojmë më miratimin nga sytë e të huajve. Nuk kemi pse të vuajmë nga sensi i inforioritetit për të mbrojtur apo për të kërkuar atë që na takon. Për çështje mikro që lidhen me jetën e përditshme, me pronën, me shëndetësinë, me arsimin, me ujin, me dritat, me pagën minimale, me minimumin jetik çdonjëri duhet të kërkojë llogari vetë, pa pritur të marrë më parë konfirmimin nëse kjo gjë është e mirë apo e keqe. Edhe në qoftë e gabuar, është në të drejtën e tij të jetë gabim. Si ai fëmija, që e ka të nevojshme që të shfryhet, që të bërtasë, ndonjëherë edhe të llastohet para miqve që kanë ardhur në shtëpi e të marrë të thyejë edhe një pjatë. Por nëse frustrohet dhe mbahet lidhur në kolltuk, nesër do ta presë një jetë problematike, që varion nga indiferenca e tejskajshme deri te dhuna e përçudnuese./Publikuar fillimisht në Tiranapost.al, 26/11/2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *