Guliver
Reportazh/ Nga Tirana në Vjenë: Në kryeqytetin klasik të kafeneve dhe kulturës, ku problemet europiane duken të largëta

Reportazh/ Nga Tirana në Vjenë: Në kryeqytetin klasik të kafeneve dhe kulturës, ku problemet europiane duken të largëta

Një udhëtim me makinë nga Tirana në Vjenë, përmes rrëmujës ballkanike të Malit të Zi dhe europianizimit kroat e slloven. Mes valëve migratore dhe kërcënimeve të identitetit europian, Vjena është kryeqyteti i artit dhe kulturës, i kafeneve dhe salciceve, i Klimtit dhe Frojdit, i madhështisë së Habsburgëve dhe stilit gotik që e ruan me fanatizëm Europën brenda saj. Sigurisht edhe një vizitë tek armët e Skënderbeut, i cili quhet “heroi më i madh i krishtërimit”.

Nga Erjon Uka/ “Duhet ta bëjmë një udhëtim. Si mendoni të ikim në Vjenë, ju pëlqen?” Kot nuk thonë se gjërat spontane dalin më mirë se ato të planifikuarat. Kështu menjëherë pas propozimit të Donit, kushëririt të mikut tim që ka ardhur me pushime në Shqipëri nga Miami, bëmë nja dy-tre llogaritje dhe vendosëm që të iknim me makinë. Fundja kalonim në katër shtete dhe në kthim mund të shihnim edhe qytete të tjera, që nga Maribori në Slloveni, Zagrebi, Spliti dhe Dubrovniku në Kroaci ku është luajtur edhe “Games of Thrones” e në fund Budvan në Malin e Zi. Por objektivi kryesor ishte Vjena.

 ***

Për të fituar një ditë kohë, nisemi në darkë nga Tirana. Trafiku është mëse normal dhe në Murriqan arrijmë për rreth dy orë. Ka pak radhë, por asgjë për t’u shqetësuar. Policët na afrojnë qenin anti-drogë ashtu si edhe të gjitha makinave, ndërsa personi që na vulos pasaportat as nuk pyet se ku do të ikim. Mund të kishin kaluar mbi shtatë vite që nuk kisha kaluar në Malin e Zi, ndaj u habita prej rrugëve lebetitëse. Asnjë autostradë, vetëm rrugë gjarpërushe ku edhe shoferi më i çmendur nuk mund t’i kalonte gjashtëdhjetë kilometrat në orë. Ky është një nga ato momente kur vlerëson diçka të shpërfillur prej kohësh. Rrugët shqiptare mund të mos kenë sigurinë maksimale, por të paktën nga Tirana në Fier mund të shkosh për një orë e gjysmë, për të mos folur për rrugën e Kombit apo pjesërisht edhe atë që të çon në Shkodër. Për ca më shumë se njëqind kilometra në Malin e Zi, mes kthesave, gropave dhe trafikut nevojiteshin rreth tre orë! Pamja që shihja nga dritarja ishte një rrëmujë tipike ballkanase, me makina të parkuara kuturu, me shumë lokale që piqnin qofte e plaskavica, dasmorët që ecnin në mes të rrugës e sigurisht ndriçimi që mungonte. Lehtësohemi kur arrijmë në kufirin kroat, sepse e dimë që pas Dubrovnikut do të marrim autostradën A1, një kryevepër infrastrukturore prej 480 kilometrash nga Ploceja në Zagreb. Ndryshe nga sa druheshim, kontrollorja vetëm na pyet se ku do të shkojmë, sheh pasaportat, i vulos dhe na uron rrugë të mbarë. Ngjitur me ne, një djali shqiptar ia bëjnë makinën fije-fije duke i kontrolluar edhe cepat e valixhes dhe pjesën e poshtë rrotave. Doni, kushëriri nga Amerika, habitet ndërsa unë i them se kështu bëjnë zakonisht, por ndoshta fuqia e një pasaporte Amerikane na kurseu nja një orë kontrolle të kota.

Pak kilometra pa arritur në Dubrovnik, një makinë policie na vihet në ndjekje dhe duke na parakaluar kërkon që të hapim krahun. Janë dy policë, thuajse mosha jonë, që fillimisht me një anglishte të kulluar kërkojnë dokumentacionin e makinës, e pastaj na thonë se gjysmë ore më parë kishim bërë një parakalim të gabuar. Justifikimet “alla shqiptare” të tipit “nuk e pamë”, “nuk e kuptuam”, “jemi turistë” nuk zënë vend. Paguajmë gjobën prej 35 eurosh dhe vazhdojmë rrugën. Gjithmonë kam menduar se shtetet më të organizuara e më të sigurta, kanë numrin më të ulët të policëve në rrugë. Ata nuk kanë nevojë t’i nxjerrin policët 12 orë në shërbim, në mes të pluhurit e vapës, me uniformat që zbardhen nga dielli. Përkundrejt kësaj, zgjedhin të investojnë në infrastrukturë, vëzhgojnë në heshtje dhe ndëshkojnë qetësisht atë që ka kryer shkeljen. Pa zhurmë, pa spektakël.

Pjesa tjetër e rrugës ka pak histori. Instiktivisht futem në Google për të mësuar më shumë rreth asaj autostrade ku limiti i shpejtësisë është 130 kilometra në orë, por vështirë se ndokush ecte nën 150. E ideuar që në vitet ’70, lidh kryeqytetin kroat me bregdetin dalmat. Është ndër autostradat e pakta që në pjesën më të madhe kalon në male dhe kodra, ndaj nuk janë të kota 360 tunelet dhe urat. Pagesa për rrugën e plotë shkon 42 euro, ndërsa karburantet nuk mbinë si kërpudha pas shiu, por gjenden kilometra të tëra larg njëri-tjetrit.

***

Kontrollori në Austri mjaftohet me një shikim të përciptë të pasaportave dhe pa i vulosur na i kthen. Qyteti i parë që kalojmë është Grazi, rreth dy orë më vonë jemi në Vjenë. Hoteli gjendet pak larg qendrës, prandaj pa humbur kohë ndërrojmë veshjet që kishim prej 14 orësh udhëtim dhe dalim në kërkim të mjeteve të transportit. Afrohemi në një stacion tramvaji dhe bisedojmë se si do të ikim në Stephansplatz, kur pas nesh dëgjojmë një zë: “Ku doni me shku shqipe?” Ishte një shqiptar i Kumanovës i cili na tregoi për metronë: e shpejtë dhe komode. Me të vërtetë ashtu ishte. Me katër linja kryesore, nga U1 tek U4, metroja përshkonte Vjenën nga njëri cep në tjetrin, nga lindja në perëndim e nga veriu në jug në më pak se gjysmë ore. Ajo që të bën përshtypje menjëherë është pastërtia dhe qetësia, e pazakontë për metrotë e Romës, Stambollit apo Sofies. Njerëzit janë të qetë, presin me radhë zbritjen e pasagjerëve për të hyrë, ndërsa brenda nxitojnë të nxjerrin librat apo gazetat nga çantat për të shtyrë udhëtimin. Edhe nëse përhumbesh, pas një minuti autoparlanti buçet duke njoftuar stacionin e radhës. Kush është mësuar me “edicola”-t italiane, pikat e shitjes së gazetave, që gjenden në çdo cep të qyteteve, në Vjenë nuk do t’i shohë. Pranë stacioneve, gazetat si “Kurier” apo “Osterich” futen në qese plastike, ndërsa sipër ndodhet një arkë kursimi me çmimin përkatës. Njerëzit marrin gazetën dhe fusin vetë monedhat në arkë. Bisedojmë ndër veti dhe deri më tani një shkallë të tillë ndërgjegjësimi asnjë prej nesh nuk e kishte hasur askund. Utopia komuniste ishte arritur në një prej vendeve më kapitaliste! Maslovi nuk ia fuste kot me piramidën e nevoja, kur thoshte se pa mbushur barkun njeriu nuk mund të tregojë ndërgjegje intelektuale.

Stephansplatz, sheshi qëndror i Vjenës, është madhështor. Emrin e merr nga katedralja kryesore e qytetit, Stephasdom (Katedralja e Shën Stefanit), e ndërtuar më 1160 me një stil gotik. Për një çast ta bllokon frymëmarrjen me 107 metrat lartësi dhe 23 kambanat. Hyrja është falas, por atë ditë ishte e rezervuar për një koncert dhe nuk arrijmë ta admirojmë nga brenda. Gjithsesi, edhe thjesht për ta parë nga jashtë koha duket se nuk mjafton kurrë. Ecim në drejtim të bulevardit të mbushur me kafene e dyqane, me ndërtesat e njëtrajtshme deri sa arrijmë tek Opera e Vjenës, aty ku çdo fillim viti në orën 12:00 luhet Koncerti i famshëm nga dalin edhe tingujt e Shkëlzen Dolit. Rrugës ndalojmë tek “Julius Meinl”, dyqani që daton nga 1862 e krijuar pikërisht nga Julius Meinl, në një kohë kur kafeja shitej ende me kokrra jeshile. Nuk ke si të mos mendosh se miqtë e Julius Meinl, që shijonin atë kafe në perandorinë Austro-Hunagereze, ishin Sigmund Freud, Gustave Klimt, Egon Schiele apo Otto Wagner. Por globalizimi nuk ka qëndruar jashtë Vjenës, teksa edhe në këtë dyqan dy-katësh me stil klasik, gjen ushqime nga e gjithë bota me flamurin përkatës të origjinës.

Kthehemi për nga Rathaus, sërish një ndërtesë e stilit gotik por shumë më e re se Katedralja e Shën Stefanit, e ndërtuar në fund të viteve 1800. Një gjë e mirë në Vjenë është interneti publik, ku pasi marrim tre salcice dhe tre birra që i paguajmë 32 euro, hyj të kontrolloj për ndërtesën që kisha para syve: sipërfaqja totale 113,000 metra katrorë, gjashtë kate, 1575 dhoma. Bëjmë gëzuar, teksa për disa çaste nuk mund të mos mendoj për ato salcice dhe ato birra që i kishim paguar me çmimin e një dreke të plotë në Tiranë. Pak më shumë apo pak më pak, turistët shfrytëzohen gjithandej. Ama duhet bërë pak me lezet, me klas, që në Vjenë e gjen me okë.

Rrugët vjeneze marrin vlerë të shtuar nga njerëzit që kalojnë në to. Të thjeshtë e të kuruar njëkohësisht, duket sikur të gjithë i përshtaten vendit. Përpiqem të kujtoj nëse kemi dëgjuar ndonjë protestë në Austri, ndonjë kasaphanë, ndonjë falimentim fabrike të madhe, greva urie apo skandale të mëdha qeveritare. Asgjë të tillë! Është një shtet i begatë me njerëz të qetë. Shembulli më i mirë se kultura nuk blihet, por krijohet në qindra vjet. Shteti është traditë. Mendoj se Vjena është një nga ato të paktat qytete sot që ta imponon sjelljen. Është një qytet ku emigrantët nuk kanë kërcënuar kulturën vendase. Të kuptohemi, nuk jam nga ata që mendoj se Europa duhet të mbyllë kufijtë për emigrantët, por e pranoj faktin se vala e emigracionit nuk i shërben Europës e mbi të gjithë ruajtjes së kulturës së saj. Nuk ka të bëjë nëse i huaji është senegalez, indian apo argjentinas: në çdo vend ai mbetet i huaj, që do të sjellë kulturën vetjake duke nisur një “betejë” mes komunitetit të tij dhe atij ekzistues. Për shembull, në Bolonja ku kalova ca muaj të mirë, përveç ndërtesa tipike emiliane, nuk e kuptoje që ishe në Itali: grupe marokinësh e tunizianësh zinin cepat e çdo rruge, blije picën te një pakistanez, kasieri i Lidl-it ishte kinez, te tregu i fruta-perimeve gjeje indianë e rumunë, truprojat e lokaleve të natës ishin shqiptarë e polakë: Pra një vend gjeografikisht në mes të Europës, por tërësisht global. Vjena nuk ishte e tillë. Kishte ruajtur Europën brenda saj, dhe me fanatizëm madje.

Erjon_Uka

Për të shkuar në pallatin Schonbrunn duhet të marrim metronë U3 dhe pas shtatë stacionesh që përshkruhen për 10 minuta, marrim metronë U1. Kemi vështirësi të gjejmë hyrjen, teksa Geri më thotë se duhet të shkojmë pranë autobusit sepse ku ka autobusa, gjen dhe turistë. Duke folur, dëgjojmë sërish një “Çkemi shqipe!”. Janë dy djem kosovarë që punojnë jashtë pallatit dhe na orietojnë me hyrjen. Me shaka, formulojmë “ligjin e parë të turizmit” se “Ku ka autobusë, ka turistë, e ku ka turistë me domosdo gjen edhe shqiptarë: ose janë vetë turistë, ose punojnë aty.”

Pallati Schonbrunn, stil Barok, ka shërbyer si rezidencë verore e Perandorit, me një sipërfaqe që i kalon 180 hektarët dhe me pallatin qëndror me 1441 dhoma. Kush ankohet nga ekstravaganca e sotme e të pasurve, duhet të kuptojë se kështu ka qenë gjithmonë. Të fuqishmit gjithmonë kanë kërkuar të tregojnë superioritetin e tyre. Dikur e bënin nëpërmjet pallateve dhe rezidencave gjigante, me qindra dhoma dhe dhjetra metra të larta, me tavanët e larë në flori, kopshtet private zoologjike dhe skulpturat e stilit greko-romak. Sot e tregojnë nëpërmjet fotografive, makinave luksoze dhe veshjeve të shtrenjta.

***

Nuk mund të largohemi nga Vjena pa parë përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. Doni nga Amerika na e vë kusht, sepse siç dihet emigrantët kanë një dell patriotizmi më të lartë se ne që rrimë në Shqipëri. Kërkojmë në internet se ku gjendet muzeu dhe shkojmë në Pallatin e Habsburgëve, rezidenca madhëshore e dinastisë mbretërore austriake dhe një prej familjeve më me influencë në Europë. Mes godinës së Muzeut të Arteve dhe Muzeut të Biologjisë, është sërish një shqiptar që na tregon se ku ndodhen pajimet e Skënderbeut. Kalojmë ndërtesën ku sot ndodhet Biblioteka Kombëtare e Austrisë dhe futemi në Muzeun e Thesarit të Perandorisë. Bileta kushton 12 euro dhe kur e sheh nga jashtë mendon se mund të kryesh punë për 10 minuta. E vërteta është se kalojmë një orë duke parë kurorën madhështore të Perandorit, atë që ka mbajtur Franzi II, Frederiku I apo Franz-Jozefi I. Me ar dhe me motive nga rrugëtimi mbretëror i Rudolfit të II, që përfshin edhe fitoren me turqit, mund të shkruhet një libër i veçantë mbi të. Shohim tunikat dhe kostumet ceremoniale të Perandorit dhe Perandoreshës, të dukëve dhe arqipeshkëve, shpatat ceremoniale, djepin ku lindi djali i Napoleonit dhe Maria Luizës, me gërmën “N” të gdhendur në krye dhe i përbërë nga 280 kilogramë argjend. Pyesim një vajzë të personelit mbi armët e Skënderbeut dhe na thotë se gjenden në Welt Museum, pak metra përpara muzeut ku gjendeshim gabimisht. Nuk na vjen aspak keq, sepse të shohësh kurorat dhe sendet personale të njerëzve që diktuan historinë e Europës për pesë shekuj, është një rast që nuk të vjen çdo ditë.

Në Welt Musem, për të qenë të sigurt, pyesim direkt nëse gjendet apo jo shpata e Skënderbeut. Recepsionistja menjëherë na thotë se “po” teksa paguajmë edhe nga 12 euro të tjera. Në katin e parë shohim armë indiane dhe afrikane, sende unike dhe makete në miniaturë. Njëzëri themi të shohim fillimisht armët e Kastriotit, e më pas vazhdojmë me pjesën tjetër të muezut. Hipim në katin e tretë dhe pas disa zig-zagesh gjejmë të shumëkërkuarat.

“Së bashku me helmetën, arqiduka Ferdinandi II bleu nga Tirol edhe “Shpatën e Skënderbeut”, tek e cila një teh i shkeullit XV është bashkuar me nje dorezë turke e një periudhe më të vonshme. Shpatës i përket edhe një këllëf i mëvonshëm prej lëkure të zezë. Gjergj Kastrioti u rrit e u edukua ne oborrin e Sulltanit osman ku edhe shërbeu. Si udhëheqës i nje kryengritje kundër Osmaneve ai u shndërrua në heroin më të madh të krishtërimit të shekullit XV, i cili mund të siguronte pavarësinë e Shqipërisë përkundrejt fuqisë osmane për shumë vjet. Kjo Helmetë e një rangu mbretëror përmendet për herë të parë në 1593 në një inventar të Ambraser Rüstkammer dhe për herë të parë është shfaqur në 1601/3 në Heroicum des Schrënck nga Notzing. Pas vdekjes së Kastrioti në 1468, Shqipëria reshti së qenuri e pavarur dhe e shoqja me fëmijët u shpërngulën në Napoli”, shkruhet në përshkrimet përkatëse poshtë shpatës dhe helmetës.

Doni është i parë që mrekullohet nga përkrenarja, por edhe zhgënjëhet nga shpata. Priste diçka gjigante, që me një të vërvitur vriste 17 turq dhe nëse nuk do të ishte për dorën e Skënderbeut, do të nevojiteshin shtatë burra për ta ngritur. Por jo, ajo ishte një shpatë normale. I flas djemve për rishikimin e historisë, që vlera e Skënderbeut nuk ishte direkt në fushëbetejë si luftëtar, por si strateg dhe si diplomat që mbante korrespondencë me Napolin e Venedikun, kërkonte kurorën mbretërore nga Papa që vdiq rrugës për ta kurorëzuar, që kërkonte ndihmë nga gjeneralët austro-hungarezë. Miti na shërben, por e vërteta edhe më shumë. E teksa vetë Skënderbeu i Odhise Paskalit ka hequr të zitë e ullirit në mes të Tiranës, me njerëz që hipnin gjatë protestave, me pluhurin e sheshit që shtrohet e shkatërrohet çdo pesë vjet, që i kanë parë sytë kongrese komuniste, protesta demokrate e dhunë shtetare, armët e tij flenë të qeta në Vjenë, në pallatin e Habsburgëve. Në një temperaturë konstante, të mbuluara me xham nën dritën e zbehtë. Nuk më vjen hiç keq që ato armë janë në Vjenë. Aty, në portën e Habsburgëve, marrin vlerën e merituar./Publikuar fillimisht në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *