Një ekonomi e re po lind nga tregtarët e luksit
Akumulimi i kapitalit vazhdon dhe intensifikohet, por format kanë ndryshuar. Ekonomia e pasurimit ka bërë të mundur që në qendër të aktivitetit ekonomik, i cili për një kohë të gjatë është dominuar nga prodhimi, të vendosen forma të tjera të krijimit të kapitalit. Pasi analizoi “shpirtin e ri” të kapitalizmit thuajse njëzetë vite më parë, sociologu francez Luc Boltanski i është rikthyer kësaj teme duke ofruar një analizë të gjerë mbi burimet e reja të fitimit si për shembull përmes tregtisë së veprave të artit, pronave, vlerësimit të vendeve turistike apo produkteve gastronomike. “Termi pasurim ka një kuptim të dyfishtë. Shihet e nevojshme që objektet të pasurohen përmes një narrative, e duke i dhënë një fabul të tillë objekteve ekziston mundësia për t’i shitur me një çmim më të lartë duke maksimizuar fitimin. Bëhet fjalë për një mekanizëm që i drejtohet të pasurve dhe që pasuron gjithmonë e më shumë të pasurit”, thotë Luc Boltanski.
Nëse do të rimerrnim
titullin e esesë suaj të vjetër, a mund të themi se shpirti i kapitalizmit
ndodhet në ekonominë e pasurimit?
“Shpirti i ri i kapitalizmit” analizonte ndryshimin e forcës punëtore dhe të
teknikave të menaxhimit. Ishim ende në atë që Marksi e quante “vlera e tepërt e
punës”. Te libri i ri “Pasurimi” përshkruajmë një ndryshim edhe më radikal, në
të cilin krijimi i formave të reja të pasurimit, pra vlera e tepërt e punës,
nuk vjen më nga prodhimi i mallrave por nga vetë tregtia.
Duke iu referuar
historisë, a është kjo diçka e re?
Ekonomitë e turizmit, të gastronomisë apo të luksit, për të cilat flasim në libër,
ekzistojnë prej kohësh. Fernand Braudel shpjegonte se kapitalizmi nisi me
tregtimin e produkteve të marra në vendet e kolonizuara, të cilat
transportoheshin dhe shiteshin në Europë me një vlerë të shtuar e cila
justifikohej për shkak të largësisë dhe veçantisë së produktit. Gjithsesi, në të
shkuarën ky mekanizëm i vlerësimit të mallrave ishte margjinal krahasuar me
kapitalizmin industrial. Sot, në përgjithësi, shohim se burimet e reja të
pasurimit nuk mbështeten më në prodhim dhe kanë pjesërisht nevojë për forcën
punëtore. Kapitalizmi është spostuar, duke tentuar t’u japë vlerë sektorëve që
deri pak kohë më parë nuk kishin.
Kur nisi ky spostim?
Në 25 vitet e fundit të shekullit të XX-të në shoqëritë perëndimore
prodhimi masiv nuk u pa më si mënyra e vetme dhe parësore për të maksimizuar përfitimet
dhe për të akumuluar kapital. Zgjerimi i ekonomisë së pasurimit nisi në vitet ’80
dhe korrespondon me rritjen e pabarazive, siç analizohet edhe në shumë studime,
mes të cilëve nga Thomas Piketty. Kjo formë e re pasurimi përdor gjëra që
ekzistojnë tashmë, të cilat prej kohësh janë trajtuar si mbeturina, janë
injoruar, janë harruar nëpër bodrume apo janë groposur nëntokë. Në vendet që
kanë një pasuri të pamatë kulturore dhe historike, si për shembull në Francë
apo në Itali, kjo formë ekonomie po zhvillohet në mënyrë më spektakolare.
Cilët janë mekanizmat
e rinj që vlerësojnë mallrat?
Le të supozojmë se ka një strukturë të re të mallrave. Objektet që vlerësohen
në ekonominë e pasurimit nuk i përgjigjen më nevojave dhe shumë prej tyre as
nuk mund të përdoren më. Gjithsesi mund të marrin një formë tjetër, nëse
fokusohemi te koleksionimi. Kështu ndryshon edhe kriteri tradicional mes çmimit
dhe kohës. Produktet e zakonshme industriale, si për shembull automjetet, kanë
një çmim që ulet me kalimin e kohës. Por në shumë prej rasteve të ekonomisë së
pasurimit, me shumë mundësi çmimi do të ketë tendencën të ngrihet me kalimin e
kohës.
Kështu pra, ndryshon edhe mënyra e konsumit?
Teoritë mbi shoqëritë e konsumit duhen riparë. Sot jemi një shoqëri tregtare ku jo vetëm secili prej nesh mund të blejë, por edhe të shesë përmes internetit apo platformave të tjera. Konsumatori nuk është më pasiv, por ka integruar kompetenca të tjera tregtare./Luc Boltanski është sociolog francez, profesor në “School for Advanced Studies in the Social Sciences” në Paris dhe themelues i “Groupe de Sociologie Politique et Morale”. Punimet e tij kanë pasur shumë influencë në sociologji dhe në ekonominë politike. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.